Ja ndryshimet në draftin e Reformës Zgjedhore

1352
Sigal

Sot u jepet deputetëve drafti i Reformës Zgjedhore që do të miratohet të enjten

Të mërkurën e javës së kaluar PD-PS arritën në kompromisin e Reformës Zgjedhore. Në seancën plenare të datës 12 korrik nuk u kalua miratimi i draftit të Reformës Zgjedhore,  ashtu siç u publikua nga të dy palët politike, për arsye se koha 24 orëshe nuk ishte e mjaftueshme që të përgatitej drafti përfundimtar i përbashkët si edhe deputetët nuk kishin kohë të mjaftueshme që të studionin draftin për të cilin do të jepnin votën. Kështu që miratimi i Reformës Zgjedhore në Kuvend do të bëhet të enjten më 24 korrik. Gazeta “Telegraf” boton sot pjesë nga drafti përfundimtar i PS-së për Reformën Zgjedhore, ndryshimet për të cilat arriti PS-ja që t’i kalojë në Reformën Zgjedhore në kompromisin e arritur me PD-në.

 Neni 12 Përbërja e KQZ-së

2. Anëtar i KQZ -së mund të emërohet çdo shtetas shqiptar me të drejtë vote, i cili përmbush këto kritere:

a)      të jetë me moshë mbi 35 vjeç; ( ishte, mbi 30 vjeç).

Neni 13  Mandati dhe koha e punës e anëtarëve të KQZ-së

Anëtari i KQZ-së ka mandat 6-vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje. Kryetari I KQZ-së  ka mandat 4- vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje

Neni 15 Zgjedhja e  Kryetarit të KQZ-së

  1. Anëtari i shtatë dhe njëkohësisht Kryetar i KQZ-së, zgjidhet  jo më vonë se 10 ditë pasi të ketë përfunduar procedura e zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së, sipas nenit 14 të këtij Kodi.   

 2. Jo më vonë se 30 ditë nga afati i përcaktuar në neni 19 të Kodit, Kuvendi Shqipërisë publikon shpalljen për vendin vakant të Kryetarit të KQZ-së. Çdo shtetas që plotëson kushtet e nenit 12 të këtij Kodi mund të paraqitet si kandidat për kryetar të KQZ-së. Kërkesa paraqitet e shoqëruar me dokumentacionin përkatës që provon përmbushjen e kritereve ligjore për anëtar të KQZ-së.  

3. Lista e kandidatëve i kalon komisionit të kuvendit që mbulon çështjet ligjore për të verifikuar përmbushjen e kritereve. Në këtë listë nuk mund të përfshihen ose nëse janë përfshirë përjashtohen, kandidatët e propozuar sipas shkronjës “a” të pikës 1 të nenit 14 të këtij Kodi. Komisioni i shqyrton kandidaturat në përputhje me rregulloren e Kuvendit. Pas verifikimit të kritereve zbatohet procedura si më poshtë:

a) komisioni përzgjedh për t’iu paraqitur për votim Kuvendit dy kandidatët që gëzojnë mbështetjen më të madhe të anëtarëve të komisionit, por jo më pak se 2/3 e të gjithë anëtarëve të tij. Kur shumicën e cilësuar e gëzojnë më shumë se dy kandidatë, në votim paraqiten dy kandidatet që gëzojnë mbështetjen më të madhe.  Çdo anëtar i komisionit mund të mbështesë deri në katër kandidatë;

b) nëse shumicën e cilësuar sipas germës “b” nuk e gëzojnë së paku dy kandidatë, komisioni identifikon katër kandidatët që kanë marrë  mbështetjen më të madhe midis anëtarëve të komisionit, pas zbatimit të germës “a”;

b)                kur gjatë zbatimit të germës “a” dhe “b” dy apo më shumë kandidatë gëzojnë të njëjtën mbështetje përzgjedhja e tyre bëhet me short.

ç) përfaqësuesit e pakicës parlamentare në komision përjashtojnë dy nga kandidatët e përzgjedhur sipas germës “b”. Kandidatët e mbetur i kalojnë Kuvendit për votim.

d) Kryetar i KQZ-së zgjidhet kandidati që merr më shumë se gjysmën e votave të deputetëve të Kuvendit.

