Ja rekomandimet e Komisionit të Venecias, për draftet e reformës në drejtësi

617
Komisioni i Venecias, ka diskutuar draftet që kanë paraqitur mazhoranca ( e hartuar nga ekspertët e Komisionit Parlamentar për reformën në drejtësi dhe draftin e opozitës) dhe në vlerësimin e saj thotë se kjo reformë duhet urgjentisht për Shqipërinë dhe gjendja kritike e sistemit justifikon zgjidhje radikale. Komisioni i Venecias miratoi draftin paraprak të opinionit mbi reformën në drejtësi, duke nxitur palët të punojnë në hartimin e një projekti konkret me propozimet dhe shqetësimet e ngritura. Në dokumentin prej 30 faqesh, Komisioni i Venecias thotë se opinionet janë paraprake dhe fokusuar në disa pika më kritike të reformës, ndërkohë një mendim i plotë Shqipërisë do t’i jepet në muajin mars të vitit 2016. Presidenti i këtij komisioni, Buquiçhio i bëri thirrje partive politike që palët të ndjekin atë rrugë të miratimit të paketës ligjore për dekriminalizimin. Burime nga mbledhja thanë gazetën “Telegraf”, se në janar një tjetër grup ekspertësh pritet të vijnë në Tiranë për të diskutuar me autoritetet e larta të vendit, ndërsa në shkurt ky komision deklaron se pret nga Shqipëria të sjellë një draft të ripunuar. 
Vlerësimet e Komisionit të Venecias për draftin e ekspertëve
Komisioni i Venecias nuk ka dhënë pëlqimin për krijimin e një sërë insisticionesh të reja, që parashikohen në draftin e ekspertëve shqiptarë e të huaj. Venecia, rekomandon uljen e numrit të këtyre institucioneve dhe tërheq vëmendjen për rrezikun e një klime mosbesimi që mund të krijojnë. Komisioni i Venecias do të miratojë në mars opinionin final për reformën në Drejtësi. “Këto organe të reja parashikohen të kontrollojnë njëra tjetrën. Por kjo skemë e komplikuar institucionale mund të ketë një pasojë të paqëllimshme: të krijojë një klimë mosbesimi, e cila rrezikon të ndikojë në vlerësimin publik të gjyqësorit, që është mjaft i ulët”. Në dokument thuhet se, “të gjitha rregullimet institucionale duhet të rishikohen dhe të thjeshtohen, për shembull, duke lënë idenë e krijimit të një Inspektorati të veçantë”. Ndryshimet kushtetuese, sidomos mbi procesin e verifikimit, duhet të caktojnë vetëm parimet më të rëndësishme, duke i lënë detajet për legjislacionin zbatues. Komisioni i Venecias rekomandon që të qartësohet se, kush vendos mbi masat disiplinore ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Vendimet e kësaj gjykate duhet të kenë përgjithësisht një fuqi detyruese dhe Gjykata Kushtetuese duhet të mbajë kompetencën për të rishikuar, të paktën, procedurën e ndryshimeve kushtetuese. Në dokument theksohet se, roli i ministrit të Drejtësisë në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë dhe në Këshillin e Lartë Gjyqësor duhet të rishikohet, në mënyrë që të shmangë konfliktin e mundshëm të interesit. Në përgjithësi, rregullimet institucionale duhet të rishqyrtohen për të hequr konfliktin e mundshëm të interesit. Ministri i Drejtësisë nuk duhet të ketë karrige në Gjykatën Disiplinore. Në opinionin e Komisionit të Venecias thuhet se, Kushtetuta duhet të caktojë parimet e përgjithshme, duke drejtuar procesin e emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si përzgjedhje e bazuar mbi merita, thirrje të hapura për kandidatët, procedura transparente të përzgjedhjes, mori kandidaturash, etj. Referenca e propozuar në Kushtetutë mbi përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve ka nevojë për sqarime të mëtejshme. Kushtetuta duhet të qartësojë marrëdhënien ndërmjet Strukturës së prokurorëve specialë Antikorrupsion dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Duhet të vendoset një mekanizëm kundër bllokimit për zgjedhjen e prokurorit të Përgjithshëm. Përbërja e komisioneve të pavarura të kualifikimit dhe statusi i anëtarëve të tyre duhet të garantojë paanshmërinë dhe pavarësinë e vërtetë. Gjyqtarët dhe prokurorët, që i nënshtrohen verifikimit, duhet të gëzojnë garancitë themelore për gjykim të drejtë dhe duhet të kenë të drejtën e ankimit te një organ i pavarur. Duhet të përcaktohen statusi dhe kushtet e emërimit dhe shkarkimit për vëzhguesit ndërkombëtarë. Kompetencat e tyre duhet të përshkruhen më me saktësi dhe të zhvillohen më tej me legjislacionin zbatues, thuhet në draftin e Komisionit të Venecias.
