Jakup B. Gjoça: Kryebashkiaku i 21 Janarit

586
Sigal

Me vulën e KQZ-së (militante të PS-së) Agron Malaj emërohet edhe kryetar i Bashkisë së Bujqizës. Nga ky vendim i bie boja 21 janarit të 2011-s, e cila ishte kauza më e madhe politike e Rilindësit Edi Rama, për të marrë pushtetin. Agron Malaj nuk është as socialist, por as rilindës. Agron Malaj në 21 janar 2011 ishte komandanti i Grupit të Zjarrit të Gardës. Agron Malaj u akuzua zyrtarisht nga Prokuroria si gardisti që gjuajti me armë kundër protestuesve në 21 janar 2011, ku u vranë 4 protestues. Agron Malaj ishte komandanti i atij grupi të zjarrit që qëlloi mbi protestuesit. Ende deri më sot drejtësia nuk ka mundur të japë drejtësi për 4 të vrarët në protestën e Rilindësit Edi Rama kundër qeverisë së asokohe. Moralisht, Agron Malaj është bashkëfajtor për vrasjen e 4 protestuesve socialistë. Mirëpo, çuditërisht, kryeministri Rama e rilindi edhe Kryetarin e Grupit të Zjarrit të Gradës që vrau 4 protestues socialistë, duke na bindur që rilindësit urrejnë socialistët. Fillimisht, kryeministri Rama kryetarin e grupit të zjarrit të Gardës Agron Malaj e GRADON Kryetar të PS-së në Burrel, për t’u thënë socialistëve, që PS u vra në 21 janar 2011. Më vonë, kryeministri Rama Agron Malaj e emëron drejtor të OSHEE-së në Burrel dhe në 30 qershor 2019 e emëron edhe kryetar të Bashkisë në Burrel. Socialistët e gjorë, që votojnë PS-së, sepse akoma e quajnë të Majtë, mund të pyesin: Për çfarë meritash dhe kontributi e emëron kryeministri Rama kryetarin e grupit të zjarrit të Gardës që vrau 4 protestues në 21 janar 2011 kryebashkiak? Derisa drejtësia nuk ka dhënë drejtësi për 4 të vrarët protestues socialistë, Agron Malaj, të paktën moralisht është bashkëvrasës i 4 protestuesve socialistë.

  • Mos vallë, kryeministri Rama e shpërblen me poste në PS, pastaj në shtet dhe tani si kryebashkiak Agron Malaj për shërbime që i ka dhënë Edi Ramës në 21 janar 2011?
  • Mos vallë kryetari i grupit të zjarrit të Gardës në 21 janar 2011 Agron Malaj, ishte i infiltruari i Edi Ramës në Gardë dhe zjarri i armëve që vranë 4 protestues socialistë ishte …kurbani për pushtet?
  • Nëse Agron Malaj nuk ka qenë i infiltruari i Ramës në Gardë në 21 janar 2011, atëherë, përse Kryeministri Rama e shpërblen kryetarin e grupit të zjarrit të Gardës me ofiqe zyrtare, derisa akoma drejtësia nuk ka dhënë drejtësi për 4 protestuesit e vrarë?
  • Kush e ka garantuar Edi Ramën, që Agron Malaj nuk ka bashkëfajësi, qoftë edhe morale për 4 protestuesit socialistë të vrarë?
  • Nuk ka më socialistë të ndershëm e të devotshëm?

Heshtja e këtyre pyetjeve shpjegon më së miri pse dje 21 janarit 2011 i doli boja e kauzës politike të Edi Ramës…