Neni 21/2 Rregulla procedurale për zbatimin e teknologjisë së informacionit në fushën e zgjedhjeve

  1. Për zbatimin e teknologjive të reja të  informacionit  në identifikimin e zgjedhësve, votimin, numërimin  dhe nxjerrjen e rezultatit zgjedhor, deri në shtrirjen e tyre në të gjithë territorin e vendit, KQZ-ja autorizohet që të përcaktojë me vendim të miratuar me jo më pak se 5 vota “pro”, rregulla të posaçme për përdorimin e tyre.

Neni 27 Zonat e Administrimit Zgjedhor

4.  Bashkitë me më shumë se 30 mijë shtetas me të drejtë vote përbëjnë Zonë Administrimi Zgjedhor më vete, kur numri i përgjithshëm i shtetasve me të drejtë vote në shkallë rrethi është më i madh se 60 mijë.

Në bashkitë që kanë mbi 80 mijë shtetas me të drejtë vote KQZ-ja mund të krijojë dy apo më shumë  Zona Administrimi Zgjedhor më vete, me numër të barabartë zgjedhësish, si dhe duke ruajtur vazhdimësinë dhe kompaktësinë e territorit të zonave të qendrave të votimit. Për Bashkinë e Tiranës secila nga njësitë bashkiake përbën Zonë Administrimi Zgjedhor më vete.

Neni 36  Përbërja e KQV-së

 Kryetari dhe sekretari  kanë përkatësi të ndryshme politike.

Neni 181  Zgjedhja e anëtarëve të KQZ-së

1. Kuvendi 30 ditë nga data e dekretimit të  ndryshimeve të këtij ligji  zgjedh anëtarët e KQZ-së, sipas neneve 14 dhe 15 të këtij Kodi.

2. Betimi kryhet jo më vonë se 24 orë nga dita e zgjedhjes.

Neni 182 Ndërprerja e mandatit të anëtarëve ekzistues të KQZ-së

1. Anëtarët e KQZ-së që u ndërpritet mandati para kohe për shkak të ndryshimeve në këtë Kod, qëndrojnë në detyrë deri në zëvendësimin e tyre me anëtarët e rinj të zgjedhur sipas këtij Kodi.

2. Anëtarit të KQZ-së, që i ndërpritet mandati për shkak të nenit 181  përfiton pagën e funksionit deri në 31 dhjetor 2012.

3. Anëtari i KQZ-së, të cilit i ndërpritet mandati, kthehet në funksionin publik të mëparshëm, ose emërohet në një funksion ekuivalent me të.

Neni 183 Përtëritja pjesore e anëtarëve të KQZ

1.         Me qëllim përtëritjen pjesore të KQZ-së, dy nga anëtarët e zgjedhur sipas pikës 1 të nenit 14 dhe nenit 181 të këtij kodi  e ushtrojnë mandatin e parë  për 3 vjet me të drejtë rizgjedhjeje. Një anëtar të cilit  i ndërpritet mandati përpara kohe përcaktohet me short  mes tre anëtarëve të propozuar nga shumica  parlamentare dhe anëtari tjetër mes  tre anëtarëve të propozuar nga opozita parlamentare sipas pikës 1 të nenit 14 të këtij Kodi. KQZ  zhvillon hedhjen e shortit në seancë publike jo më vonë se 10 ditë nga mbledhja e parë. 

2.         Kryetari i KQZ i zgjedhur sipas nenit 15 të këtij Kodi e ushtron këtë detyrë për  4 vjet me të drejtë rizgjedhjeje duke qenë një nga kandidatët sipas germës (a) të nenit 15.

Neni 184 Nxjerrja e akteve nënligjore

1.         1. Ngarkohet KQZ-ja që, në përputhje me përcaktimet dhe afatet kohore të vendosura në këtë Kod, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të tij.

            3.         2. Jo më vonë se 60 ditë nga mbledhja e parë , KQZ  e zgjedhur  pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të  këtij ligji,  duhet të miratojë Rregulloren e KQZ-së e cila përfshin edhe marrëdhëniet e anëtarëve me administratën e KQZ-së.