Rekomandimet e Komisionit të Venecias për draftet e Reformës në Drejtësi
Komisioni evidenton një problem me mandatet e organeve ekzistuese dhe atyre të reja që do të ngrihen.
Të gjithë marrëveshjet institucionale duhet të rishikohen dhe të thjeshtëzohen (për shembull, duke hequr dorë nga ideja e krijimit të një Inspektorati të veçantë); amendamentet kushtetuese (sidomos në procesin e verifikimit) duhet të përcaktojë vetëm parimet më të rëndësishme, duke i lënë detajet me legjislacionin zbatues;
• Është e rekomanduar për të sqaruar se kush duhet te vendose për masat disiplinore ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese; Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të kenë një fuqi detyruese të përgjithshme dhe Gjykata Kushtetuese duhet të mbajnë pushtetin për të shqyrtuar të paktën procedurën e ndryshimeve kushtetuese;
• Roli i Ministrit të Drejtësisë në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor duhet të rikonsiderohet me qëllim për të shmangur konfliktet e mundshme të interesit; në përgjithësi, marrëveshjet institucionale duhet të rishikohen në mënyrë për të hequr konfliktet e mundshme të interesave; Ministri i Drejtësisë nuk duhet të ulen në Tribunalin Disiplinor;
• Kushtetuta duhet të përcaktojë parimet e përgjithshme që qeverisin procesin e emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve (përzgjedhje e bazuar në meritë, thirrje e hapur për kandidatët, përzgjedhja me procedure transparente, pluralizmin e kandidatëve, etj); referenca e propozuar në Kushtetutë për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve ka nevojë për sqarim të mëtejshëm;
Po ashtu Venecia nuk i ka dhënë bekimin ndërprerjes së mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm si dhe kërkon gjetjen e një mekanizmi kundër bllokimit të zgjedhjes së tij.
“Emërimi duhet të votohet nga 3/5 e Kuvendit, nuk ka asnjë mekanizëm anti-bllokimi nëse kjo shumicë nuk arrihet”
“Mandati i Prokurorit të Përgjithshëm, nuk duhet domosdoshmërisht të ndërpritet, me hyrjen ne fuqi të reformës. Qëndrimi i tij deri në fund të mandatit, është i pranueshëm”. Duhet gjetur një mekanizëm kundër bllokimit për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, ky i fundit nuk duhet të ulet në Tribunalin Disiplinor”.
• Kushtetuta duhet të qartësojë marrëdhëniet mes prokurorëve të veçantë anti-korrupsion dhe Prokurorit të Përgjithshëm;
• Një mekanizëm anti-bllokim për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm duhet të vihet në vend; Prokurori i Përgjithshëm nuk duhet të ulet në Tribunalin Disiplinor;
• Përbërja e Komisioneve të Pavarur dhe statusi i anëtarëve të saj duhet të garantojnë pavarësinë e tij të vërtetë dhe të paanshëm;
“Krijimi i organeve të reja kushtetuese nuk do të përfundojë automatikisht mandatin e organeve ekzistues dhe ka për qëllim reduktimin e lirisë e zgjedhjes së organeve kushtetuese të përfshira në procesin e emërimit. Përbërja e tyre duhet të shqyrtohet më nga afër për të shmangur influencën” nënvizon Venecia. 
