Jamarber Malltezi: Ndërprerja e lejeve të ndërtimit, abuziviteti i  INUK-ut me ligjin, janë politika diku mes diktaturës dhe çme

426
Sigal

 E vërteta është që Berisha është kthyer në një institucion, pasi ka kontribute të jashtëzakonshme në vendosjen e demokracisë në Shqipëri dhe ka realizuar gjëra gjigande, që nuk i realizon dot më askush

Jamarbër Malltezi, kreu i departamentit të Urbanistikës të PD-së,  jep intervistën ekskluzive për gazetën “Telegraf”, duke i bërë një skaner vendimit të fundit të qeverisë, që jep leje ndërtimi vetëm për persona fizikë, por jo për subjekte dhe persona juridikë. Zoti Malltezi, pohon që nuk ka Plan Kombëtar të Territorit, dhe kjo është alibia politike e Ramës që të pezullojë të gjitha lejet e ndërtimit. Zoti Malltezi, pyetjes nëse leja e dhënë nga Bashkia për ndërtimin e pallateve shumëkatëshe te Liqeni i Tiranës është e ligjshme apo jo, i përgjigjet drejtpërdrejt se “Vendimi i Bashkisë duket se respekton moscenimin e sipërfaqeve ekzistuese sportive, pasi ka ruajtur si zona sportive tokat publike, ku ndodhen fushat dhe pishinat, ndërsa ka lejuar zhvillimin në tokat private, që u është kthyer destinacioni në zona urbane”. Si ekspert i urbanistikës, zoti Malltezi, e cilëson prishjet e INUK në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën, por shton se në këto raste ka 2 standarde politike, sepse siç pohon Malltezi, INUK nga institucion shtetëror është shndërruar në trinomin “INUK=SNUK=EUNUK”, pasi aty në vijën bregdetare “këto nuk po prishen, pasi janë të Koçove të pushtetit. 5 ligje dhe 2 plane urbane dhunon çmenduria e Koços në Qeparo, si edhe “në rastin e ndërtuesit të sarajeve 55 metroshe të Rames në Surrel, i cili tani po ndërton 2 objekte gjigande brenda parkut të liqenit në Tiranë”. Zoti Jamarbër Malltezi, kritikës që i adresohet se është dhëndër i Berishës, ndaj ngjit shkallët hierarkike në PD, i përgjigjet drejtpërsëdrejti, që “Kontributi i Berishës është burim krenarie dhe frymëzimi, por unë nuk e përdor për kapital politik, dhe se Berisha është kthyer në një institucion, nga kontributet që ka dhënë”.

 -Zoti Malltezi, a ka plan kombëtar të Territorit?

-Ligji i Planifikimit të Territorit parashikon hartimin e Planit Kombëtar të Territorit. Aktualisht, nuk ka një plan të tillë dhe kjo shërbeu si alibi për të pezulluar gjithë planet urbane dhe lejet në gjithë vendin, përveç atyre që ka qejf kryeministri. Hartimi i një Plani Kombëtar për territorin është një ndërmarrje shumë e vështirë, pasi, si fillim, nevojitet hartimi i gjithë planeve sektorialë, që ndikojnë në territor, më pas ballafaqimi i këtyre planeve sektoriale me njëri-tjetrin dhe planet vendore, zgjidhja e situatave, ku mund të ketë përplasje serioze mes këtyre planeve për mënyrën e përdorimit të tokës etj. Duke pasur parasysh se Z, Rama nuk bëri Planin Rregullues të Tiranës për 12 vjet, është qesharake të pretendosh se ai do realizojë Plan Kombëtar Territori për një vit.

Qeveria, por edhe disa aktivistë ambientalistë kanë kundërshtuar ndërtimin e disa pallateve shumëkatëshe në këmbët e Liqenit Artificial, madje, Artan Shkreli ka akuzuar kryetarin e Bashkisë zotin Basha, për dhënien e lejeve të ndërtimit jashtë çdo ligji. Cili është komenti juaj?

