Jakup B. GJOÇA / “Edi Rama lë betejën politike dhe vete për…shkarpa”

458
Sigal

Të enjten në Kuvend u zhvillua debati më i mprehtë i këtij viti. Miratimi i 3 reformave të kushtit të dhënies të statusit kandidat  për në BE, Shqipërisë. Ndërsa ditë-afati i miratimit të 3 reformave që lidhen drejtpërdrejt me kushtet e dhënies të statusit kandidat, po mbaron dhe gjithkush priste që politikanët tanë të ndjenin edhe më shumë përgjegjësinë, në Kuvend debati u kthye në shkëmbime të ndërsjellë batutash midis Kryeministrit dhe Kryetarit të Grupit parlamentar të PS-së. Ndërkohë, kur Kryetari i PS-së, Edi Rama po bënte -paralelisht- me debatin në Kuvend për fatin e integrimit të Shqipërisë në BE, tryezë bisedimesh për …Arsimin. E habitshme! Dhe e pabesueshme! Që Kryetari i opozitës, në ditën më të nxehtë të debatit politik në Shqipëri, që është nyja e marrjes ose jo të statusit kandidat, nuk i referohet me asnjë fjalë thelbit të debatit politik, por mbledh dhe organizon tryeza bisedimesh politike, për tema krejt të tjera. Përse Kryetari i opozitës dhe i PS-së, Edi Rama nuk bën tryeza politike që të argumentojë përse PS-ja nuk pranon që të japë votat e saj për 3 reformat e kushtit të dhënies të statusit kandidat? Përse Kryetari i PS-së, Edi Rama- paralelisht- me debatin në Kuvend- nuk organizon tryeza politike edhe me faktorët ndërkombëtarë që janë në Shqipëri dhe të argumentojë përse 3 reformat që presin votën e PS-së, nuk kanë vlerë për gjithë shqiptarët e Shqipërinë, po nuk u zgjidh çështja e Qarkut të Fierit? Sepse PS-ja me politikën e kundërshtimit të saj, për Qarkun e Fierit, nuk është bërë e kuptueshme as në opinionin tonë, por as te faktori ndërkombëtar. Çështja e Arsimit, që zgjodhi si kryetemë të tryezës politike, Kryetari i PS-së Edi Rama, nuk është as aktuale dhe as kaq e rëndësishme, sesa zgjidhja e ngërçit të kushteve të statusit kandidat. Të paktën për shqiptarët. Mos vallë, Kryetari i PS-së, do të demonstrojë me anashkalimet politike, se kryesorja në axhendën e PS-së janë temat e fushatës zgjedhore dhe fare pak interesohet për reformat e integrimit?  Pastaj, përse këtë temë të Arsimit, Edi Rama ta konsumonte jo vetëm  ditën e enjte- ditën që Kuvendi debatonte për 3 reformat e kushtit të statusit- por edhe dy ditë më vonë, në Korçë? E thënë, më shkoqur, me gjuhën e popullit, Edi Rama, duke organizuar tryeza politike për tema që nuk kanë aktualitetin dhe rëndësinë për integrimin, do të thotë që lë, braktis betejat politike për të mbledhë…shkarpa. Përse Edi Rama nuk vajti në Bruksel, të nesërmen e ditës së enjte, kur PS-ja, sërish nuk e dha konsensusin e saj për 3 reformat e kushtit të statusit dhe të argumentonte në Bruksel, përse për Shqipërinë dhe shqiptarët, por edhe për vetë BE-në, nuk kanë më rëndësi votat për reformat që shkruhen në letër, derisa qeveria nuk zbaton vendimet e gjyqësorit? Edi Rama, kësisoj, shumë herë i ka lënë deputetët e PS-së, të pandihmë, në baltë, duke bredhë nëpër Europë, në ditët që në Kuvend diskutohen reformat më të rëndësishme. Tjetër peshe fjale ka Gramoz Ruçi në Kuvend dhe tjetër peshë fjale për opinionin ka lufta politike që duhet të japë Kryetari i PS-së. Kësisoj, Edi Rama,  duke mos mbrojtur qëndimin partiak të grupit parlamentar të PS-së në Kuvend, por duke u marrë me….shkarpa, i ka braktisur ata, por  kërkon të braktisë edhe përgjegjësinë politike nga vetvetja. Jam i bindur, se Edi Rama, në minutën e fundit, do të japë urdhër deputetëve të PS-së, që të votojnë pa kushte tre reformat. Edi Rama është sjellë kështu  dhe sa herë i ka urdhëruar  deputetët e vet, të cilët, ndonëse për një kohë të gjatë mbajnë qëndrim politik të paracaktuar nga Edi Rama, në fund votojnë, kryekëput, në të kundërtën e politikës që kanë mbrojtur, debatuat me kaq vullnet në parlament. Dhe këto kthesa 180 gradëshe të Edi Ramës, përveç mungesës së strategjive politike, dëshmojnë, se Edi Rama do t’ju japë të kuptojnë- më shumë në PS- që për gjithçka, vendos vetëm Edi Rama, sikundër të dojë ai, pa marrë mendimin e askujt, pavarësisht nga çdo kosto politike për PS-në!