Ja për kë erdhi kokaina nga Kolumbia

536
Opozita: Ja për kë erdhi kokaina nga Kolumbia
Drejtuesit e PD-së, Basha dhe Berisha, akuzojnë kryeministrit dhe familjarë të tij për lidhje me trafikun e drogës
Partia Demokratike akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe familjarë të tij se janë të lidhur me sasinë gjigante të kokainës që u kap në Durrës. “Është ngarkesë e kapur në një linjë të ngritur e që funksionon pa ndërprerje që nga ardhja në pushtet e Edi Ramës”, deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha. Në mënyrë indirekte, Basha aludoi për përfshirjen në këtë trafik të klubit sportiv “Partizani” dhe vëllait të Kryeministrit. “Shqipëria shërben si bazë për përpunimin, paketimin dhe dërgimin drejt tregut evropian. Këtë ka pasur parasysh dhe DASH dhe Europol kur kanë thënë se Shqipëria në këto vite të qeverisjes së Edi Ramës është kthyer në një bazë të krimit të organizuar. Prej kohësh opozita ka thënë se ka tre laboratorë të përpunimit të drogës në Shqipëri. Cilat janë faktet që Edi Rama, Fatmir Xhafaj dhe të tjerë aksionarë dhe aksionerë të kokainës mundohen t’i fshehin me çdo kusht e çdo çmim. Një publikim i thjeshtë tregoi se kjo kompani ka bërë 97 ngarkesa nga Kolumbia”, tha Basha. Sipas tij, “Arbi Garden” ka bërë 97 ngarkesa nga Kolumbia. “Kontejneri qëndroi në portin e Durrësit për 9 ditë. Pronari është larguar 24 orë para se droga e tij të ndalohej. Është larguar pasi ka mbyllur dhe NIPT-in dytësor. Partnerët prej kohësh kishin sinjalizuar të shkuarën kriminale të Çekajt, në vendet e tyre. Një nga të arrestuarit, shoferi, në faqen e tij në ‘Facebook’ shkruante se puna që bën është të transportojë miell për partizanët. Kush janë partizanët e vërtetë për të cilët është porositur droga? Kush e ka financuar një operacion të tillë?”, tha Basha, duke përmendur edhe referimin me klubin e futbollit “Partizani”, drejtor sportive i të cilit është Olsi Rama. Për kreun e PD-së, janë 180 milionë euro, afro 300 mijë euro për kg, që do të thotë duke parë analizën e tregut të kokainës nga Europol, se bëhet fjalë për kokainë shumë të pastër, që duhet prerë, pra, që duhet përzier me substanca të tjera, para se të jetë e gatshme për t’u hedhur për konsum. “Droga do të shkonte në një laborator në territorin shqiptar për përpunim të mëtejshëm. E njëjta kompani kishte sjellë përmes portit të Durrësit 97 herë të tjera ngarkesa nga Kolumbia. Është një fakt botërisht i njohur se për çdo ngarkesë që kapet 10 kalojnë, është një fakt botërisht i njohur që në ngarkesat e drogave të forta me vlerë të lartë komerciale, kurrë nuk eksperimentohet pa pasur dy faktorë, prova të mëparshme të suksesit të trafikut dhe një garanci të fortë politike. Para se të kalonte një sasi prej 620 kg, kartelet kanë tentuar e provuar me sukses ngarkesa të tjera për t’i garantuar për suksesin e operacionit. Sa kanë qenë? 10 kg, 100, 200, burime mediatike përflasin për sasi më të mëdha se kjo prej 620”, u shpreh kreu demokrat. Ai shtroi edhe një seri pyetjesh. “Sa herë janë kontrolluar ngarkesat e mëparshme të Arbi Garden? 97 herë? 50 herë? 20 herë? 10 herë? 5 herë? 1 herë? Apo asnjëherë? Pse pronari e la për më shumë se një javë në port. Pronari është sinjalizuar prej vitesh te autoritetet shqiptare si i dyshuar dhe përfitues i trafikut të kokainës nga Amerika Latine në Evropë. Pse Rama mohoi në deklaratën e tij bashkëpunimit me partnerët?”, tha Basha në fjalën e tij. Ndërkohë ish-kryeministri Sali Berisha ishte më direkt në akuzat e tij. “Droga e ardhur nga Kolumbia ishte drogë e adresuar direkt për Olsi Ramën, ishte drogë për Partizanin, për klanin e vëllezërve Rama”, tha Berisha. Sipas tij, “dramatike dhe ogurzezë për shqiptarët është se droga e ardhur nga Kolumbia në sasinë më të madhe që ka mbërritur ndonjëherë në Ballkan në historinë e gjithë këtyre viteve, ishte drogë e adresuar direkt për Olsi Ramën, partizanin, ishte drogë e adresuar direkt për klanin e vëllezërve Rama, ishte drogë, e cila u shënjua që në nisje nga autoritetet kolumbiane, arriti në portet e Italisë ku u zbërthye dhe erdhi në drejtim të Olsi Ramës me datë 19 shkurt të këtij vitit”.

Me drejtuesit e Partisë Demokratike replikoi kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, që bëri një retrospektivë të kultivimit të kanabisit gjatë qeverisjes së demokratëve. “Qasja juaj nxiti forcimin e grupeve kriminale shoqëruar me një proces pastrimi parash, përmes ndërtimeve, hotelerisë, lojërave të fatit. He çfarë keni bërë ju me lojërat e fatit! Do të hapen petët e byrekut!”, u përgjigj Taulant Balla. 
Sigal