– Nëse ajo do të kishte statusin si zonë e gjelbër, apo rekreative, aty do ndalohej zhvillimi. Por z. Rama u bë promotori që tokave private në atë zonë t’iu ndërrohej destinacioni, nga zona rekreative, në zona urbane në 2007. Kjo, pasi pronarë privatë rezultonin dy klientë të tij, ku njërit i kishte lëshuar dhe më parë leje për ndërtese mbi 20-katëshe në Tiranë, ndërsa tjetrit i kish shitur në mënyrë të kundërligjshme tokën në qendër të Tiranës, me një vlerë qesharake, si të ishte tokë në fshat. Pasi ktheu destinacionin e tokës në tokë urbane, në 2009 Ramës iu hap oreksi dhe prezantoi edhe planin e arkitekturës moderne, me ndërtesa 45-katëshe, që tjetërsonin të gjithë zonën, përfshi edhe tokat publike. Plani i Ramës parashihte prishjen e fushave të sportit dhe pishinave në tokë publike për ngritjen e ndërtesave 45-katëshe. Edhe mua do më pëlqente që edhe tokat private të shpallen si zonë e gjelbër, apo zonë sportive, por kemi dy parime të shtetit ligjor, që duhen respektuar, siç janë: E para, një e drejtë e fituar nuk mund të mohohet pa një kompensim të drejtë, dhe së dyti, shpronësimi për interes publik. Privatët kanë fituar një të drejtë nga z. Rama, siç është e drejta për ta pasur si zonë urbane tokën e tyre private. Për ta kthyer mbrapsht këtë gjë, duhet që shteti t’i paguajë privatit një kompensim të drejtë. Së dyti, nëse kërkojmë të zgjerojmë vijën e gjelbër të parkut, duhet që t’i kërkojmë qeverisë të nisë procedurat për shpronësim për interes publik. Të kthehemi te vendimi i Bashkisë. Plani i Tiranës dhe Vlerësimi Strategjik Mjedisor kërkojnë që të mos zvogëlohen sipërfaqet rekreative në Tiranë, (përveçse për një interes të madh publik). Pra, sipërfaqet rekreative (që janë vetëm në tokat publike se tokën private Rama e bëri truall ndërtimi) nuk mund të tjetërsohen. Vendimi i Bashkisë duket se respekton moscënimin e sipërfaqeve ekzistuese sportive, pasi ka ruajtur si zona sportive tokat publike, ku ndodhen fushat dhe pishinat, ndërsa ka lejuar zhvillimin në tokat private, që u është kthyer destinacioni në zona urbane. Në planin rregullues u mendua që kjo zonë të kthehet në një pol rekreacioni për qytetin, ndaj edhe Bashkia planifikon që në sipërfaqet e tjera publike që ka në atë zonë të ofrojë sipërfaqe për shërbime të tjera rekreative, si për shembull Cirku i Tiranës, etj. Ndonëse është e pëlqyeshme, nuk është parashikuar as në plan dhe as në VSM-në, që Bashkia të përdorë miliona euro për shpronësime për interes publik në atë zonë. Nëse Bashkia do kishte miliona euro gjendje për shpronësime, ajo ka më urgjente të dyfishojë sipërfaqet për varreza, që është një gangrenë e përhershme e qytetit. Prandaj, z. Rama e ka vetë në dorë që të bëjë shpronësim me çmim tregu për interes publik dhe, më së fundmi, të na dhurojë një sipërfaqe të gjelbër, pasi dha leje ndërtimi për pallate në dhjetëra lulishte të Tiranës.

– Zoti Malltezi, nisur nga aktualiteti i këtyre ditëve, KKR-ja dha lejen për leje ndërtimi nga persona fizikë, duke përjashtuar persona dhe subjekte juridikë. A ka bazë ligjore, juridike, ky vendim?

– Kjo ishte një përpjekje mjerane për të zbutur disa nga pasojat e një vendimi të çmendur për pezullimin e gjithçkaje në vend. Pati përmbytje të shtëpive dhe bizneseve, por vendimi i çmendur nuk lejonte qytetarët as të meremetonin suvanë e rrëzuar, apo të rinovonin tarracën, që u fuste ujë në shtëpi. Kjo shtyu njerëzit të vepronin krejt pa leje, duke shtuar ryshfetet në xhepat e disa Ergysëve të qeverisë. Vendimi i para pak ditëve ishte shumë zhurmë për asgjë.

Është arsye juridike, politike, ekologjike, mjedisore, ndalimi me ligj i dhënies së lejeve të ndërtimit për persona fizikë dhe jo subjekte juridikë?

-Vendimi për pezullimin e gjithë Planeve Urbane dhe Lejeve të Zhvillimit në gjithë vendin, përveç atyre që do kryeministri, ishte një vendim alogjik, i dëmshëm ekonomikisht dhe që bie diku mes diktaturës dhe çmendurisë. Ishte diktatorial, pasi kemi dëshirën e marrë për të pushtuar gjithë pushtetet dhe për të qenë njëherësh edhe kryeministër, edhe kryetar i gjithë bashkive, edhe kryetar i gjithë komunave, edhe kryeplak i gjithë fshatrave në Shqipëri. Ishte, gjithashtu i çmendur, pasi vjen, pasi bie ndesh qoftë me Deklaratën e Autonomisë Vendore të Këshillit të Evropës dhe qoftë me 2 vendime të Gjykatës Kushtetuese, (njëri në 2006 dhe tjetri në 2014), që i japin pushtetit vendor tagrin për planifikimin dhe kontrollin e territorit.

