Ja përse BE bllokoi blerjen e pajisjeve përgjuese

581
Ëngjëll Musai 

Drejtor i “Telegraf”

Që në fillim më duhet të shpjegoj dhe të saktësoj se nuk bëhet fjalë për pajisjen ‘IMSI CATCHER’, modeli Vortex i prodhuar nga kompania Ercom, e instaluar në brendësi të makinës dhe që po diskutohet këto ditë, por një pajisje tjetër, të njëjtë dhe që duhej të ishte blerë rreth 1 vit e ca më parë. Dhe nëse kjo pajisje do të ishte blerë, ne sot nuk do kishim këtë situatë të ngarkuar, e cila po na çon dashur padashur në shkatërrimin e shtetit, pasi të katër pushtetet e ndiejnë veten në armiqësi të plotë dhe në një terror psikologjik, social madje –madje shpeshherë edhe fizikë. Pushteti parlamentar është mbushur në një pjese dërmuese me elementë kriminalë dhe precedentë të rrezikshëm penalë. Një pjesë dolën, të tjerë priten, pasi ka të tjerë trafikantë të partive të vogla (PDIU) që u rreshtuan në listat e PD dhe fluturuan tek “Rilindja” në pushtet. Ka skafistë, ka përdhunues, falsifikatorë, grabitës pronash në hipoteka etj., etj. Pushteti ekzekutivo – qeveritar nga një institucion shërbese është kthyer në çekanin e vërtetë që po godet këdo, pasi i trembet hetimeve për zullumet e bëra. Ai sulmon vetë pushtetin Legjislativ, si dhe nuk kursen pushtetin Gjyqësor dhe pushtetin e katërt që në gjuhën e përditshme konsiderohet shtypi i shkruar, vizive dhe faqet elektronike. Ndaj dhe dje në apelin që i dërguam përfaqësueses së BE-së, zonjës Vlahutin i kujtonim mes të tjerave shtetin e se drejtës, ku pushtetet janë të ndara dhe duhet të respektojnë njëri – tjetrin. Në shtetin e së drejtës ekzekutivi nuk ka asnjë atribut apo asnjë tagër mbi pushtetin e drejtësisë! Atëherë, përse ju që na flisni e na apeloni me të drejtë për reformën në drejtësi heshtni kur Kryeministri dhe Ministri i tij i Brendshëm ushtrojnë presion, ushtrojnë dhunë psikologjike dhe dhunë politike dhe kanosin një gjykatës apo me keq akoma gjithë Gjykatën dhe Prokurorinë…?! Dhe sot informacionet tregojnë se gjyqtarë, prokurorë, përfaqësues të të gjitha niveleve, politikanë, gazetarë dhe kushdo që shkruan, debaton apo heton çështjen e përgjimeve është futur nën përgjim ose survejim nga forcat e policisë apo edhe më keq nga grupe mafioze dhe trafikantë droge. Si qytetarja e parë e Europës në Shqipëri, besojmë dhe shpresojmë se zonja e nderuar Vlahutin do të dijë të ngrihet në lartësinë që ja kërkon misioni dhe do të bindet se jo gjithçka që thuhet nga zyrat e ekzekutivit janë të bardha dhe se në fund të fundit e nderuara ambasadore e ka kuptuar se, nëse shkruan me qymyr, edhe duart e tua do të njollosen nga katrani i zi. 
Në numrin e djeshëm ne i drejtuam shefes së misionit të BE-se në Shqipëri, zonjës Romana Vlahutin në pozitën e ambasadores, por edhe si bashkënegociatore për realizimin e Reformës në Drejtësi, dy pyetje:

Së pari, a është dakord ajo me qëndrimin me të fundit të Kryeministrit Edi Rama dhe të Ministrit të tij të Brendshëm, të cilët e cilësuan publikisht një gjyqtar “killer të paguar”!? Përgjigjen e kësaj pyetjeje ne do të vazhdojmë ta presim me mendimin se pjekuria, qetësia dhe ëmbëlsia që e karakterizon zonjën Vlahutin nuk do të mungojë, aq më tepër kur këtë kërkesë ja bëjnë kolegët e sajë gazetarë. Por në pamundësi (shpresojmë të mos ndodh) ne do ia drejtojmë këtë pyetje për shqetësimet e ngritura selisë qendrore të Brukselit me bindjen e plotë se këtu qëndron diferenca mes Lindjes dhe Perëndimit. 

