Ja si i marrin milionat të afërmit e ministrave

449
Sigal

Ashtu si dhe në qeverisjen e mëparshme, emërohen njerëz të besuar në 4-5 borde e marrin disa herë më shumë se paga shtetërore

Miliona lekë me statusin e anëtarit të bordit sigurojnë familjarë, të afërm apo njerëz të besuar të ministrave funksionarëve të lartë, ndërkohë, që qindra intelektualë të shquar të fushave të ndryshme nuk afrohen për punësim. Referuar vendimeve përkatëse të muajve të fundit, ashtu si dhe në praktikën e qeverisjeve të para, konstaton se njerëz të afërt të ministrave, familjarë të tyre apo të besuar janë emëruar anëtarë të bordeve, duke siguruar të ardhme të muajve nga taksapaguesit, përveç funksioneve të tjera shtetërore që ata kryejnë. Në këto borde, referuar emrave të publikuar apo që janë ende në ‘hije’ (paratë i marrin), konstatohet se në këto borde ka dhe zëvendësministra të qeverisë aktuale, drejtorë drejtorish, shefa sektorësh nëpër ministri, titullarë (dhe zëvendës) të institucioneve të rëndësishme të vendit, deri dhe drejtues të medieve që njihen si përkrahës të ministrave. “Është e njëjta praktikë ashtu si në qeverisjen e para vitit 2005 të socialistëve, si ajo në qeverisjen e së djathtës dhe qeverisjes aktuale ku një funksionar i lartë (rang zëvendësministri), ishte anëtar në 5 borde! Nga ky fakt, të ardhurat që ai merrte si shpërblim, shkonin disa herë më shumë se sa paga e tij mujore. Për më tepër, ky funksionar i lartë, i merrte paratë si anëtar bordi, pikërisht dhe në institucione në vartësi të ministrisë së linjës, pra ku ai ligjërisht duhet të kontrollonte, duke pasur dhe konflikt të hapur interesi”- konfirmojnë burimet për “Telegraf”.

BORDET SI SHPËRBLIM

Nuk bëhet fjalë nëse duhet të funksionojnë kaq shumë borde, apo nëse pagesa për çdo anëtar të bordit (se ka shpërblime dhe për prezencë në një mbledhje emërtese të një institucioni) është e madhe, por tek praktika që ndiqet në emërimin e anëtarëve të këtyre bordeve. Gazeta “Telegraf” ka mundur që deri tani, të konsultohet e të verifikoj përbërjet në disa borde. Paraprakisht, referuar emrave e funksioneve që këta të emëruar në borde kryejnë si funksionar shteti, rezulton se janë të afërm të ministrave (ose të atyre që kanë të drejtë të firmosin apo propozojnë përbërjen e bordeve), njerëz me lidhje shoqërore, apo miqësore me qeveritarë. Kjo në të shumtën e rasteve të verifikuara deri tani. Ky kontingjent i të besuarish, të emëruar mbi kriteret e sapo përmendura(se nuk kemi dëgjuar publikisht të zhvillohen konkurse apo përzgjedhje mbi merita për anëtarët e këtyre bordeve), merr miliona në institucioneve, që në fund të fundit janë paratë e taksapaguesve shqiptarë. Borde me shumë anëtarë ka në institucionet shtetërore, në Aeroport, CEC, OST, universitete, mediat shtetërore e në gjithë sh.a. Në një farë mënyre, emërimi i njerëzve të ministrave në këto borde, të besuarve të tyre apo të tjerëve si shpërblim në fushata elektorale, ka krijuar një rreth vicioz, ku jo vetëm shkojnë miliona lekë të shtetit në destinacion efektiv, por zbehet ndjeshëm dhe forca e ligjit, ajo e kontrollit që duhet të ushtroj administrata shtetërore (drejtues të saj janë anëtarë të bordeve) në institucione vartës apo sh.a, që përveç të tjerave, duhet të kenë transparencë të plotë e të kontrolluar aktiviteti financiar, pasi janë taksapagues të shtetit.

PASOJAT QË RRJEDHIN

Por pasojat e ‘privatizimit’ apo përdorimit të bordeve, përveçse bëjnë milionerë njerëz të pushtetit, kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në fuqizimin e institucioneve shtetërore që kontrollohen nga shteti. Kjo për faktin se të besuarit e ministrave në rolet e anëtarëve të bordit, duke qenë se marrin para pikërisht në ato sh.a  apo ndërmarrje që institucioni ku ata kanë funksione shtetërore duhet të kontrolloj. Por ai ‘familjarizohet, i mbyllet goja, pasi për një, dy apo tri mbledhje, ka marr miliona lekë si anëtar i bordit që institucioni i tij duhet të kontrolloj. Pra, bëhen milionerë si anëtarë bordi, heshtin për shkelje apo abuzime, pasi u është zënë goja! Kohë më parë, referuar dokumenteve zyrtare, gazeta “Telegraf” e medie të tjera më pas, denoncuan miliona euro të zhdukura në Portin Detar të Durrësit, një nga objektet potenciale tatim-paguese. Dhe institucione të shtetit e verifikuan me kontrollet e tyre, por asnjë përgjegjës nuk ka për këto para të taksapaguesve që nuk dihet se ku kanë shkuar. A kishte anëtarë bordi në Portin Detar të Durrësit!? Sigurisht që kishte, por ata tashmë janë harruar apo janë zëvendësuar me të tjerë. Në këtë mënyrë, këtë praktikë abuzime, e vuajnë qytetarët, ekonomia e vendit.

PARADOKSE TË TJERA

Edhe pse me një analizë jo të plotë, del se përdorimi i bordeve në formën e shpërblimit nga ministrat e funksionarë të tjerë të lartë, ka dhe efekte të tjera të dëmshme. Kështu, në këto borde, anashkalohen konkurse apo përzgjedhje personale, duke u mbyllur ‘derën’ njerëz të aftë që kanë dije e kulturë dhe që mund të japin në sektorët, ku qeveria emëron borde. “Ka me dhjetëra shkencëtarë të njohur të fushave të ndryshme, pedagogë të njohur që i kanë dhënë shkencës e mësimdhënies, por ato nuk afrohen në këto borde. Shikoni, në këto borde, si në qeverinë që shkoi dhe në atë që është sot, janë emëruar njerëz të afërm, me ministrat, tarafi i tyre apo të besuar. Kjo sjellë shumë dëme si në konsolidimin e shtetit, po ashtu dhe në ekonominë e vendit”- pohon një personalitet i shkencave mjekësore për “Telegraf”. Siç përmendëm dhe në fillim, në redaksinë e gazetës kanë ardhur disa dokumente zyrtare që nxjerrin ‘zbuluar’ ministrat lidhur me personat e emëruar në borde. Në të ardhmen, shumë nga këto dokumente (dhe të tjera), do të bëhen publike.