Ja pse Sotiraq Filo e ka të humbur betejën për kryetar bashkie ne Korçë

395
KORÇË- Sotiraq Filo ishte një nga të parët, në mos i pari, që u shpall si kandidat për kryetar bashkie në Korçë, në një kohë kur kandidaturat e tjera të Partisë Socialiste ende nuk ishin bërë të njohura. Për kandidaturën e Filos u vu re se kishte një lloj ngutjeje. Vetë zëvendëskryeministri Niko Peleshi e shpalli z. Filo si kandidaturë të sigurt. Tashmë Filo është zyrtarisht kandidati për kryetar bashkie në Korçës. Por ç’ ishte gjithë ai nxitim për shpalljen e kandidaturës së z. Sotiraq Filo që disa muaj më parë? Dukej sikur drejtuesit e Partisë Socialiste ishin të mbërthyer nga një lloj ankthi, nga i cili nuk po dilnin dot. U kishte mbetur në dorë vetëm një zgjidhje. Me shpalljen para kohe të Filos, drejtuesit e Partisë Socialiste dëshironin të detyroni edhe Partinë Demokratike që edhe kjo e fundit të kishte një kandidaturë që vinte nga komuniteti ortodoks. Kështu, nga kjo pikëpamje, dy partitë më të mëdha politike, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike në Korçë do të ishin në kushte të barabarta. PS-ja do të dilte me Filon dhe PD-ja me Andrea Manon, por që sipas të gjitha gjasave, fitorja do të shkonte nga Partia Socialiste. Madje thuhet se vetë Peleshi kishte pasur një takim me Manon, një takim ky mes miqsh të vjetër. Sigurisht nuk e dimë bisedën mes tyre, por sipas të gjitha gjasave dhe sipas atyre që thuhen, Manos i është kërkuar ose të kandidonte vetë, ose të gjente një kandidaturë që të vinte nga komuniteti ortodoks.
Pse duhej të konkurronte Mano?
Në takimin Peleshi-Mano, duhet të ketë ndodhur kështu, pasi nga Partia Demokratike,( në qendër), vinin zëra që përmendnin herë pas herë si kandidaturë të mundshme rektorin e Universitetit “Fan S. Noli”, z. Gjergji Mero, i cili i përket komunitetit mysliman. Kjo kandidaturë sillte shqetësim mes militantëve të majtë, pasi me një personalitet të tillë si rektori Mero, për Partinë Socialiste nuk do të kishte më asnjë lloj sigurie, nëse do të fitonte ose jo, madje humbjen e ndjenin kaq pranë sikur të ishte frymëmarrja e tyre. Veç sa më sipër, dalja nga kjo gjendje, ku në Korçë konkurrojnë vetëm njerëz të besimit ortodoks, ishte kërkuar prej kohësh edhe nga pjesa tjetër e komunitetit, ndaj për të gjitha këto arsye, Partia Socialiste dëshironte të kishte në garë z. Andrea Mano, pasi vetëm kështu ruhej e pandryshuar gjendja e mëparshme, që nuk sillte probleme, shqetësime dhe pakënaqësi. Njerëzit do të vijonin të votonin ashtu si edhe më parë. Por edhe pse kandidatura e z. Filo u bë e njohur muaj më parë, sërish kandidatura e Manos nuk u bë e mundur, ndërsa kandidimi i Meros dujet se do të trazojë të gjitha ujërat që deri më tani kanë qenë “një pellg i fjetur”. Për pasojë, kandidatura e Filos nuk do të mund ofronte më asnjë siguri për fitore, madje humbja do të ishte “kurora” e tij. Kjo edhe për arsyen se shume votues ndihen tejet të lodhur e të zhgënjyer
Votues të zhgënjyer
Sigurisht, shumë votues të qytetit të Korçës ndihen të lodhur dhe e kanë një arsye për këtë. Në vitin 1992, Gjergji Gjinko (PD) konkurroi me Nuçi Tanço (PS). Në vitin 1996, Berti Kotmilo (PD) me Niko Faberi (PS). Në vitin 2000, Thoma Nini (PD) me Gjergji Duro (PS). Në vitin 2004, Gjergji Duro (PS) me Robert Damo (PD). Në vitin 2007, Niko Peleshi (PS) me Gjergji Papën (PD). Në vitin 2011 Niko Peleshi (PS) me Andrea Mano (PD). Dhe në vitin 2013 Sotiraq Filo (PS) me Sotiraq Stratoberdhën (PD). Që të gjithë ortodoksë. E megjithatë, pothuajse të gjithë, kush më shumë e kush më pak, nuk bënë gjë tjetër veçse mbushën Bashkinë dhe institucionet që vareshin prej saj vetëm me njerëz që i përkisnin besimit ortodoks. Djemtë dhe vajzat që ishin pjesë e komunitetit tjetër nuk patën fatin e punësimit në këto institucione, madje numri i të punësuarve në bashki mbeti minimal. Për 25 vjet me radhë, gjysma tjetër e popullsisë së Korçës, u diskriminua dhe u shpërfill, votuesit u zhgënjyen dhe lodhja u bë pjesë e jetës së tyre. Gjithashtu nuk është i paktë as numri i të pakënaqurve që vijnë nga radhët e ortodokseve, pasi klanet e krijuara kanë lënë jashtë mundësisë së punësim edhe perspektives shumë të rinj të shkolluar. Ndaj sot e gjithë ditën, drejtuesit e Partisë Socialiste përgjojnë, jo pa ankth, kush do të jetë kandidati i Partisë Demokratike. Sigurisht, urojnë që vetëm rektori Mero të mos jetë. Nuk ka asnjë dyshim që kandidatura e Meros do të sillte përmbysjen e madhe të pseudodemokracisë që shoqëroi 25 vite me radhë, dhe që pati për arkitekt politikanët tanë që shihnin vetëm interesat e tyre personale, kur në të vërtetë themelet e demokracisë gjallojnë për shkak të pjesëmarrjes dhe përfaqësimit dhe vdesin kur ato nuk ekzistojnë.
Ankthi
Sipas të gjitha gjasave, kandidatura e rektorit Gergji Mero do të zyrtarizohet, pasi një gjë të tillë kërkohet edhe nga ndarja e re territoriale administrative me 61 bashki. Tashmë Bashkia e Korçës, përveç qytetit do të ketë në hapësirën e saj territoriale edhe komunat Voskopojë, Voskop, Lekas, Drenovë, Mollaj dhe Vithkuq, (mbi 30 mijë banorë), gjë që komunitetin ortodoks e shndërrojnë në një minorancë edhe më të thellë. Zgjedhjet për kryetar bashkie nisën të shihen edhe më këtë sy për shkak të politikës së gabuar që u ndoq gjatë një çerekshekulli. Megjithatë, kandidimi i një personaliteti që vjen nga besimi ortodoks dhe i një tjetri që vjen nga besimi mysliman do të ishte zgjidhja më e përkryer. Por, edhe pse është kështu, Partia Socialiste, drejtuesit e saj në Korçë, kanë filluar të ndihen të shqetësuar. Humbja në rastin më të keq, ose dhe fitorja në rastin më të mirë e Sotiraq Filos do t’i faturohet z Niko Peleshi. Le të presim për të parë se çfarë do të ndodhë konkretisht. Urojmë që të fitojë më i mirë, por megjithatë, edhe pse me humor, shumë njerëz kanë filluar t’i urojnë z. Filo humbjen e madhe.