Ja kush e përcakton fituesin e 23 Qershorit

479
Sigal

Flasin intelektualët: Prof. Koço Danaj, Zhani Ciko, At’ Nikoll Marku dhe Dëfrim Shkupi: Elektorati kërkon ide të reja nga politika për të shkuar në votime!

 Deri tani kemi ndjekur publikimin e disa sondazheve për zgjedhjet parlamentare, të cilat për hir të së vërtetës priten me shumë interes nga opinioni i brendshëm shqiptar, ose edhe nga ndërkombëtarët. Megjithëse, një pjesë e madhe e këtyre sondazheve janë projekte të paguara nga qarqe të ndryshme të politikës, përsëri, ajo që mund të themi si një emërues të përbashkët për të gjitha sondazhet e deritanishme, është diferenca shumë e vogël e fituesit të këtyre zgjedhjeve nga humbësi. Kështu p.sh, në dy nga sondazhet e fundit u publikua diferenca prej rreth 2 për qindësh, të fitores së koalicionit të majtë ndaj koalicionit të djathtë. Por nga ana tjetër, autorët dhe skenaristët e këtyre sondazheve pohojnë se marzhi i gabimeve është më shuam se 2.5 për qind. Pra, në këtë diferencë të vogël që ka fituesi nga humbësi, askush nuk mund të quhet deri tani maxhorancë, apo minorancë. Përveç kësaj, kur bëhen parashikimet dhe studimet e numrit të pjesëmarrësve në votime, thuhet vazhdimisht se numri i të pavendosurve është më shuam se 40 për qind. Kjo gjë tregon, se asnjë prej dy partive kryesore, ose prej dy koalicioneve politike nuk mund të sigurojë më shumë vota, se sa gjenden në kontingjentin e të pavendosurve, ose atyre që quhen “indiferentë të politikës”. Pavarësisht, nga shkaqet që i kanë bërë këta njerëz të ftohtë ndaj lëvizjeve politike, përsëri duhet pranuar se ky grup njerëzish që në rastin më të vogël, kap 40 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve, nëse merr pjesë në votime, do të ndikojë plotësisht në fitoren e njërës, apo tjetrës. palë.

Problemet

Deri tani partitë kryesore dhe aleatët e tyre kanë shpalosur platforma për militantët e tyre, ose për pjesën e elektoratit që ka një tradicion në votimet elektorale, duke hedhur votën për krahun e majtë, apo të djathtë. P.sh atyre u janë premtuar vende pune, apo lehtësira e privilegje të ndryshme.  Por në fakt, asnjë prej këtyre partive nuk ka një platformë të përsosur për tërheqjen e të pavendosurve. Sepse në radhë të parë për të shëruar një epidemi, duhen studiuar shkaqet që e krijuan atë. Dhe meqë ethet e rritjes së numrit të personave të pa vendosur po shtohen dita ditës, atëherë ka ardhur momenti që partitë politike të ndalen seriozisht në platformat e veçanta për ta. Nga ato që kemi dëgjuar kohët e fundit thuhet se shumë shqiptarë do të vijnë nga emigracioni për të votuar, por ndërkaq ka shumë shqiptarë që ndodhen brenda kufijve, të cilët nuk kanë pranuar dhe nuk do të pranojnë ët votojnë, për asnjë forcë politike, përderisa ata nuk gjejnë të mishëruar në programet politike interesat e tyre të grupit, apo ato personale. Kjo përbën një detyrë emergjente për Berishën dhe Ramën, që në këto javë të mbetura të përveshin mëngët dhe së bashku me ekipet e tyre të hartojnë alternativa të besueshme dhe pa slogane. Sepse që të thithësh të pavendosurit në kutitë e votimit nuk mjafton vetëm që të thuash se “do hapim 300 mijë vende pune, por në radhë të parë duhet të bindësh njerëzit se në çfarë mënyre do të rritet punësimi duke hapur perspektiva të reja për vendin. Largimi dhe ftohja e këtij kontingjenti njerëzish ka ndodhur për shkak të rritjes së korrupsionit, rritjes së kriminalitetit, rritjes së varfërisë, mosbesimit te liderë të ndryshëm të politikës, rritjes së shkallës së mashtrimit, e shumë të tjera. Prandaj, për të vënë gishtin mbi plagë duhen luftuar më parë shkaqet që rritën korrupsioni, mjedisi që e shumëfishon krimin  e organizua, rritjen e papunësisë, etj..

 Koço Danaj: Kush u paraqet ide të pavendosurve, fiton me votën e tyre

Intelektuali i njohur shqiptar dhe kreu i Listës së Shqipërisë Natyrale, Koço Danaj, është i mendimit se numri i indiferentëve, ose i personave të pavendosur për votimin e 23 Qershorit, po shtohet përditë. “Nga mediat kemi dëgjuar se ky numër kap shifrën prej 40 për qind, por unë mendoj se kjo shifër po shtohet dita – ditës dhe ky është një tregues pozitiv”, vuri në dukje ai. Sipas tij, shtimi i numrit të personave të pavendosur për të votuar, përbën një presion real për politikanët shqiptarë. “Unë mendoj se ky kontingjent është në pritje të ideve për të zgjedhur alternativën më të mirë”,- tha ai. Nga ana tjetër, Danaj e vuri theksin tek çështja kombëtare, tek ulja e papunësisë, ulja e kriminalitetit dhe tek zhdukja e nivelit të varfërisë ekstreme. Por sipas tij, primare është çështja kombëtare dhe bashkimi i katër vilajeteve tona. Unë pres një kryeministër si Ismail Qemali që të bashkohem në koalicion me të dhe me Isa Boletinin, apo Hasan Prishtinën”, theksoi Danaj. Në këtë mënyrë ai evidentoi faktin se, politikanët kanë përpara dy rrugë: Ose të japin ide të sakta për elektoratin, ose ta lënë këtë pjesë të të pavendosurve brenda shtëpive të tyre më 23 Qershor. “Kush di të hedh ide të vërteta ai do të fitojë zgjedhjet nëpërmjet votës së këtij kontingjenti”, nënvizoi Danaj…

Zhani Ciko: Të pavendosurit, shifër e lartë!