– Atëherë, a ka prapavijë politike?

– Padyshim, që është një vendim politik. z. Rama ka shumë qejf lejet e ndërtimit dhe i jepte ato në mungesë të planit rregullues. Ndërsa Z. Basha nuk lëshoi asnjë leje, derisa përfundoi Planin e Përgjithshëm Rregullues së Tiranës dhe, më pas, edhe dhjetëra Plane të Detajuara Vendore (PDV). Z. Basha respektoi ligjin qoftë duke mos lëshuar leje ndërtimi pa plan, dhe qoftë duke hartuar Plan Rregullues me dhjetëra takime me grupet e interesit, publikun, etj. përfshi eksponentë të shquar të PS-së, sikurse z. Lame, apo kryetarët e minibashkive të Tiranës. Tani kemi një vendim që bie ndesh me dokumente ndërkombëtare, ku Shqipëria është palë, si edhe bie ndesh me 2 vendime të Gjykatës Kushtetuese. Veç një anormal mund të nxjerrë vendim të këtillë antiligjor.

– Cili është dëmi për ekonominë tonë, ky vendim për ndalimin e lejeve të ndërtimit?

– Ky vendim ka një dëm kolosal për ekonominë. Se pari, kemi qindra studio projektimi, kompani ndërtimi dhe studio auditimi teknik dhe financiar që po prisnin prej vitesh hartimin e Planit Rregullues dhe PDV-në për të filluar nga puna me projektet e tyre dhe atyre iu ndërpre gjithë puna dhe do vijojnë të jenë edhe një vit pa punë. Se dyti, kemi mijëra familje pronare që po u ikën jeta, duke pritur të zhvillojnë pronën e tyre dhe dikush, në mënyrë të papërgjegjshme, ua dhunon këtë të drejtë. Së treti, sektori i ndërtimit është gjenerues i madh punësimi si direkt edhe përmes hapjes së punëve për nënkontraktorët, infrastrukturën, elektroshtëpiaket, mobilierët, etj. Ky vendim lë qindra mijëra njerëz pa punë në një kohë krize dhe shton papunësinë. Së fundmi, kreditë e këqija po përkeqësohen, duke mos pasur punë as kompanitë dhe as njerëzit.

A ka kompetenca ligjore, kushtetuese INUK-u që të gremisë ndërtimet pa leje, pa u shoqëruar me vendime të formës së prerë nga gjykatat?

– Sipas Ligjit dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, INUK-u ka kompetenca ligjore të ndërhyjë pa paralajmërim vetëm në rastet e zonave të rëndësishme kombëtare, si p.sh zona të mbrojtura, zona arkeologjike, Parqe, vijë bregdetare, etj. POR, këtu, ku e ka tagrin të plotë INUK-u bëhet SNUK në rastet e paligjshmërisë së Koços, (Kokëdhimës), që dhunon 5 ligje dhe 2 plane urbane, mu 10 metra larg detit, ose në rastin e ndërtuesit të sarajeve 55 metroshe të Ramës në Surrel, i cili tani po ndërton 2 objekte gjigande brenda parkut të liqenit në Tiranë, ose, në rastin e Vangjushit, që po ndërton pistë mu brenda në det me mbeturina ndërtimi, duke shkelur 4 ligje, duke dëmtuar mjedisin detar dhe shpërfillur arkeologjinë nënujore, dhe as në rastin e ndërtimit të kundërligjshëm mu tek Kalaja e Tiranës, që është monument kulture i kategorisë më të lartë. Ndërkohë, prishjet e INUK-ut brenda qyteteve mundet të kryhen vetëm pas komunikimit me INU-vin dhe pushtetin vendor, pasi të verifikohen dhe të respektohen afatet ligjore, që janë në fuqi dhe të ketë proces të rregullt për të drejtat e njeriut, siç sanksionohet në Nenin 42 të Kushtetutës. Prandaj, prishjet e INUK-ut brenda qyteteve janë të paligjshme, pasi dhunojnë vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe INUK-u po shkon si bandë pa guxuar të lëshojë një dokument ligjor, kur bën prishje.

-Dhe a mund të ligjësosh gremisjet INUK-u, qoftë edhe kur janë pa leje, por të ndërtuara 20 vjet, kur vetë shteti nuk ka treguar korrektësinë e zbatimit të ligjit në këtë ndërkohë?

