Ja për kë do votojë Tirana nëse zgjedhjet do bëheshin sot

496
Sigal

BAROMETËR: 2/3 e tiranasve që votuan në qershor 2013 do të rivotuar  të njëjtin kandidat. 1/3 do votojnë një të pavarur

Nga një sondazh që zhvillova në kryeqytet në dy javët e para të tetorit, në kuadër të serisë së sondazheve “Barometër”, rezulton se vetëm 67.5% e tiranasve që morën pjesë në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, janë të vendosur të votojnë sot për një nga partitë që ishin në garë. Rreth 60% janë të vendosur për të votuar të njëjtën parti që votuan vjet, 5% janë të vendosur të votojnë një parti tjetër brenda koalicionit, 2.5% votojnë sot për një parti të koalicionit kundërshtar, 28% janë të pavendosur dhe 4.5% janë të vendosur për të mos votuar fare. Kjo prirje votimi është e ngjashme për të dyja koalicionet kryesore. Kështu, 68% e votuesve të koalicionit të djathtë janë të vendosur për të votuar të njëjtën parti që votuan vjet, 4% janë të vendosur të votojnë një parti tjetër brenda koalicionit, 5% votojnë sot për një parti të koalicionit kundërshtar, 18% janë të pavendosur dhe 5% janë të vendosur për të mos votuar fare. Ndër votuesit e koalicionit të majtë, 62% janë të vendosur për të votuar të njëjtën parti që votuan vjet, 8% janë të vendosur të votojnë një parti tjetër brenda koalicionit, 2% votojnë sot për një parti të koalicionit kundërshtar, 25% janë të pavendosur dhe 3% janë të vendosur për të mos votuar fare. Prirja e votimit ndryshon shumë ndër të anketuarit që nuk kanë deklaruar se për cilën parti kanë votuar vjet. Ndër ta, vetëm 33% janë të vendosur për të votuar të njëjtën parti që votuan vjet, 3% janë të vendosur të votojnë një parti tjetër brenda koalicionit, 2% votojnë sot për një parti të koalicionit kundërshtar, 58% janë të pavendosur dhe 4% janë të vendosur për të mos votuar fare. Në sondazh u testua predispozicioni i kryeqytetasve në moshë votimi për votuar një kandidat të pavarur në garën për Kryebashkiak. Si kandidatë të pavarur u testuan tre kandidatë hipotetikë – Fatos Lubonja, Dashamir Shehi dhe Gjergj Bojaxhi. Ata u “përballën” në skenarë të ndryshëm me kandidatë hipotetikë partiakë si: Mimi Kodheli, Grida Duma, Saimir Tahiri dhe Eduard Selami. Duke përdorur kufirin e poshtëm të marzhit të gabimit statistikor, rezulton se jo më pak se 1/3 e kryeqytetasve në moshë votimi do të zgjidhnin të paktën njërin nga kandidatët e pavarur, pavarësisht se cilët kandidatë partiakë do të kishin përballë. Kampioni i sondazhit përbëhej nga 1200 kryeqytetas në moshë votimi, të anketuar me telefon fiks. Kampioni u ribalancua për të mirëpërfaqësuar gjeografikisht, demografikisht dhe politikisht banorët aktualë të secilës prej 11 minibashkive të kryeqytetit. Në përfundim të ribalancimit, maksimumi i marzhit të gabimit statistikor rezultoi +/-3.2%.  Rreth 81% e banuesve në moshë votimi të kryeqytetit (të përfaqësuar nga kampioni) rezultojnë pjesëmarrës në zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Rreth 49% e atyre që morën pjesë në zgjedhjet e vjetshme kanë deklaruar gjatë anketimit se kanë votuar për koalicionin e majtë, 33% për koalicionin e djathtë, 2% për FRD-në dhe 16% nuk e kanë deklaruar votën e vjetshme. Sipas rezultatit zyrtar të KQZ-së, ndër 292 mijë vota që u numëruan vjet në kryeqytet, 58% ishin për koalicionin e majtë, 39.5% për koalicionin e djathtë dhe 2.5% për FRD-në.

 Eduard ZALOSHNJA