Ja si u zhdukën 3 miliardë euro nga tenderët e infrastrukturës

520
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Dhjetëra tenderë dhe koncesione të rrugëve “hëngrën” 3 miliardë euro borxhe

Ndërkohë që për faj infrastrukturës së keqe çdo ditë ndodhin dhjetëra aksidente vdekjeprurëse…

Çdo ditë ndodhin në të gjitha akset rrugore kombëtare dhe rrugët e dyta dhjetëra aksidente vdekjeprurëse, ku shkaku kryesor është mungesa e sigurisë rrugore të infrastrukturës tonë. Ndërkohë që nga për ndërtimin e rrugëve janë shpenzuar miliarda euro, këto të marra borxh nga qeveritë. Ndodh, që rrugët përurohen, por ato janë gjysmake, të papërfunduara, madje për vite të tëra të braktisura dhe më keq. Edhe pse janë shpenzuar qindra milionë euro, pasi presin shiritat e inaugurimit, askush nuk përkujdesohet për mirëmbajtje, për pasojë, rrugët e reja degradohen me kalimin e viteve. Shembulli më tipik është Rruga e Kombi dhe rruga Tiranë – Elbasan, ku qeveria aktuale e Rilindjes në 5 vite nuk ka bërë asgjë, as për mirëmbajtjen e tyre.

Qershia mbi tortë: Hua 16 milionë dollarë për riparimin e rrugës së papërfunduar

Ndonëse janë harxhuar fondet e parashikuara në tender dhe koncesion për përfundimin e rrugës Tiranë – Elbasan, akoma, që nga 2013-ta kur u inaugurua hapja e tuneleve të Kërrabës kjo rrugë jo vetëm që nuk ka përfunduar, por përkundrazi, qeveria pardje me VKM vendosi të marrë 16 mln dollarë borxh, për riparimin e një rruge të papërfunduar. Qeveria shqiptare ka miratuar para 3 ditësh me VKM, marrëveshjen e huasë për riparimet emergjente të rrugës Tiranë-Elbasan. Sipas VKM-së së publikuar sot, qeveria shqiptare do të marrë 16 milionë dollarë borxh, për të investuar në riparimin e këtij aksi rrugor. Këtë hua qeveria do ta marrë nga Fondi OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar (OFID), ndërsa bëhet fjalë për rehabilitimin e aksit rrugor, në dalje të tunelit, ku një masiv shkëmbor është shembur prej disa kohësh.

Rritja e borxhit në 2.3 miliardë euro

Të dhënat e fundit zyrtare nga Ministria e Financave, tregojnë se në fund të tremujorit të parë të vitit, borxhi publik arriti në 8.3 miliardë euro duke qenë mbi 2 herë më i lartë se sa buxheti i shtetit. Sipas statistikave të Financave, vetëm në tre muajt e parë të vitit borxhi publik është rritur me 200 milionë euro, ndërsa në raport me fundin e 2016-ës, ai është shtuar me me mbi gjysmë miliardi euro. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, krahasuar me vitin 2013 borxhi publik është rritur me 2 miliardë euro, si rezultat i huamarrjes rekord veçanërisht në vitet 2013-2015. Në vitin 2014, kur qeveria nënshkroi marrëveshjen me FMN-në, u ra dakord për një program të detajuar për uljen e borxhit dhe rikthimin e tij në 60 për qind e prodhimit kombëtar brenda vitit 2018.

 3 miliardë euro për infrastrukturën

Qeveritë shqiptare në këto tre dekada të tranzicionit kanë shpenzuar 3 miliardë euro të marra borxh për të përmirësuar infrastrukturën rrugore, të ujit dhe energjisë. Një raport i Ministrisë së Financave tregon se huatë e disbursuara ndër vite në fund të gjashtëmujorit 2018 kanë arritur vlerën e 5.8 miliardë eurove, prej të cilave 3 miliardë kanë shkuar për investime në infrastrukturë dhe 2.1 miliardë euro të tjera janë dhënë direkt, si mbështetje për buxhetin. Disa prej këtyre huave janë shlyer tashmë, pasi stoku i borxhit të jashtëm është rreth 3.7 miliardë euro. Financimin më të madh me borxh të jashtëm e ka marrë buxheti i shtetit me rreth 2.1 miliardë euro. Financimet janë dhënë në formën e mbështetjes buxhetore për të përballuar shpenzime që nuk mbuloheshin më të ardhura. Vetëm sektori i transportit rrugor ka marrë rreth 1.4 miliardë euro financime nga jashtë, pjesa më e madhe e tyre ka marrë për ndërtimin e rrugës Kombit, asaj Tiranë- Elbasan, dhe disa projekteve të tjera në rrugë nacionale të vendit. Huamarrësi i tretë më i madhe është sektori i energjisë me 14 për qind të totalit të borxhit ose 830 milionë euro. Huatë e dhëna për zhvillimin infrastrukturor dhe strukturor të sektorit, duket se nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme. Nga kjo shumë 80 milionë euro janë marrë për ndërtimin e TEC-Vlorës i cili ka rezultuar difektoz dhe nuk është vënë asnjë ditë në punë. Rreth 40 milionë euro borxh i jashtëm është investuara në linjën e Transmetimit të energjisë, Shqipëri -Kosovë, e cila gjithashtu nuk është vënë asnjë ditë në punë edhe pse ka gati tre vite që ka përfunduar. Sipas zhvillimeve të deritanishme, linja e transmetimit të energjisë, Shqipëri – Kosovë, është çështje e komplikuar teknike dhe politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila nuk po zgjidhet as me ndërhyrjen e institucioneve evropiane rregullatorë të energjisë. Sektori i ujit i pijshëm është i katërti për nga volumi i financimeve më borxh të jashtëm me rreth 380 milionë euro, por kjo nuk ka ndihmuar që vendi të furnizohet me ujë të rrjedhshëm 24 orë. Madje një studim i fundit i Ministrisë së Infrastrukturës shtron nevojën se infrastruktura e ujit të pijshëm dhe kanalizimeve të ujerave të zeza në qytetet bregdetare të vendit nga Velipoja, Durrësi, Lezha, Divjaka, Vlora, Himara, Saranda kërkon së paku 480 milionë euro investime për t’u kthyer në normalitet. Në këtë shumë 127,8 milionë euro nevojiten për infrastrukturën e ujit të pijshëm dhe 352 milionë euro për rehabilitimin e ujërave të ndotura.