Ja shkeljet kushtetuese në buxhetin qeveritar të 2013-s

47

INTERVISTA/Arben Malaj, ish-ministër i Financave dhe Ekonomisë: “Qeveria, buxhetin e 2013-s e përdor  për keqpërdorim elektoral të buxhetit”

Buxheti i 2013-s u miratua vetëm me votat e maxhorancës dhe në ‘të nuk u reflektuan kritikat e shumta nga maxhoranca. Deputeti i PS-së, Arben Malaj, ish-ministër i Financave dhe i Ekonomisë, në intervistën për “Telegraf” analizon dhe gjykon se në draft-buxhetin e 2013-s ka shkelje të Kushtetutës dhe se ky buxhet do të (keq)përdoret  nga qeveria për fushatën e saj elektorale.

– Zoti Malaj, në këto kushte të vështira të krizës ekonomike, debati rreth cilave tematikave duhet  të përmbahet?

– Në kushtet e krizës aktuale ka debate për parimet, rregullat dhe strategjitë për ndalimin e rënies ekonomike, për rikthimin e rritjes ekonomike dhe stabilitetin e financave publike, për efektet e kostove të borxheve të rritura mbi zhvillimet ekonomike e sociale dhe mbi brezat e ardhshëm. Në çdo vend diskutimet për buxhetin e shtetit përmbajnë shumë debate publike mbi  strukturën dhe nivelin e taksimit, përbërjen dhe prioritetin e shpenzimeve buxhetore, mbi niveli i deficitit, mbi madhësinë dhe strukturën e borxhit publik dhe kostove të tyre.

– Ju keni bërë  fjalë që qeveria në buxhetin e 2013-s po shkel Kushtetutën. Mund të na përmendi në cilat elementë shkelet Kushtetuta?

 – Në draft-buxhetin e vitit 2013 konstatohen shkelje të Kushtetutës në ndarjen dhe kontrollin e pushteteve në tre elementë konkretë. Së pari, në përdorimin me vendim qeverie të të ardhurave nga privatizimi; së dyti, në ndryshimin me vendim qeverie të nivelit të deficitit dhe kufirit të huamarrjes; së treti, në mospërfshirjen në borxhin publik të garancive që mund të lëshojë qeveria për kreditë / borxhet e KESH-it. Në nenin 9 të këtij ligji qeveria synon të përligjë ndryshimin e buxhetit pa miratimin e Parlamentit, duke synuar të përdorë të ardhurat nga privatizimi me vendim dhe jo me ligj. Qeveria kërkon të ndryshojë (automatikisht?!) me vendim të saj nivelin e deficitit, një tregues rreptësishtë i kontrolluar dhe autorizuar nga Parlamenti. Në nenin 18 qeveria kërkon të mos përfshijë në borxhin publik garancitë që mund të lëshojë për importin e energjisë.

 – Cili është argumenti juaj për të vërtetuar shkeljet e Kushtetutës në buxhetin e 2013-s?

– Më konkretisht, në paragrafin e fundit të nenit 9 shkruhet: “Të ardhurat nga privatizimi mbi shumën e parashikuar në këtë buxhet përdoren me vendim të Këshillit të Ministrave për rritjen e kufirit të shpenzimeve kapitale dhe/ose uljen e huamarrjes, e cila, automatikisht, rrit kufirin e deficitit të Buxhetit të Shtetit, të përcaktuar në nenet 1 dhe 2 të këtij ligji. Po të mbajmë parasysh faktin, që qeveria ka përfshirë në buxhetin e vitit 2013 vetëm 500 milionë lekë, po të mbajmë parasysh, që qeveria pretendon të arkëtojë nga “Albpetrol”-i 850 milionë euro, ose rreth 115 miliardë lekë dhe rreth 100-150 milionë euro, ose rreth 13-19 miliardë lekë nga 4 hidrocentralet, totali i të ardhurave potenciale, sipas vetë qeverisë, mund të jetë rreth 130 miliardë lekë, të cilat ajo po kërkon t’i përdorë jashtë kontrollit parlamentar, t’i përdorë me vendim qeverie,.

– Bëhet fjalë për shumën që pretendohet të arkëtohet nga privatizimi?

– Debati nuk ka të bëjë me madhësinë e shumës që pritet të arkëtohet, por me parimin e rëndësishëm të mos anashkalimit të Parlamentit në ndryshimet buxhetore gjatë implementimit të tij.

 – Përse sipas jush, qeveria nuk ka të drejtën të vendosë  rritjen e nivelit të deficitit me vendim të KM-së?

– Për një qeveri të përgjegjshme, ligjërisht dhe teknikisht kjo nuk është e mundur, pasi Shqipëria nuk mund të rrisë deficitin e saj me 130 miliardë lekë ose 70 miliardë lekë (50% e të ardhurave nga privatizimi), pasi niveli i deficitit do të shkonte nga 10-14% e PBB-së. Vendosmëria e qeverisë për ta përligjur shkeljen e Kushtetutës është provë e papërgjegjshmërisë së përsëritur të saj në vitet elektorale në menaxhimin e financave publike. Qeveria kërkon të “përligjë” rritjen ose uljen automatikisht të kufirit të deficitit me vendim të Këshillit të Ministrave. Teknikisht, niveli i deficitit nuk ulet nga rritja e të ardhurave të privatizimit, pasi këto të ardhura kanë vite që klasifikohen/përdoren si burime financimi; ato përfshihen në pasqyrën e konsoliduar fiskale në pjesën e financimit të deficitit dhe jo në pjesën e të ardhurave të qeverisë. Ky riklasifikim buxhetor i të ardhurave nga privatizimi është bërë ngaFMN-ja pikërisht për të kufizuar keqpërdorimin e tyre në periudha afatshkurtra.