Së dyti, i kërkuam zonjës ambasadore të BE-së, Romana Vlahutin t’u tregojë shqiptarëve, se perse nuk është plotësuar ende kërkesa e Prokurorisë së shtetit shqiptar për blerjen e një pajisje përgjimi parashikuar si financim i BE-së që në IPA 2013?! Përse delegacioni i BE-së nuk e financoi blerjen e kësaj pajisjeje, edhe pse më parë kishte rënë dakord për këtë gjë?!

Për publikun shqiptar, përfaqësuesit e organeve të specializuara, trupit diplomatik, por edhe faktorit ndërkombëtar po e zbardhim ne përgjigjen e munguar, pas të cilave fshihen interesa të mëdha ekonomiko-financiare dhe politike. Një ndër objektivat kryesore të Prokurorisë sonë, por edhe organeve të specializuara mbetet rritja e efiçencës dhe efektivitetit të hetimit, si dhe vënia përpara përgjegjësisë penale të kujtdo që shkel ligjin. Përmbushja me sukses e këtij objektivi, ndër të tjera, kërkon edhe përdorimin e metodave speciale të hetimit, sidomos të interceptimit dhe hetimit aktiv. Një zhvillim i tillë kondicionohet edhe nga përdorimi i teknologjive më të avancuara të kohës, pasi dinamika e përdorimit të këtyre teknologjive nga individët apo grupet kriminale e dikton një përqasje të tillë. Në këto kushte dhe rrethana u pa e arsyeshme që Prokuroria e Përgjithshme, të mundësonte blerjen e një pajisjeje përgjimi me parametra bashkëkohore për organin e Prokurorisë Shqiptare. Kjo pajisje nuk ishte më një luks, por një domosdoshmëri për realizimin e hetimeve të plota e të gjithanshme, kryesisht në hetimin e veprave penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga rekomandimet e Bashkimit Europian. Po të kemi parasysh që 5 kriteret bazë që po mbajnë peng vendin kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë, krimin, korrupsioni, respektimin e të drejtave dhe lirive, pronën e grabitur apo romët e dhunuar etj. Kjo pajisje do t’i shërbente organit të akuzës, por edhe atyre të specializuara për ngritjen e grackave dhe pritave, por këtë radhë me metoda profesionale dhe të një niveli bashkëkohor.
Gjendja e teknikës së regjistrimit dhe përgjimit
Aktualisht, nga viti 2008 dhe në vazhdim, Prokuroria ka në përdorim një pajisje përgjimi të marrë me qira nga kompania italiane IPS (intelligence & Public Security). Kostoja e qiramarrjes është rreth 215 mijë Euro në vit. Pajisja administrohet nga Prokuroria e Përgjithshme dhe çdo përgjim procedural dhe proaktiv është i centralizuar dhe rregulluar me ligj. Për shkak të avancimit të shpejtë të teknologjisë së informacionit dhe aplikimeve të tij, pajisja konsiderohet e vjetruar dhe tejkaluar, pasi me anë të kësaj pajisjeje nuk mund të realizohet interceptimi dhe përgjimi i shumë prej aplikacioneve të reja që aktualisht janë në përdorim të gjerë si, internet dhe aplikacionet what’s up, facebook, twiter, vaiber, etj dhe kjo përbën një vështirësi në rritje për procesin e hetimit. Minimalisht si njohës i kësaj fushe do të thosha që italianët vazhdojnë të përfitojnë edhe qindarkën e fundit, ndërkohë që prej mbështetjes së palës shqiptarë janë futur në burgje, pika kufiri, në det, në ajër dhe kudo, pa asnjë lloji interesi nga pala shqiptare. Minimalisht ata në kuadrin e bashkëpunimit duhej ta modernizonin Shqipërinë, pasi dihen vështirësitë tona ekonomike. Madje para disa vitesh italianët ngulmuan fuqishëm tek institucionet shqiptare që bllokuesit e celularëve në burgje, por edhe në zonat kufitare të mos ishin në efiçencë, pasi kështu pala italiane do e kishte më të lehtë t’i zbulonte, por hetuesit italianë harruan që qeveria shqiptare kishte harxhuar miliona për blerjen e këtyre bllokuesve. 