Neni 93 Vendndodhja e qendrave të votimit, selive të KZAZ-ve dhe Vendeve të Numërimit të Votave

3. KQZ mund të caktojë qendra votimi në ndërtesa private, kur nuk ka mundësi objektive për të përdorur një ndërtesë publike në zonën e qendrës së votimit ose në një  zonë qendre votimi fqinje. Propozimi për caktimin e tyre paraqitet me dy objekte alternative, planimetrinë përkatëse ose fotografi të ambientit,  një përshkrim për lehtësirat që ofron objekti për zhvillimin normal të zgjedhjeve dhe që plotëson kriteret e përcaktuara në këtë nen. Bëjnë përjashtim rastet kur nuk është e mundur gjetja e një objekti alternativ.

4. Me kërkesë të një anëtari të saj KQZ-ja urdhëron administratën për të kryer verifikimin përkatës në terren, e cila paraqet  një raport për plotësimin e kushteve të parashikuara në këtë kod apo në akte të tjera. Vendimi merret në konsultim me përfaqësuesit e akredituar të  subjekteve në KQZ.   Një kopje e vendimit të KQZ afishohet qartë në hyrjen e QV apo VNV përkatëse në ditën e votimit. 

Neni 94 Vendndodhja dhe përgatitja e Vendeve të Numërimit të Votave

 

Jo më vonë se 40 ditë nga data e zgjedhjeve ( ishte jo më vonë se 30 ditë). Neni 95 Ngritja e Grupeve të Numërimit të Votave (GNV)

1 Për numërimin e votave në rang ZAZ-je, me vendim të KZAZ-së, 10 ditë para ditës së votimit, caktohen Grupe Numërimi të Votave. Numri i grupeve numërimit është dy për çdo tavolinë numërimi, sipas pikës 2 të nenit 94 të këtij Kodi. Anëtarët e grupeve të numërimit të votave duhet të plotësojnë kushtet dhe kriteret e neneve 30 dhe 31 të këtij Kodi. Propozimet për emërimin e anëtarëve duhet të dorëzohen në KZAZ të paktën 12 ditë përpara datës së zgjedhjeve.

Neni 98 Përmbajtja e fletëve të votimit

Fleta e votimit përmban element teknik në formën e kodeve që identifikojnë zonën zgjedhore, qendrën e votimit si dhe elementë të tjerë identifikues që nuk lexohen më sy të lirë.

2. Fletët e votimit prodhohen në blloqe pa kundërfletë. Numri i serisë së bllokut të fletëve të votimit shënohet në dokumentin që shoqëron bllokun e ambalazhuar, sipas përcaktimeve të KQZ-së.

3. Emrat e subjekteve zgjedhorë vendosen në fletën e votimit, sipas rendit të përcaktuar në mënyrë të rastësishme nga shorti

Neni 103 Vulosja e fletëve të votimit

1. Në pjesën e pasme, fletët e votimit vulosen me vulën e KQV-së dhe me vulën e kryetarit të KQV-së. Në rast se një nga vulat është dëmtuar ose nxjerrë jashtë qendrës së votimit, KQV-ja pajiset menjëherë me vulë rezervë për zëvendësimin e vulës së nxjerrë nga përdorimi. Rregullat për administrimin dhe shpërndarjen e vulës rezervë përcaktohen me akt normativ të KQZ-së. Fakti i nxjerrjes së vulës nga përdorimi shënohet në Librin e Protokollit të Mbledhjeve të KQV-së  bashkë me orën përkatëse. Dëmtimi i qëllimshëm ose nxjerrja e vulës jashtë QV-së përbën vepër penale dhe ndëshkohet sipas nenit 326/a të Kodit Penal.

Neni 2 Sistemi Elektronik i Numërimit (SEN)

1. Sistemi Elektronik i Numërimit (SEN)  përbëhet nga tërësia e pajisjeve elektronike, kompjuterike dhe programeve të ndryshme informatike, nëpërmjet të cilave në mënyrë, automatike e të pavarur, realizohet numërimi dhe vlerësimi fletëve të votimit, si dhe nxjerrja e rezultatit zgjedhor.