Në lidhje me Gjykatën Kushtetuese, Komisioni i Venecias, rekomandon që të qartësohet se kush vendos mbi masat disiplinore ndaj gjyqtarëve të këtij institucioni. Vendimet e Kushtetueses duhet të kenë përgjithësisht një fuqi detyruese.
“Do të ishte e mundur për t’i dhënë Gjykatës Kushtetuese, së paku fuqinë për të verifikuar procedurën, në të cilën ndryshimet kushtetuese janë miratuar”.
Gjithashtu Komisioni i Venecias, përshëndet fuqizimin e Gjykatës së Lartë, por kërkon që të qartësohet mënyra se si do të shqyrtohen rastet, kur zyrtarët e lartë janë nën akuzë.
Neni 34, nënkupton që Gjykata e Lartë nuk do të më ketë kompetencën e Gjykatës së Shkallës së Parë në rastet që kanë të bëjnë me zyrtarë të Lartë shtetërorë, por do të veprojë vetëm si një Gjykatë Kasacioni dhe të shqyrtojë ankimet mbi pikat e ligjit. 
Por ka pikëpyetje nëse Gjykata do të merret me rastet ku zyrtarët më të lartë të shtetit janë në akuzë.
Ja Projektligji “ Për disa ndryshime në ligjin nr 8417 datë 21.10.1998”, “Kushtetuta e Shqipërisë”, të ndryshuar:
Neni 45, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë:
Inspektorati i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës për hetimin e shkeljeve disiplinore dhe ankesave kundër gjyqtarëve, prokurorëve, anëtarëve të KLGJ, KLP dhe Prokurorit të Përgjithshëm. ILD është përgjegjës edhe për inspektimin e gjykatave dhe të zyrave të prokurorisë. 
3. ILD përbëhet nga 5 anëtarë, 3 vijnë nga gjyqësori, 2 nga prokuroria. Ata emërohen nga Kuvendi me 3/5, midis kandidatëve të përzgjedhur nga KLGJ dhe KLP. Kandidatët duhet të kenë mbi 20 vjet përvojë pune dhe integritet të lartë. 
9. Ministri i Drejtësisë merr pjesë si vëzhgues në mbledhjet e LID dhe mund të kërkojë fillimin e hetimit për shkelje disiplinore kundër gjyqtarëve, prokurorëve, anëtarëve të KLGJ dhe KLP. 
Neni 49, Tribunali Disiplinor i Drejtësisë
1 Tribunali Disiplinor i Drejtësisë shqyrton rastet e shkeljeve disiplinore dhe vendos masa disiplinore për anëtarët e KLGJ, KLP dhe për Prokurorin e Përgjithshëm, anëtarët e ILD dhe Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Tribunali Disiplinor i Drejtësisë përbëhet nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Kryetari i Gjykatës së Lartë Administrative, Prokurori i Përgjithshëm, Ministri i Drejtësisë, Kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, anëtari më i vjetër i GJ.K, anëtari më i vjetër i GJ.L. dhe anëtari më i vjetër i GJ.L.A. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese është kryetari i Tribunalit Disiplinor të Drejtësisë. Ankimet kundër vendimeve të Tribunalit Disiplinor të Drejtësisë shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese. 
Prokurori i Përgjithshëm
Neni 53
1.Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion e Prokurorisë është përgjegjëse për ndjekjen penale dhe përfaqësimin e akuzës kundër gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve të lartë. 
2. Prokurorët e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion janë të pavarur. 
5. Byroja Kombëtare e Hetimit kryen hetime nën drejtimin e prokurorëve të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion e Prokurorisë. 
Neni 54
Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga 3/5 e deputetëve, me propozim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë me mandate 9 vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje. Procedura për përzgjedhjen dhe emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm përcaktohet me ligj.