– Sipas ligjit, prishjet ligjësohen, nëse janë ndërtuar në zona të rëndësisë kombëtar si vije bregdetare, parqe, zona arkeologjike, apo muzeale, etj. POR problemi është që pikërisht këto nuk po prishen, pasi janë të Koçove të pushtetit. 5 ligje dhe 2 plane urbane dhunon çmenduria e Koços në Qeparo, por aty INUK=SNUK=EUNUK. Ose, marrim rastin e ndërtimit të kundërligjshëm të ndërtuesit të sarajeve 55 metroshe të Ramës, që po ndërton brenda vijës së parkut të liqenit, të shpallur nga Lamja, si sekretar i KRTRSH-së, në 2004. Sipas ligjit të Planifikimit të Territorit, brenda parqeve nuk mund të japë leje Bashkia. Sipas ligjit të Legalizimit brenda parqeve nuk mund të legalizohen objektet. Sipas ligjit të Kontrollit të Territorit brenda parqeve INUK-u duhet të veprojë menjëherë dhe pa nevojë për asnjë komunikim paraprak. Por jo aty, tek oligarku i Ramës, INUK=SNUK=EUNUK. Ndërkaq, po prishin objekte me leje ose edhe me hipotekë, pa ju dhënë një dokument qytetarëve, gjë e cila është qoftë dhunim i Kushtetutës, dhe qoftë do na kushtojë shtrenjtë të gjithëve, si taksapagues, pasi prishje të tilla të detyrojnë të paguash jo vetëm shpronësimin, por edhe dëmin moral.

– Përse heshtin organet kompetente të drejtësisë që INUK shkel haptazi ligjin, duke shkelur edhe të drejtat ligjore të qytetarëve?

– Një i çmendur gjithë vendin çmend. Për fat të keq, nuk po zbatohen parimet e shtetit ligjor, por të shtetit policor, ku ka rëndësi urdhri i eprorit, (edhe i çmendur qoftë) dhe nuk ka rëndësi ligji. Ishte çmenduri dhe trishtim të dëgjoje Saimirin (Tahirin) të deklaronte, se “Ligji është një teknikalitet i parëndësishëm”. Por qytetarët po i çojnë çështjet e tyre në gjykatë dhe po fitojnë miliona euro, nga këto veprime të paligjshme të qeverisë, të cilat do i paguajmë ne, si taksapagues.

Zoti Malltezi, ju si e gjykoni mbjelljen e pemëve anës rrugës Vorë-Tiranë, ashtu siç janë aktualisht? Përse, sipas jush, nuk zbatohen kërkesat e Kodit Rrugor, në ndërtimin e këtij segmenti rrugor, por i mëshohet fasada e mbjelljeve të pemëve?

– Prapë “një i çmendur gjithë vendin çmend”. Mbjelljet e pemëve buzë rrugëve dytësore janë një element pozitiv për mjedisin, ndërsa pemët mu buzë autostradave bien ndesh me Kodin Rrugor dhe VKM-në përkatëse. Kjo pasi pemët, nëse zhvillohen, mund të dëmtojnë asfaltin dhe mund të përbëjnë shkas për aksidente me jetë njerëzish. Pse nuk i mbollën përtej kanalit, tek pjesa e rrugëve dytësore? Për më tepër, pse palma? Palmat janë një specie aliene dhe jo autoktone. Dhe më qesharakja është që tenderin e zhvillon ministria e Mjedisit dhe jo ajo e infrastrukturës.

 Kontributi i Berishës është burim krenarie dhe frymëzimi, por unë nuk e përdor për kapital politik

Zoti Malltezi, një pyetje personale. Përse kundërshtarët politikë, për pjesëmarrjen tuaj politike, ju paragjykojnë si dhëndri i Berishës, ndërkohë nuk kanë sjellë asnjë argument kundër për personalitetin tuaj?

-Mungesa e argumentit i bën qesharake. Natyrisht, kontributi i Berishës është burim krenarie dhe frymëzimi, por unë nuk e përdor për kapital politik. Unë fokusohem tek argumenti dhe përvoja ime profesionale dhe akademike, ndërsa kundërshtarët mendojnë që do heqin vëmendjen e publikut nga argumentet, duke i trembur me Berishën. Por e bukura është që kjo keqqeverisje po e lartëson edhe shumë herë më tepër Berishën. E vërteta është që Berisha është kthyer në një institucion, pasi ka kontribute të jashtëzakonshme në vendosjen e demokracisë në Shqipëri dhe ka realizuar gjëra gjigande, që nuk i realizon dot më askush.

–          Faleminderit, zoti Malltezi!

 Engjëll Musai