2. Përdorimi i  SEN  dhe zgjidhja teknike e ofruar miratohet me vendim të KQZ të miratuar nga jo më pak se 5 anëtarë. Ky vendim duhet të miratohet jo më vonë se 6 muaj përpara datës së parë të mundshme për zhvillimin e zgjedhjeve. Në rastin e zgjedhjeve të parakohshme ky vendim merret jo më vonë se 5 ditë nga data e shpalljes së dekretit për caktim e këtyre zgjedhjeve. Vendimi merret  në konsultim me përfaqësues të partive parlamentare në KQZ.

Ndryshimet e propozuara në Kodin Zgjedhor

PJESA X

ANKIMI NË RRUGË ADMINISTRATIVE I VENDIMEVE

TË KOMISIONEVE ZGJEDHORE

Neni 124 E drejta e ankimimit

1. Çdo parti politike, pjesëtare, ose jo e një koalicioni dhe kandidati i propozuar nga zgjedhësit kanë të drejtë të ankohen në KQZ kundër vendimeve të KZAZ-së, që cenojnë interesat e tyre të ligjshëm, brenda 3 ditëve nga data e shpalljes së vendimit.

2. Kundër vendimit të KZAZ-së për shpalljen e rezultatit për zgjedhjet e organeve të njësive të qeverisjes vendore nën juridiksionin e saj, të marrë sipas nenit 122 të këtij Kodi, mund të paraqitet ankim në KQZ jo më vonë se 5 ditë nga shpallja e vendimit për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të Zonës Zgjedhore. Ankimi ndaj vendimit mund të përmbajë ndryshimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të Zonës Zgjedhore ose/dhe pavlefshmërinë e rezultatit në një apo disa QV-ve sipas nenit 160 të Kodit.

3. Kundër vendimit të KQZ-së për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të Zonës Zgjedhore të marrë sipas nenit 123 të këtij Kodi, mund të paraqitet ankim po në KQZ jo më vonë se 5 ditë nga shpallja e këtij vendimi. Ankimi ndaj vendimit mund të përmbajë ndryshimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të Zonës Zgjedhore ose/dhe pavlefshmërinë e rezultatit në një apo disa QV-ve sipas nenit 160 të Kodit.

4. Në çdo rast ankimi për pavlefshmëri sipas nenit 160 dhe ankimi për ndryshimin e tabelës së rezultatit paraqitet në të njëjtën kërkesë ankimore sipas pikave 2 dhe 3 të këtij neni. Në kërkesë përcaktohen QV-të për të cilat kërkohet ndryshimi i rezultatit apo pavlefshmëria.

5. Të drejtën e ankimit, sipas pikës 1 të këtij neni, e kanë edhe individët ose partitë politike, të cilëve u është refuzuar kërkesa për regjistrim si subjekt zgjedhor, si dhe subjektet e përmendura në nenin 6 të këtij Kodi, kundër refuzimit të kërkesave për akreditim të vëzhguesve, në rastet kur akreditimi i vëzhguesve u delegohet KZAZ-ve. Vendimet e KQZ-së për regjistrimin apo refuzimin për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor, të marra në zbatim të pjesës IV të këtij Kodi, ankimohen sipas kreut I të pjesës XI të këtij Kodi në Kolegjin Zgjedhor.

6. Në shqyrtimin e kërkesave ankimore të paraqitura, KQZ-ja shqyrton të gjithë problematikën e tyre, përfshirë edhe pavlefshmërinë e zgjedhjeve në qendra të caktuara votimi, pa u kufizuar në objektin e kërkimit të kërkesës ankimore të paraqitur nga subjekti zgjedhor.

Neni 125 Llogaritja e afateve (riformulohet paragrafi i pare)

1. Afatet që në pjesën X dhe XI  të këtij Kodi  janë përcaktuar me orë llogariten duke përjashtuar orën në të cilën lind e drejta e ankimit ose detyrimi administrativ. Në të gjitha rastet kur afatet në këtë Kod llogariten me orë, organi administrativ i ngarkuar nga ky Kod është i detyruar të shënojë në aktin administrativ orën e shpalljes së aktit. Në rast të kundërt, afati llogaritet duke filluar nga ora 800 e ditës pasardhëse.

