Jamarbër Malltezi: 11 pyetjet drejtuar qeverisë për katastrofën e ndotjes së detit

418
Jamarbër Malltezi, Drejtori i Departamentit të Mjedisit, Pyjeve dhe Turizmit të PD, duke iu rikthyer katastrofës së ndotjes së detit në plazhin e Durrësit, tha se shteti u “kap” në gjumë, ndaj edhe deti dhe qytetarët e Durrësit e pësuan nga katastrofa. Gjithashtu Malltezi parashtroi edhe 11 pyetje drejtuar, qeverisë dhe jo vetëm, por edhe organeve të prokurorisë, që të zbardhin të vërtetën e katastrofës të ndotjes së detit në Durrës. 
Malltezi: Shteti u kap në gjumë
Po mbushet java që bregdeti i Durrësit është ndotur si kurrë më parë me mbetje të rrezikshme për kilometra të tëra dhe shteti bën strucin. Ky është një ndër krimet mjedisore me pasoja më të rënda afatgjata në mjedis, shëndet, peshkim dhe turizëm. Në çdo vend normal do ishte shpallur gjendja e emergjencës, fajtorët do ishin kapur dhe do ishin përballur me drejtësinë, miliona dollarë do viheshin në dispozicion të rehabilitimit mjedisor të zonës. Ndërsa në Shqipëri qeveria që “kos po ha dhe miliona euro po përlan” as nuk di të thotë kush e shkaktoi, as të thotë çfarë ndotje është, sa është sasia, sa është rrezja e ndikimit, sa e rrezikshme është ndotja, asgjë. Vetë Agjencia Kombëtare e Mjedisit deklaroi zonën shumë të ndotur dhe banorët mos prekin detin. Ministri i Bujqësisë ndërkaq njoftoi qytetarët të mos konsumojnë prodhime deti të zonës së ndotur. Ministri i Mjedisit deklaroi “Shteti ishte në gjumë” dhe për pasojë Durrësi e pësoi. Shteti është në gjumë për mjedisin, sigurinë, shëndetin dhe turizmin, por është shumë aktiv kur është puna për tenderët dhe vjedhjet në shëndetësi, mbrojtje, energjetike, ALUIZNI, etj. Ligji 8905 Për Mbrojtjen e Mjedisit Detar nga Ndotja dhe Dëmtimi kërkon marrjen e masave urgjente për njoftimin e ndotjes, dhe operacionet e pastrimit sipas Ligjit të Emergjencave Civile! PO PSE NUK SHPALLET EMERGJENCA CIVILE? Kjo pasi edhe pas një jave nga krimi ekologjik, qeveria ende nuk di të thotë asgjë, nuk di të japë përgjigje as kush, as çfarë, pse, ku, kur, sa apo si? Kjo ngjarje e rëndë është një thikë pas shpine për turizmin e Durrësit, rrezikon seriozisht mjedisin detar, por edhe shëndetin e banorëve dhe peshkimin. Në një rreze prej të paktën 15 km nuk duhen konsumuar prodhimet e detit, pasi popullsia mund të helmohet ose të marrë mbetje toksike, që mund të shfaqin sëmundje kancerogjene edhe shumë vite më pas. 
Malltezi: 11 pyetjet për qeverinë, që ka ikur në drejtimin e paditur
Kemi të paktën 11 pyetje për qeverinë, që paska ikur në drejtim të paditur:
1. Cili është burimi dhe shkaku i ndotjes?
2. Cili është ndotësi dhe sasia e ndotësit? Këto janë detyrime ligjore bazike.
3. Pse nuk zbatohen ligjet “Për Mbrojtjen e Mjedisit Detar nga Ndotja dhe Dëmtimi” dhe “Për Emergjencat Civile”?
4. A ka institucione ky shtet apo ka veç tendera?
5. A ekzistojnë në këtë vend institucione të tilla si: Agjencia e Bregdetit? Kapitaneria e Portit? Roja Bregdetare? Inspektorati Mjedisor? Agjencia Kombëtare e Ushqimit?
6. Pse paguajmë mijëra paga për punonjës dhe institucione, që kur na duhen, qenkan në gjumë?
7. Kush do na garantojë që peshqit dhe guaskat e kontaminuara nuk do përfundojnë në pjatat e shqiptarëve?
8. Kush do paguajë për të kompensuar humbjet e bizneseve turistike në bregdetin e Durrësit?
9. Kush do duhet të kompensojë peshkatarët e Durrësit, që për disa muaj nuk duhet të gjuajnë peshk?
10. Kush do paguajë, apo si do kompensojë për rastet e sëmundjeve të lëkurës, apo edhe të sëmundjeve kancerogjene, që mund të shfaqen?
11. Kush po kontrollon tokën, ajrin dhe detin në këtë vend? Kjo pasi nga toka po bëhet kontrabandë qindra miliona eurosh, nga ajri po hyjnë e dalin avionët e drogës, deti po ndotet me tonelata mbetjesh toksike dhe qeveria nuk ka asnjë përgjigje?
Durrsakët dhe shqiptarët po presin përgjigje ndaj këtyre pyetjeve qysh prej një jave. Shqiptarët dhe durrsakët nuk meritojnë një qeveri që fshihet pas jaguarëve me xhama të zinj dhe refuzon të përgjigjet për hallet e banorëve, që nuk ia kishin për borxh.
Sigal