Jakup Beqiri: Komuna e majtë, kryetari i djathtë

1014
Sigal

INTERVISTA/ Flet Kryetari i Komunës Kolonjë, z. Jakup Beqiri: “Reforma territoriale duhet bërë me kujdes të madh dhe të mos politizohet”   

Kryetari i komunës së Kolonjës (Lushnjë), z. Jakup Beqiri, zgjedhur në dy legjislatura, bën transparente realizimet dhe tregon përvojën e tij për menaxhimin e komunës. Fshatrat që e përbëjnë këtë komunë njihen si të bindjeve të majta, por për dy legjislatura kanë zgjedhur t’i drejtojë një individ i djathtë. Çfarë tregon kjo? Zgjedhësit votojnë për njeriun, po për partinë? Z. Jakup mendon se reforma territoriale duhet kryer, por të merren parasysh tërë faktorët që bëjnë të mundur funksionimin sa më mirë të saj dhe kjo të ndikojë në përmirësimin e jetesës së banorëve.

  -Z.Jakup. Keni dy legjislatura në krye të Komunës Kolonjë. E kanë ndjerë përmirësimin e jetesës banorët?

-Unë e kam marrë drejtimin e komunës në mars 2007. Pas një muaji, kemi mbjellë 2500 rrënjë  pisha në rrugën Kolonjë-Rrapëz. Komunën e gjeta me zyra të dala jashtë përdorimit. Kemi ndërtuar zyrat e reja të komunës, të cilat s’besoj t’i ketë ndonjë komunë në republikë. Kam asfaltuar mjaft rrugë si: Shakuj –Bishqethëm, Bishqethëm-Varrezat, Shakuj-Gorre, rruga e fshatit Lumth, e fshatit Rrapëz, e kosturlinjve, e fshatit Ardenicë, rrugët e brendshme të Kolonjës etj. Kemi ndërtuar shkollën e re të fshatit Ardenicë . U prish dhe u bë nga e para shkolla e fshatit Bitaj, e kompletuar me kondicioner, që do ta kishte zili dhe qyteti. Të gjithë fshatrat thuajse ishin pa ambulancë, kurse sot çdo fshat ka ambulancën e vet.

U bë rikonstruksioni i ujësjellësit të Gogolasit. Sot ata kanë ujin brenda në shtëpi, ndërkohë që më parë merrnin në dy çezma të fshatit. Është në përfundim ujësjellësi i Kolonjës qe kap vlerën e 700 milion lekëve të vjetra, nga buxheti i shtetit. Banorët e Kolonjës do ta kenë ujin e pijshëm në shtëpi. Përfshi këtu edhe një pus të ri shpimi që e kemi realizuar te vendburimi në Rreth-Libofshë. Është bërë rikonstruksioni i gjimnazit “Pali Dani” Gorres, i shkollës 9-vjeçare “Sila Gjini”, Rrapëz. Janë mbi 50 objekte të realizuara brenda këtyre viteve. Kuptohet që fondet nuk janë vetëm të qeverisë apo të komunës, por edhe nga donatorët si: “Gjysmë Hëna e Kuqe”, fondacioni “Mirësia” etj..

 -Ua keni bërë më të lehtë përdorimin e mjeteve nëpër parcela fermerëve?

– Kemi kryer shumë investime në rrugët e brendshme të parcelave të fshatrave që u vijnë atyre  në ndihmë për transportimin e prodhimeve. Janë pastruar të gjithë kanalet kulluese, që nga Bitaj e deri në Ardenicë. Është pastruar kolektori i madh pjesa që kalon në territorin e komunës. Kemi punuar edhe në ngritjen e urave. Eja të shikoni sot kodrat e Bitaj, Drëngës dhe Ardenicës, të cilat janë të veshura me ullinj. Janë jo më pak se 50 ha ullinj të mbjellë në tokat e fermerëve në këto  4-5 vite.

 -Institucionet fetare në komunë janë pjesë e kujdesit tuaj?

