Jakup Gjoça: Rilindja i kapi institucionet kushtetuese

470
Sigal

Në Shqipëri ka dy vjet që nuk funksionon Gjykata Kushtetuese. Pardje Gjykata e Lartë ka mbetur vetëm një anëtar, pra edhe ajo e bllokuar. Që nga janari i 2019 KLSH ka mbetur pa kryetar, pasi mazhoranca nuk voton në parlament asnjë nga kandidaturat që i propozon, sipas Kushtetutës , Presidenti i Republikës, ngaqë kandidaturat nuk janë të preferencave politike të mazhorancës. Ende nuk janë zgjedhur SPAK dhe KBH, sepse janë tejkaluar afatet kushtetuese, ngaqë mazhoranca i shtyu procedurat që të gjetur kandidaturat e saj të preferuar. Ka më shumë se 2 vjet që Shqipëria nuk ka as Prokurorin e Përgjithshëm. Dhe dje, u plotësua i gjithë kuadri i kapjes nga kryeministri i të gjitha institucioneve kushtetuese në Shqipëri me garimin me 1 kandidat për kryetarin e Akademisë së Shkencave, një kryetar partie i Aleancës elektorale të kryeministrit Rama. Akademikët e kanë votuar me 35 vota pro dhe 6 kundër, kryetarin e ri të vetmin në garë Skënder Gjinushi. Kështu i konsideron zgjedhjet kreu i qeverisë. Pa garë, pa rivalë, por sa për imazh krijohet ideja e votimit, por në të vërtetë është emërim. Është e habitshme sesi kreut të qeverisë i intereson të fusë nën yzmin e tij edhe Akademinë e Shkencave, një institucion tërësisht i pavarur. Kryeministri nuk e ka domosdoshmëri për të uzurpuar Akademinë e Shkencave. Më shumë se rënia e një Akademie, vlen të theksohet me të madhe si kambanë alarmi që nuk rresht së rëni, se po manipulohet dhe kthehet në normalitet zgjedhjet farsë, të çdo lloji. Deri më tani kryeministri është i vendosur të shkojë në zgjedhjet lokale me kandidatët e tij të vetëm që përfaqësojnë Rilindjen, ndërsa ata pak të tjerë shërbejnë si mbulesë e një gjoja zgjedhje, pavarësisht se fundi dihet, votat do shkojnë në mullirin e Rilindjes. Kryeministri Rama po kërkon të kthejë autoritarizmin dhe deri më tani ka mundur që tia arrijë në tre shtyllat kryesore të pushtetit; legjislativin, ekzekutivin dhe gjyqësorin, madje edhe ajo që njihet si “pushteti i katërt”, media, kontrollohet prej tij, sidomos televizionet kombëtare. Tashmë po i zbulohet edhe mënyra si shkon deri në uzurpimin e plotë të institucioneve. Fillimisht i përçmon, pastaj i godet dhe kur nuk u ecën edhe kjo përdor shantazhin me prerje fondesh dhe kërcënime.