Jamarbër Malltezi: Rama dhe Ahmetaj marrin 178 milionë euro për 3 inceneratorë

574
Në një deklaratë për mediat Kreu i Departamentit të Mjedisit Jamarbër Malltezi, akuzoi Kryeministrin Edi Rama dhe Ministrin e Financave Arben Ahmetaj duke u vendosur shqiptarëve “taksën e plehrave”, duke e cilësuar kështu si një taksë e cila do të hyjë në xhepat e tyre nëpërmjet vënies në punë të fabrikave të djegies së plehrave në Tiranë, Fier dhe Elbasan. “Të nderuar shqiptarë vendimi Nr. 77, datë 23 Nëntor 2017 i Komisionit të Ndihmës Shtetërore, thuhet qartë se bizneset që do të gjenerojnë energji nga plehrat do të marrin ndihmë shtetërore për të paktën 15 vjet. Pra, nuk ndihmohet prodhimi i energjisë së pastër, energjisë diellore apo të erës, por ndihmohet nga shteti energjia e prodhuar nga fabrikat e plehrave të Arben Ahmetajt dhe Edi Ramës.”, ka bërë me dije Malltezi. Më tej ai sqaroi se skema financohet nga një “taksë”, e ashtuquajtura detyrim i shërbimit publik (ndaj Operatorit të Shpërndarjes), të cilit i është ngarkuar detyrimi për blerjen e energjisë nga prodhuesit e energjisë prej pjesës së biodegradueshme të mbetjeve të ngurta dhe më pas për ta ofruar dhe shitur në treg. Sipas Malltezit: “Kjo do të thotë se, jo vetëm që Rama dhe Ahmetaj po marrin 178 milionë euro nga taksat tona për 3 inceneratorët që do të djegin plehra dhe do të lëshojnë helme në ajër, por ata kanë vendosur “taksën e plehrave,” që të shesin energjinë e prodhuar nga inceneratorët dhe të vazhdojnë të pasurohen për vete!” Malltezi tha se: “Nuk ka ndihmë shtetërore as për të përmbyturit, as për naftëtarët, as për të përndjekurit politikë, as për ish-pronarët, as për të papunët, as për kryefamiljarët që nuk ushqejnë dot fëmijët, as për të rinjtë që braktisin vendin. Ndihmë ka vetëm për inceneratorët e Edi Ramës dhe Arben Ahmetajt”, u shpreh Malltezi. Kontratat e djegëseve te Fierit dhe Tiranës nuk janë botuar, as ne buletinin e Agjencisë së Prokurimeve Publike dhe as në Fletoren Zyrtare, bëri me dije Malltezi. “Këto përbejnë vepra penale, sepse shteti po nxjerr 74 milionë euro para publike në vit, pa botuar fare kontratat, duke i konsideruar si sekret shtetëror!”, theksoi në fjalën e tij kreu i Departamentit të Mjedisit.
Sigal