Jakup B. Gjoça: Transparencë OJQ-ve të Reformës në Drejtësi

560
Sigal

Aurela Anastasi, konstitucionalistja që duhet të bëjë transparencën e fondeve të përfituara nga reforma në Drejtësi

 

Aurela Anastasi, si konstitucionaliste, është një nga hartueset e reformës në Drejtësi dhe të ndryshimeve të reja kushtetuese që u bënë në kuadrin ligjor të kësaj reforme. Natyrisht, që u shpërblye me shuma të majme, që kurrë nuk u bënë transparente, pavarësisht se qëllimi i reformës së re në Drejtësi, kishte parësore, pikërisht TRANSPARENCËN, kudo, në Drejtësi, në Politikë, në Financat e shtetit. Aurela Anastasi, e ka detyrim morale dhe ligjore të bëjë transparente:

  • Sa u shpërblye financiarisht ajo dhe hartuesit e reformës në drejtësi?
  • Përse ky fond mbahet deri tani sekret?

Produkti i reformës në drejtësi që hartoi dhe kontribuoi edhe konstitucionalistja Aurela Anastasi është se Shqipëria, është 2 vjet e ca pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, ende nuk janë krijuar institucionet e reja të drejtësisë, sikurse SPAK dhe BKH. Shqipëria nuk ka ende Prokurorin e Përgjithshëm të zgjedhur sipas procedurës kushtetuese. Për të gjitha këto dhe për të gjitha “PËRSE”-të, Aurela Anastasi, si konstuticionalistja që hartoi reformën në drejtësi dhe ndryshimet e reja kushtetuese heshti dhe nuk dha asnjë shpjegim kushtetues.

  • I kujt është faji?
  • I reformës në drejtësi, që u hartua si një eksperiment juridik, i pashembullt në asnjë vend të botës?
  • Është zbatimi i keq i saj nga politikëbërësit?
  • Si mundet të heshtë konstitucionalistja Aurela Anastasi, përse reforma në drejtësi ka lënë pa Gjykatë Kushtetuese 2 vjet e ca Shqipërinë?
  • Përse konstitucionalistja Aurela Anastasi heshti, përse Prokurori i Përgjithshëm u emërua me 71 vota në Parlament?
  • E kishte parashikuar Aurela Anastasi, si konstitucionaliste, që reforma e re që hartoi, do të kishte edhe një Kryeprokuror të Përkohshëm të emëruar vetëm me 71 vota nga Parlamenti? Sepse detyra e hartues-shkruesit të Reformës në drejtësi është të parashikojë produktin, por edhe pasojat. Nëse Aurela Anastasi nuk e kishte parashikuar Kryeprokuroren e Përkohshme që të qëndrojë në detyrë sa një mandat kushtetues.
  • Atëherë përse nuk jep alarmin e të thotë, që Reforma në Drejtësi që hartuan po keqzbatohet e shpërdorohet?

Aurela Anastasi e ka detyrë ligjore të shprehet, sepse është shpërblyer me shuma të majme për të hartuar pikërisht këto ligje dhe ndryshime kushtetuese që sollën këto pasoja katastrofike kushtetuese për Shqipërinë.

Mirëpo, Aurela Anastasi foli në DW para 3 ditësh dhe deklaroi me autoritetin e një konstitucionalisteje, se Gjykata Administrative mund të ketë edhe atributet e Gjykatës Kushtetuese, për sa kohë që Gjykata Kushtetuese është e vdekur… Besoj, nëse ndonjë ligjbërës gjerman e ka dëgjuar këtë broçkull juridike nga konstitucionalistja shqiptare Aurela Anastasi ende qesh dhe tallet me Shqipërinë…

Zonja Aurela Anastasi, unë si gazetar, kur pyes juristë konstitucionalistë, nëse Gjykata Adminsitrative mund të marrë edhe atributet e Gjykatës Kushtetues, më përgjigjen, se këto janë broçkulla. Që mund ta thotë këtë broçkull juridike, ministri i Rilindjes Eduard Shalsi, por edhe Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Ulsi Manja i mirëkuptoj, sepse roli i tyre në politikë është të jenë kumbarët e interesave të kryetarit të partisë që i shkruan në listat për t’u bërë deputet e ministër, jo sepse kanë merita, kontribute politike, shoqërore, intelektuale, shkencore. Por, që ju, Aurela Anastasi, të shpreheni publikisht me atributet e konstitucionalistes që hartoi reformën në drejtësi dhe ndryshimet kushtetuese, se Gjykata e Administrative merr edhe atributet kushtetuese të Gjykatës Kushtetuese, është të vajtosh.

Ma tregoni nenin e Kushtetutës së Shqipërisë, që e thotë këtë pohim tuajin, zonja Aurela Anastasi. Nëse ju do të ishit drejtuesja e provimit dhe këtë përgjigje do ta dëgjonit nga një student, edhe i vitit të parë, dua të besoj, se ai student nuk do kishte më mundësi të vazhdonte studimet për juridik.

Ju Aurela Anastasi, përse nuk folët kur KQZ-ja dhe Denar Biba morën atributet e Gjykatës Kushtetuese dhe vendosën të mos zbatojnë dekretin e Presidentit të Republikës? Ju Aurela Anastasi, si hartuese edhe e ndryshimeve kushtetuese, duhet t’i lexoni KQZ-së dhe Denar Bibës se Kushtetuta e Shqipërisë përcakton që KQZ-ja është institucion kushtetues zbatues i çdo dekreti të Presidentit të Republikës dhe nuk ka tagrin kushtetues të pezullojë, anashkalojë apo të mos zbatojë dekretin e Presidentit të Republikës, për sa kohë Gjykata Kushtetuese nuk e shfuqizon këtë dekret.

Por ju Aurela Anastasi nuk e keni merakun pse shkelet Kushtetuta e Shqipërisë, sepse si konstitucionaliste e hartuese e ndryshimeve kushtetuese, nuk hartuat ligje, reforma e Kushtetutë, që t’i shërbejë shqiptarëve, Shqipërisë, demokracisë.

Ju, Aurela Anastasi, u shpërblyet si konstitucionaliste të hartonit reformë në drejtësi, ndryshime kushtetuese të këtilla, që t’i shërbejnë NJË njeriu të vetëm që është sot në pushtet! Dhe, për të justifikuar shpërblimin e majmë që morët për këto shërbesa konstitucionale, deklaruat që Gjykata Administrative merr edhe atributet e Gjykatës Kushtetuese. Dhe, meqë jemi edhe në Krizë ekonomike, ju zonja Aurela Anastasi, si konstitucionaliste, nesër mund të deklaroni nga SHBA ku jetoni, se Shqipëria nuk ka më fonde publike që të harxhojë kot që të ketë Gjykatë Kushtetuese, derisa kemi Gjykatën Administrative. Unë nuk do të habitesha aspak.

Kështu, ju, Aurela Anastasi, si konstitucionaliste, do t’i jepnit Njëshit që ka në një dorë pushtetet në Shqipëri, argumente kushtetuese që të shkatërrojë edhe institucionin e Presidencës, meqë ne jemi Republikë Parlamentare dhe Presidenca, si institucion që ka vetëm çelësat e Kashtës, është e padobishme që të harxhojë paratë e buxhetit kot, derisa punën e saj e bën edhe Parlamenti, edhe kryeministria, pse jo, edhe KQZ-ja kur nuk ka periudha zgjedhore….