Por, cili do të ishte rezultati i vendosjes në funksion të kësaj aparature?
Dihet se përgjimi vlerësohet si një mjet efektiv i kërkimit të provave për zbulimin e autorëve të veprave penale, sidomos atyre të korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizmit etj., por realizimi i veprimeve teknike të përgjimit nga një qendër e vetme (siç është aktualisht për shkak të pamundësisë teknologjike) bën të pamundur për prokurorin e çështjes dhe oficerin e policisë gjyqësore që ta ndjekin në dinamikë dhe kohë reale procesin. Nga ana tjetër, për shkak të këtij organizimi aktual, zgjerohet rrethi i personave që marrin informacion për çështjen, çka përbën një pikë të dobët të këtij procesi. Decentralizimi i përgjimeve të komunikimit është një praktikë tashmë e aplikuar në vendet e Bashkimit Europian dhe i është rekomanduar edhe Shqipërisë. Në Progres – Raportin 2014 konstatohet se: “Hetimet efiçente vazhdojnë të pengohen nga pengesa ligjore, si dispozitat për përgjimin dhe mbikëqyrjen, afatet e hetimeve, mungesa e regjistrave për llogaritë bankare dhe abonentët telefonikë, si edhe çështje të pranimit të provave nga gjykata. Gjithashtu decentralizimi i përgjimeve është vendosur edhe si masë në Prioritetin 4 (të Udhërrëfyesit për 5 prioritetet e rekomanduara nga Komisioni Evropian për Shqipërinë) “Lufta kundër krimit të organizuar’, pasi do të shërbente për forcimin e kapaciteteve hetimore të Njësive të Përbashkëta Hetimore dhe Prokurorisë për Krime të Rënda, pranë të cilave do të funksiononin struktura të posaçme, të specializuara për kryerjen e përgjimit ambiental dhe përgjimit të komunikimeve elektronike në funksion të hetimeve. Duke u nisur nga sa më sipër, me blerjen e pajisjes së re të përgjimit, Prokuroria e Përgjithshme kishte parashikuar krijimin e 7 zyrave/nënstacioneve që përkojnë me 7 Njësitë e Përbashkëta Hetimore (Tak-Forcës), përkatësisht në: Prokurorinë e Krimeve të Rënda, atë të Tiranës, Shkodrës, Durrësit, Fierit, Vlorës dhe Korçës. Pra janë pikat kyçe, nga ku sot krimi po bën kërdinë dhe plantacionet e drogës nuk njohin frikë dhe kufi. 
Po çfarë u bë me pajisjen, si qëndron e vërteta e bllokimit të saj? Kush fshihet pas milionave dhe pse u investua që kjo pajisje e teknologjisë së lartë, të mos blihej për llogari të Prokurorisë së Përgjithshme? Kush i trembej në të vërtetë kësaj pajisje? Politika, krimi apo politika e inkriminuar?