-Sigurisht. Është  ndërtuar kisha e re dhe një xhami në Kolonjë. Njerëzit kanë nevojë të shfaqin besimin e tyre në fshat, përveç  Manastirit të Ardenicës. Kemi punuar për pastrimin e rrethimin e varrezave të fshatrave. Janë ndërtuar rrugët që të çojnë në varrezat e fshatrave. Gjithashtu u shtruan rrugët e varrezave Bishqethëm, Bitajt-Kaskadë-Gorre, 7 km , me një shumë mbi 7-8 milion lekë të vjetra.

 – E keni pasur mbështetje biznesin? A janë ata tatimpagues të rregullt?   

-Unë kam krijuar marrëdhënie reciproke institucionale me biznesin. Ata i kanë shlyer detyrimet. Nga 40-50 % që e kam gjetur vjeljen e tatimeve e çuam në 100%. Fituam përvojën në përgatitjen dhe kualifikimin e stafit që do të merrej me këtë punë.

  – Cili është mendimi juaj lidhur me reformën territoriale në shkallë vendi?

– Nga të gjithë palët, në parim është rënë dakord që Shqipëria ka nevojë për një reformë administrative territoriale, sepse ne kemi jo pak komuna që kanë pak banorë, dhe me të ardhura zero. Kuptohet, me një rindarje ato vihen në eficencë më mirë. Por do të prekemi. Do të ndjehemi difiçitar edhe në buxhet. Në vitin 2014 unë do të marrë vetëm grantin kështu që të ardhurat do të tkurren. Por duke u tkurrur të ardhurat unë nuk kryej dot punime, siç i kam realizuar deri më sot. Sepse kjo punë po vete me eksperimente se edhe kështu si jemi, me bashkëpunimin e evropianëve janë realizuar. Unë jam edhe anëtar  i komisionit drejtues të Shoqatave të Komunave. Ne në bashkëpunim me Fondacionin suedez e zviceran  kemi punuar në këtë drejtim edhe me ekspertë të huaj dhe rrethin e Lushnjës ne nuk e parashikonim me ndarje drastike siç po flitet.

 -S’jeni dakord me bashkimin (zvogëlimin numerik) të komunave të Lushnjës?

-Të flasim konkretisht. Sot  kemi 14 komuna e 2 bashki. Ne kemi propozuar që numri të mos shkoj më poshtë se 7 njësi. Por në ndarjen administrative duhet në radhë të parë konsensusi politik dhe dyta duhet pasur parasysh numri i popullsisë, shpërndarja, territori dhe tradita, sepse për një komunitet duhen mbajtur parasysh edhe lidhjet tradicionale. Në ndarjen administrative duhen parë gjërat thjesht si teknicienë, pa e politizuar. Përderisa të gjithë faktorët kanë rënë  dakord që ndarja është e domosdoshme, kjo gjë duhet të bëhet. Por në radhë të parë është konsensusi.

 -Nëse do t’ju liheshin juve në dorë kompetencat, në sa komuna do ta ndanit territorin e Lushnjës?

-Duke pasur parasysh numrin e popullsisë dhe shtrirjen, traditën, sipërfaqen dhe infrastrukturën, që pushteti t’u shërbejë qytetarëve,  unë do  ta ndaja në 7 njësi: 1. Divjakë-Remas; 2. Grabian-Tërbuf; 3. Dushk-Golem; 4. Hysgjokaj-Ballagat; 5. Fier-Shegan-Allkaj; 6. Krutje-Këmishtaj; 7. Kolonjë-Bubullimë. Nuk është mirë që një komunitet ta bojkotoj ndarjen. Pavarësisht se ligji njeh dhe referendumin, në ndarjen administrative unë nuk heq dorë nga ideja e marrjes parasysh të traditës.

 -Shoqata e komunave sa njësi ka propozuar të mbeten në shkallë vendi?

-Me sa kemi dëgjuar, qeveria ka në plan të bëjë një ndarje drastike nga 308 komuna, parashikohen të mbeten jo më shumë se 80. Ne, shoqata e komunave, kemi propozuar të mbeten jo më pak se 150 komuna. Të jemi konkret dhe me këmbë në tokë. Aktualisht sot nëpër komunat shumicën e punëve i bije ta ndjek kryetari i komunës. Me zmadhimin e sipërfaqes, ky komunikim s’realizohet dot.