Neni 127 Regjistrimi i kërkesave ankimore nga KQZ-ja

1. Kërkesat ankimore depozitohen në selinë e KQZ-së. KQZ-ja krijon dhe mban një regjistër të posaçëm për regjistrimin e kërkesave ankimore. Regjistri i Ankimeve Zgjedhore është i vlefshëm vetëm për zgjedhjet në proces.2. Regjistri i Ankimeve Zgjedhore përmban:

a) numrin rendor të kërkesës ankimore;

b) datën dhe orën e paraqitjes së ankimit;

c) subjektin ankimues;

ç) objektin e ankimit;

d) numrin dhe llojin e dokumenteve që i bashkëngjiten kërkesës ankimore.

3. Pas bërjes së shënimeve në regjistër, subjekti që ankohet merr nga KQZ-ja një vërtetim, i cili provon dorëzimin dhe marrjen e kërkesës ankimore.

4. KQZ-ja nuk mund të refuzojë për asnjë shkak regjistrimin e kërkesave ankimore.

5. Regjistri i Ankimeve është vetëm për zgjedhjet e radhës. Hapja e regjistrit të kërkesave ankimore për zgjedhjet e radhës bëhet jo më vonë se 24 orë nga shpallja e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve pararendëse. Në këtë regjistër shënohen edhe kërkesat ankimore për zgjedhjet e pjesshme që zhvillohen midis dy zgjedhjeve të përgjithshme.

Neni 128 shfuqizohet

Neni 132  Bashkimi i kërkesave ankimore

1. Shqyrtimi i kërkesave ankimore ndaj rezultatit të një zone zgjedhore sipas nenit 124 fillon vetëm pas kalimit të afatit të përcaktuar ne pikat  2 dhe 3 të nenit 124. KQZ-ja, përpara ose gjatë shqyrtimit të një kërkese ankimore, vendos shqyrtimin bashkërisht të saj me një ose më shumë kërkesa të tjera ankimore, të paraqitura nga subjekte të ndryshme kundër të njëjtit vendim të KZAZ-së sipas nenit 122 apo sipas rastit të KQZ-së sipas nenit 123 për rezultatin dhe/ose pavlefshmërinë e votimit .

2. Kur për të njëjtën zonë zgjedhore janë paraqitur në KQZ disa kërkesa ankimore dhe kur të paktën njëra prej tyre ka në objekt pavlefshmërinë e zgjedhjeve në një apo më shumë QV sipas nenit 160 të këtij Kodi, KQZ-ja merr në shqyrtim fillimisht pretendimin për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në ato QV. Vendimi i KQZ-së për pavlefshmërinë e një apo më shumë QV-ve sipas nenit 160, është vendim i ndërmjetëm dhe mund të ankohet në Kolegjin Zgjedhor  bashkë me vendimin e KQZ-së që zgjidh ankimin e paraqitur sipas nenit 124 të Kodit.

3. Vendimi i KQZ-së për bashkimin e kërkesave ankimore është i formës së prerë.

4. Vendimi i KQZ-së për bashkimin e kërkesave ankimore shpallet për publikun në hyrjen e selisë së KQZ-së jo më vonë se dy orë pas marrjes së tij.

Neni 136 Paraqitja e pretendimeve dhe kërkimi i provave

3. Kërkesa për marrjen e provave sipas germës “C” të pikës 1 të këtij neni kur mbështetet nga  dy anëtarë të KQZ-së dhe kur këto prova administrohen vetëm nga KQZ,  pranohet menjëherë pa ju nënshtruar debatit apo votimit në KQZ. KQZ është e detyruar të procedojë menjëherë me marrjen dhe shqyrtimin e provave të kërkuara.

Neni 141 Mbyllja e hetimit administrativ

Kërkesa mund të përfshijë ndryshimin e tabelës së rezultatit ose pavlefshmërinë e zgjedhjeve në QV të caktuara. KQZ është e detyruar të marrë në shqyrtim pretendimin e ri dhe të riçel hetimin administrativ.

2. Pas përfundimit të hetimit administrativ, KQZ-ja pyet palët nëse kanë kërkesa ose prova të tjera në dobi të shqyrtimit të çështjes dhe në rast se ato nuk pranohen, KQZ-ja i jep fund hetimit administrativ dhe i fton palët të parashtrojnë pretendimet përfundimtare.