Sigal

Jakup B. GJOÇA

Dje u bënë homazhe tek Monumenti Nënë Shqipëri te Varrezat Dëshmorët e Kombit. Mirëpo, monumenti Nënë Shqipëri është i nxirë nga tymrat e karburanteve të makinave, nga mbetjet atmosferike dhe askujt nuk ndjen kaq turp, sa ta pastrojë, ndërkohë që nga qeveria jepen me koncesion 3 miliardë euro pasuritë e Nënës Shqipëri. Shumica e këtyre tenderëve, në qindra miliona euro, janë dhënë edhe për restaurimin e fasadave të ndërtesave qeveritare, por shteti nuk harxhon asnjë qindarkë të zbardhë monumentin Nënë Shqipëri, para së cilës çdo 28 Nëntor udhëheqësit e shtetit përulin hipokrizinë përballë Historisë. Edhe Varrezat e Dëshmorëve janë braktisur, nuk ka më përkujdesje, sa nuk është më çudi, që ndonjë ditë do të dalin edhe kockat e dëshmorëve dhe heronjve të Historisë tonë mbi tokë. Dje banorët e Tiranës donin të festonin Ditën e Flamurit, po ku? Tek monumenti i Skënderbeut? Nuk mundet Tirana e 1001 kullave të ndërtojë një Monument të Ismail Qemal Bej Vlorës në Tiranë? Por edhe një bust, që bënë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, e kanë fshehur midis shkurreve tek Blloku, thua se Ismail Bej Qemal Vlora është ushtar i Gardës dhe mbron …deputetët. Ndërkohë, që Ahmet Zogun e kanë ndërtuar deri në qiell, për të na kujtuar çdo çast 7 Prillin e tradhtisë ndaj Atdheut. Në Shqipëri tani nuk gjejmë më asnjë lapidar, i gremisëm, në emër të “demokracisë”, duke fshirë me vetëdije edhe kujtesën tonë historike. Muzetë janë kthyer në …monument kulture, të cilat do t’i gremisë dëbora, lagështia, braktisja…Një popull pa heronj, pa muze, pa lapidarë, është një popull pa Histori. Një popull pa Histori është një popull që vdes së shpejti.