 -A do të hyjë një rreth te tjetri me ndarjen e re?

-Është thënë se nuk do të preken, por mund të ketë edhe pjesë që nuk do të respektohen. Ligji parashikon edhe bashkimin vullnetar, si dhe referendumin. Nuk do të jetë mirë që një vendim arbitrar te ndrydhi dëshirat e komuniteteve. Prandaj reforma duhet të bëhet me qetësi dhe sa më konsensuale, fryt i faktorëve politikë, por edhe i komuniteteve. Dikur p.sh, Libofsha ka qenë me Lushnjën. Por unë s’jam në gjendje të them mendimin e tyre.

 -Gjykoni se me këto ndryshime fermeri ynë  do të ndjehet  zot në tokën e tij?

-Parimisht ligji 7501 është bërë nga të dyja palët politike. Sot fermeri ka marrë tokën dhe ta gëzojë, i mirë apo i keq qoftë ky ligj. Shumica e fermerëve në komunën time e kanë marrë certifikatën e tokës. Këtu ka një përplasje. Kontrolli i shtetit ka nxjerrë disa probleme te vogla midis ndarjes së parë dhe azhurnimit. Janë gjetur shkelje. Sepse azhurnimi nuk ka pasur të drejt të japë tokë. Fermerët duhet të ndërgjegjësohen dhe ta marrin certifikatën.

 -Por ka edhe fermerë që janë jashtë shtetit dhe fqinji i ka hyrë në kufi?

-Po. Por ka edhe të tillë që i kishin dhënë me qira dhe janë zhdukur kufijtë.

 -Do të kandidoni sërish në zgjedhjet vendore që pasojnë?   

-Realisht nuk kam në plan të kandidojë, sepse as këtë herë s’kisha dëshirë, edhe pse kam bërë shumë gjëra. Sot s’mund të jap një përgjigje taksative. Jam nga të paktët drejtues të djathtë që marr votat e zonës së majtë për dy legjislatura.

 -Fermeri, kur bëhen zgjedhje, voton kandidatin apo partinë”?

-Kolonja është e qytetëruar. Për shembullin e komunës sonë pyetja e ka vetë përgjigjen brenda.

 -Cilat do të jenë objektivat tuaja të afërta?

-Shumë pak gjëra kanë mbetur. Grandi që do marrim për 2014 kap rreth 15 milion lekë të reja i cili ndahet 45 për qind për pagat dhe 55 për qind për investimet. Do të përfundojmë rrugët e brendshme të Kolonjës dhe do të nxisim projektet për rrugën hyrëse të Gorresë dhe nga rrethrrotullimi deri në Kolonjë. Përfshihet këtu  edhe kanali i ujërave te zeza nga lapidari i Kolonjës deri në kolektorin e madh.

 -Në një kohë që komunat e tjera qahen për rrogat, ju organizoni edhe aktivitete artistike. Si shpjegohet kjo?

-Puna dhe argëtimi i punonjësve të komunitetit duhet të shkojnë paralelisht. Nuk mund të përuronim një objekt dhe të mos organizonim një aktivitet artistik. Jo vetëm nga shkollat, por edhe nga grupi folklorik i komunës. Për këtë kemi punuar në vazhdimësi dhe kemi ngritur grupin artistik me këngë valle e humor me artistët e njohur të trevës sonë. Me këtë rast dua të falënderoj të gjithë pjesëmarrësit e grupit artistik, dhe në veçanti regjisorin Sotir Dushi, që është treguar i papërtuar dhe na kanë nderuar me shfaqjet e tyre si dhe juve që promovuat vlerat artistike të trevës. Tani ky grup është duke finalizuar në Tiranë një këngë perlë nga treva me titull “Margaritari i Myzeqesë”, për Manastirin e Ardenicës, aty ku ka vënë kurorë Skënderbeu. Kënga këndohet nga Meçan Kashari dhe Pamela Thëllipi.

-Faleminderit !

Kozma Gjini