– Si ministër i Financave dhe i Ekonomisë, ju si keni vepruar?

– Gjatë viteve 1997-2005, qeveritë socialiste e ka respektuar ndryshimin e buxhetit vetëm me ligj si dhe përdorimin e jo më pak se 50% të të ardhurave nga privatizimi për uljen e borxhit publik.

 – Në ligjin buxhetor për çfarë mund të vendoset kufiri dhe cili është qëndrimi i qeverisë?

– Çdo argumentim i sforcuar i qeverisë se do ta përdorë këtë garanci vetëm për import energjie, nuk e përligj shkeljen e këtij detyrimi kushtetues. Ligji nr. 9936, datë 26.6.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë” në nenin 58 kërkon që në ligjin e buxhetit vjetor të vendoset kufiri për: a) borxhin e ri shtetëror, për t’u marrë në vitin buxhetor; b) totalin e borxhit shtetëror; c) garancitë e reja për t’u lëshuar gjatë vitit buxhetor; ç) totalin e shumës së garancive. Në këtë nen shkruhej se Borxhi total publik, përfshirë garancitë, nuk duhet të tejkalojë limitin 60 për qind të PBB-së. Pavarësisht se kufiri 60% i PBB-së u hoq, qëndron koncepti bazë se në borxhin total publik përfshihen garancitë. Neni 18 nëpërmjet dhënies së autorizimit të qeverisë për të garantuar KESH-in për blerjen e energjisë elektrike, në fakt, në përputhje me nenet 419 e në vijim të Kodit Civil, është një formë e pastër e detyrimit kontraktor, i cili përbën detyrim me forcën e ligjit për palën që garanton dhe për palën e cila përfiton nga ky garantim. Qeveria duhet të rishkruajë dhe mbikëqyrë rregullat e huamarrjes dhe lëshimit të garancive nga kompanitë publike ku shteti shqiptar është aksioner, sepse përkeqësimi i situatës së tyre financiare rëndon direkt ose indirekt, menjëherë apo në një kohë të dytë, buxhetin dhe taksapaguesit. Kjo situatë kërkon rregulla strikte, më te qarta dhe kontroll më të plotë sidomos për kompani publike që veprojnë në monopole natyrore, siç është prodhimi, transmetimi, shpërndarja e energjisë dhe e ujit. Kërkesa për përfshirjen e garancive në nivelin e borxhit publik është profesionalisht e argumentuar dhe politikisht e përgjegjshme. PS-ja nuk synon të bllokojë importin e energjisë gjatë kohës kur Parlamenti mund të jetë i shpërndarë. Qeveria për raste emergjente përdor aktin normativ i cili miratohet në Parlament. Qeveria mund të rrisë kontigjencën për shumën që e konsideron kritike. Në rast se shuma që mund të kërkohet si garanci mund të jetë më e lartë dhe risku potencial për rritjen e deficitit dhe borxhit publik është i lartë, kostoja e krizës së energjisë nuk mund të përballohet vetëm duke rritur borxhin, por duke marrë një sërë masash të tjera, përfshirë reduktimin e disa shpenzimeve. Respektimi strikt i Kushtetutës në menaxhimin e financave publike e lehtëson funksionimin e shtetit ligjor. Qartësimi i rregullave fiskale, plotësimi i tyre, përcaktimi i kritereve të rrepta bazuar në disa parime të qarta të menaxhimit efikas të financave publike, mbron vendin nga kriza ekonomike dhe politike.

 – Në kushtet e krizës ekonomike, a nuk bëhen edhe ndërhyrje kushtetuese, për të përshtatur ekonominë me rrethanat konkrete?

Në kushtet e krizës së keqqeverisjes dhe borxheve të rritura tani më shume se kurrë të gjitha vendet po i përmirësojnë dhe po i bëjnë më të qarta parimet dhe rregullat e menaxhimit të financave publike duke bërë ndërhyrje deri edhe në kushtetute. Ndërsa qeveria “Berisha” me këto shkelje të Kushtetutës në draft-buxhetin e vitit 2013 vrapon në kah të kundërt, tenton shkelje të saj për keqpërdorim elektoral të buxhetit.

–  Kush ka të drejtën të përcaktojë  marrjen e huajve, kredive dhe limitet?

– Elementi i dytë jokushtetues konstatohet në nenin 18, paragrafi i fundit, ku theksohet se “Përjashtohen nga kufijtë e mësipërm garancitë që mund të jepen për sigurimin e furnizimit me energji elektrike. Autorizohet Këshilli i Ministrave që në këto raste të japë garanci përtej limiteve të parashikuara më sipër”. Kushtetuta, në pjesën e trembëdhjetë, “Financat Publike, neni 156 qartëson se “Shteti mund të marrë e të garantojë hua dhe kredi financiare, kur autorizohet me ligj”. Kushtetuta e përcakton qartë që të drejtën për të autorizuar marrje huaje, kredi dhe për të lëshuar garanci, e ka vetëm Kuvendi. Ai përcakton kufijtë maksimalë për çdo vit buxhetor.  Nëse për çdo arsye ky kufi duhet të rritet, kjo bëhet vetëm me ligj duke bërë ndryshimet e domosdoshme në ligjin e buxhetit vjetor. Ky është element i kontrollit të Parlamentit.

– Faleminderit!