Kostoja e blerjes së një pajisjeje përgjimi, e parametrave bashkëkohore, që do të ishte pronë e Prokurorisë dhe shtetit Shqiptar, shuma e së cilës vlerësohej rreth 3 milionë Euro dhe parashikohet të realizohet nëpërmjet instrumentit të financimit IPA të Bashkimit Europian. Në IPA 2013 për blerjen e një pajisjeje të tillë ishte parashikuar një financim prej 1 milion Euro, ndërsa në IPA 2015 u parashikua një financim prej 1. 5 milionë Euro, në total, 2. 5 milionë Euro. Prokuroria shqiptare dhe komisionet e përbashkëta Shqipëri –BE, që bashkëpunojnë nën kujdestarinë e zyrës së Ambasadës së BE në Tiranë kërkuan që fondi i parashikuar prej 2. 5 milionë Euro të mos digjej dhe duke iu përshtatur realitetit të tregut për blerjen e një pajisjeje të tillë të qëndronte në fuqi. Në vazhdimësi dhe dinamikë të ngjarjeve, Prokuroria e Përgjithshme Shqiptare ka komunikuar në vazhdimësi me strukturat e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe ato të bashkëpunimit evropian, përfshi edhe Ambasadën e Bashkimit Europian në Tiranë, ku zonja Vlahutin është ambasadore e BE-së. Specifikimet teknike të Pajisjes së Përgjimit që Prokuroria e Përgjithshme kërkoi të blinte, i janë dërguar Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë. Në buxhetin e Prokurorisë së Përgjithshme për vitin 2015 nga Buxheti i Shtetit ishte parashikuar një shumë prej 40 milionë lekë, (afërsisht 285 mijë Euro) për kosto lokale (taksa doganore, etj. ) Megjithatë, pas negociatave të brendshme midis Prokurorisë së Përgjithshme dhe DBE (Delegacioni i Bashkimit Europian), në rrethana të paditura nga Prokuroria Shqiptare, u ra dakord për financimin e pajisjes në vlerën 3 milionë euro (2, 5 milionë euro financim i BE dhe 500. 000 Eeuro bashkëfinancim i Prokurorisë). Mbetet e paqartë mënyra e miratimit të kërkesës, duke marrë parasysh se nuk ishte miratuar ndonjë bazë ligjore për decentralizimin e përgjimeve dhe Prokuroria e Përgjithshme nuk disponon fondet e mjaftueshme jo vetëm për bashkë-financim, por as për mirëmbajtjen e pajisjes (ky është një kriter kualifikues për të gjitha projekt propozimet). Pavarësisht kësaj, ky projekt-propozim u bë pjesë e Action Document “Consolidation of Law Enforcement Agencies-Support to the Albanian state Police and prosecutor Office” dhe si rrjedhojë, edhe pjesë e programit të IPA 2015. 
Situata aktuale për blerjen e pajisjes 
Gjatë një takimi të përbashkët, të mbajtur gjatë muajit Prill/2015 me përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Europian për të diskutuar në lidhje me aparatin e përgjimit, (Informim jo zyrtarisht me shkresë ) nga ana e shefit të bashkëpunimit në DBE( Y. E.), se Delegacioni i BE ka vendosur të refuzojë financimin për blerjen e pajisjes së përgjimit për Prokurorinë e Përgjithshme. Shkak për këtë, sipas tij është ekzistenca e një pajisjeje të ngjashme përgjimi në pronësi të Ministrisë së Brendshme, e cila është përdorur në mënyrë të paligjshme nga Policia e Shtetit. Në këtë situatë, delegacioni i BE nuk mund të financojë blerjen e një pajisjeje, e cila tashmë është ekzistuese dhe propozon jo zyrtarisht miratimin e bazës ligjore përkatëse që mund t’i kthejë ligjshmërinë përdorimit të pajisjes nga ana e institucioneve të autorizuara për këtë qëllim. Pra qeveria shqiptare nuk akordoi 500 mijë euro, por qëllimisht e dogji këtë fond, sepse futja e kësaj pajisje do të komprometonte rëndë lidhjet kriminale mes politikës dhe krimit, si dhe nuk do t’i jepte mundësinë Ministrisë së Brendshme të përgjonte për llogari të saj. Pra Ministrisë së Brendshme nuk i interesonte futja e kësaj pajisjeje. Qeveria shqiptare qëllimisht bllokoi fondet, a thua se ka mbetur shteti për 200 mijë euro shtesë dhe Bashkimi Europian heshti, duke lënë vendin në mëshirën e grupeve kriminale dhe bandave të narkotrafikut. Dihet fare mirë që BE po jep miliarda euro dhe u tregoka kaq e kursyer për një fond 200 mijë eurosh. Jo zonja Vlahutin, këtë shqiptarët nuk e besojnë dhe nuk e gëlltisin kollaj. Në numrat e ardhshëm do vazhdojmë të bëjmë publike personazhet e palës shqiptare, që në bashkëpunim me nëpunës të BE në Tiranë e dështuan qëllimisht projektin. E megjithatë ne përsëri presim reagimin dhe sqarimin tuaj, zonja Vlahutin. Kur statistikat e BE tregojnë se nga Shqipëria nisen tonelata të tëra droge shuma e të cilave arrin në rreth 4 miliardë euro, a mendoni se një investim i mbetur në mes për një shtesë prej 200 mijë eurosh është argument?! Sigurisht që jo, por pas të gjitha këtyre fshihet Ministria e Brendshme, pajisja e fshehur dhe lënia në qarkullim të lirë e krimit dhe trafikut të drogës.