4. Prokurori i Përgjithshëm ushtron këto kompetenca:
a) Përfaqëson akuzën në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese:
b) Lëshon vetëm udhëzime të përgjithshme me shkrim për prokurorët e Prokurorisë, me përjashtim të atyre të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion:
c) Përfaqëson prokurorinë përpara shteteve të huaja, me përjashtim të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion.
Neni 61: Komisioni i Pavarur i Kualifikimit
1.Çdo Komision i Pavarur i Kualifikimit përbëhet nga 2 komisionerë publikë, 3 komisionerë të shkallës së parë nga secili prej 3 Komisioneve të Shkal;lës së parë, dhe një Komision të Shkallës së Dytë, të përbërë nga 3 komisionerë të Apelit dhe të paktën 3 komisionerë zëvendësues. Ata do të jenë në detyrë nga data 1 janar 2016 deri në 31 dhjetor 2019. Komisionet humbasin fuqinë dhe pushojnë së vepruari menjëherë pas kësaj date, me përjashtim të rastit kur Kuvendi vendos me shumicë të thjeshtë zgjatjen e afatit ë tyre. 
boks
Bashkimi Europian përshëndet ligjin e dekriminalizimit
Eurokomisioneri Hahn: Dekriminalizimi forcon shtetin ligjor dhe nxit luftën kundër korrupsionit
Eurokomisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn ka përshëndetur miratimin me konsensus të ligjit për dekriminalizimin, duke theksuar se ky zhvillim legjislativ pritet të forcojë më tej shtetin ligjor, të rrisë integritetin e zyrtarëve publikë, të nxisë luftën kundër korrupsionit, por të rrisë gjithashtu edhe besimin e qytetarëve te funksionimi i shtetit dhe tek institucionet e tij. Johannes Hahn, tha se kjo paketë legjislative demonstron se dialogu konstruktiv ndërpartiak është mënyra më e mirë për të ndjekur reformat që i nevojiten vendit. “E enjtja ishte një datë e rëndësishme për Parlamentin e Shqipërisë. Pas disa muajsh debate mes partive politike, anëtarët e Parlamentit miratuan ndryshimet kushtetuese dhe kuadrin e nevojshëm legjislativ për vendosjen e një disipline të qartë për përjashtimin e shkelësve penalë nga postet publike (i ashtuquajturi ligji i “dekriminalizimit). BE-ja përsërit se Shqipëria po përballet me një numër sfidash shumë delikate të reformës që kërkojnë një dialog konstruktiv mes gjithë partive politike. Progresi i agjendës së reformave është i rëndësishëm për ta çuar vendin përpara në udhën e tij drejt integrimit evropian, si dhe për të garantuar më tej rrënjosjen e shtetit ligjor.”- përfundon deklarata e eurokomisionerit Johannes Hahn.
Kukan e Fleckenstein, letër Ramës dhe Bashës: Vazhdoni dialogun
Eurodeputetët, Eduart Kukan dhe Knut Fleckenstein përshëndesin arritjen e konsensusit për miratimin e ligjit për dekriminalizimin. Përmes një letre drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha, eurodeputetët inkurajojnë vijimin e dialogut, në mënyrë që Shqipëria të vijojë hapat përpara në drejtim të BE-së. Besojmë se vullneti politik dhe kontributi i partive kryesore të Shqipërisë në procesin e dekriminalizimit do të ketë një ndikim përcaktues në skenën politike në Shqipëri. Do donim t’iu inkurajonim të vazhdonit dialogun politik mes partive tuaja, për të gjitha çështjet e rëndësishme, sa i takon procesit për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, veçanërisht reformën në gjyqësor, që është mjaft e rëndësishme për Shqipërinë, për të arritur hapat e mëtejshëm në këtë proces. Gjithashtu ju sigurojmë se do të vazhdojmë të jemi të përkushtuar për të mbështetur Shqipërinë në përpjekjet për reforma dhe në ambicien e saj për tu bërë anëtare e BE, sa më shpejt të jetë e mundur. Sinqerisht Eduart Kukan dhe Knut Fleckenstein”- theksohet ndër të tjera në letër. 

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 19.12.2015
Sigal