Të dhënat e pajisjes, që u fut kohët e fundi në Shqipëri
Në 11 mars të 2016 janë nisur në Tiranë dy operatorë të specializuar nga forcat e policisë italiane me detyrën për të zhvilluar aktivitete për trajnimin e policisë lokale. Në këtë pikë, personeli italian merr me vete, për aktivitet stërvitore të cituara, një autoveturë me në ekuipazh, një aparaturë të quajtur ‘IMSI CATCHER’, modeli Vortex i prodhuar nga kompania Ercom, e instaluar në brendësi të makinës. Në datë 13.05.2016, Prokuroria e Tiranës ka nxjerr urdhër për sekuestrimin e pajisjes, e cila dyshohej se ishte në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. 
Lloji i pajisjes, sipas dosjes hetimore
Pajisja në fjalë është në gjendje të identifikojë numrat IMEI, dhe sipas organit të hetimit, administrimi i numrave është pjesë e mirëfilltë e procesit të përgjimit, sipas dosjes hetimore të Prokurorisë, aparati IMSI CATCHER funksionon duke u sjellë si një antenë e rrjetit telefonik mobile dhe nuk merr rolin e antenës ligjore. Antena e gënjeshtërt emeton një sinjal më të fortë se antena ligjore dhe kësisoj shkakton lidhjen e aparateve fundore nga antena ligjore tek antena e gënjeshtërt. Kjo gjë bie ndesh me detyrimet e ligjit 9918, Neni 123/2. Nga hetimi ka rezultuar se gjatë seksioneve të praktikës është ndërhyrë disa herë në segmentin aparat fundor-antene ligjore. Në hapësirën kohore të këtij veprimi dyshohet se antena ligjore nuk regjistron aparatet fundore që tentojnë të lidhen me të. 
Si funksionon Imsi Catcher
Imsi-Catcher i nënshtron telefonat që të përdorin sinjalin më të fortë, duke i bërë aparatet celularë që të zgjedhin bazën përgjuese për të kryer telefonatat e tyre. Pasi karta SIM lidhet në një rrjet GSM dhe mënyra e deshifrimit është aktivizuar nga Imsi-Catcher mund të lejojë pajisjen që përveç telefonatave të deshifrojë edhe mesazhet e dërguara nga telefoni dhe t’ia kalojë stacionit bazë ku është lidhur pajisja. Për të bërë një përgjim duhen pasur parasysh këto masa: Duhet që telefoni, që do të përgjohet të qëndrojë gjithmonë i ndezur. Imsi-Catcher mund të këtë problem në lidhje me bazën qendrore nëse në zona janë vendosur disa të tillë. Vetëm personi i zgjedhur për t’u përgjuar mund ta përdori këtë rrjet, telefonat e tjerë që janë në zonë nuk mund të kenë akses. Në shumicën e rasteve përgjimi nuk vërehet nga përdoruesi i celularit, por disa telefona tregojnë një shenjë të vogël në ekran. Pajisja mund të ketë vështirësi të lidhet me aparatin celular ,nëse stacioni i operatorit të kartës SIM ka më shumë valë se Imsi-Catcher. 
Sigal