Dirigjenti dhe muzikanti i madh shqiptar Zhani Ciko, duke folur ekskluzivisht për gazetën “Telegraf”, u shpreh se në zgjedhjet e 23 Qershorit duhet të marrin pjesë të gjithë, në mënyrë që vota të jetë m e vritet dhe më gjithëpërfshirëse. Sipas Cikos, një pjesë e madhe e elektoratit shqiptar, pra rreth 40 për qind janë përgatitur të bojkotojnë procesin e votimit, duke u treguar indiferentë për zhvillimet politike, por kjo nuk duhet të ndodhë. “Unë mendoj se pjesëmarrja e sa më shumë njerëzve në votimet parlamentare do ta shtojë vërtetësinë e gjithëpërfshirjes dhe në aspektin moral do ta legjitimojë më shumë përbërjen e këtij Parlamenti. Por sipas Cikos, që të realizohet kjo pjesëmarrje duhen takuar njerëzit derë më derë e kokë më kokë, duke bashkëbiseduar me ta. “Të gjithëve u duhen shpjeguar skemat dhe alternativat, perspektiva dhe rruga e ardhshme e Shqipërisë evropiane, në mënyrë që të pavendosurit të vendosin për të shkuar në kutinë e votimit”. Dirigjenti shqiptar dhe Drejtori i TOB-it, Zhani Ciko tha gjithashtu se, politika duhet të shpalosë mesazhet e saj për të nxitura të pavendosurit që të shkojnë në votime. “Ashtu si një shfaqje operistik, apo si një film që jep mesazhe të forta pozitive për jetën, edhe politika duhet të shpalosë mesazhet reale për perspektivën e fëmijëve tanë”, tha ai  Më tej, Ciko vuri në dukje se: “askush nuk duhet të privohet nga qejfmbetjet e mundshme gjatë kësaj periudhe por secili duhet të shohë perspektivën e vendin tonë në gjirin e familjes evropiane”. Komentin e tij Ciko e mbylli me fjalët: Më 23 Qershor askush të mos qëndrojë në shtëpi, por të gjithë të votojnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre”.

At’ Nikoll Marku: Besimtarët në votime!

“Asnjeri të mos qëndrojë në shtëpi më 23 Qershor, por të gjithë të shkojnë për të votuar në qendrat e tyre të votimeve”. Kjo ishte thirrja që u bën shqiptarëve prifti i kishës ortodokse At’ Nikoll Marku, i cili kërkoi që dita e votimeve të kthehet në një ditë paqeje dhe mirëkuptimi. Më 23 Qershor nuk duhet të ketë asnjë ngjarje të shëmtuar në qendrat e votimeve, në mënyrë që ne shqiptarët të tregojmë kulturën tonë europiane dhe tradicionale dhe të huajt të shohin, pamjet tonë të vërtetë me sytë e tyre”,- tha ai. I pyetur për mënyrën se si duhet tërhequr elektorati i pavendosur në zgjedhjet e 23 Qershorit, At’ Marku tha se: kjo do të bëhet duke i shpjeguara tyre shtëpi më shtëpi, se cila është alternativa më e mirë dhe cila duhet të korrigjohet akoma për të fituar përsosmërinë”. Nga ana tjetër, At’ Marku u shpreh se atë ditë ai vetë do t’u bëjë thirrje të veçantë të gjithë besimtarëve që të nisen direkt pranë kutive ët votimit. “Nuk ka rëndësi se për kë forcë politike do të votojnë, por mjafton që ata duhet të shkojnë në votime me një pjesëmarrje të lartë për të mirën e Shqipërisë, përfundoi At’ Nikollë Marku.

 Dëfrim Shkupi: Të pavendosurit, një faktor vendimtar

Politika duhet të veprojë shpejt dhe me efikasitet për të thithur kontingjentin e personave të pavendosur në mënyrë që rezultati i zgjedhjeve të jetë sa më gjithëpërfshirës. Këtë deklarata e bëri dje, Prof. Dr. Dëfrim Shkupi, i cili nënvizoi se aktualisht më shumë se 45 për qind e popullatës nuk ka ndërmend të shkojë në votime. “E vetmja mënyrë që do t’i detyrojë ata që të votojnë është deklarimi i së vërtetës, duke i shpjeguara në radhë të parë se përse Shqipëria në këto 23 vjet ka mbetur prapa të tjerëve”, vuri në dukje Shkupi. Nga ana tjetër, Prof. Dr.Dëfrim Shkupi evidentoi shkakun e ftohtësisë së elektoratit të sotëm dhe shtimin e këtij kontingjenti dita ditës. Kjo ndodh se politikanët shqiptarë që kanë pasur në dorë pushteti, ndrysh flasin dhe ndryshe veprojnë”,- tha ai. Pra, sipas tij, nëse ata premtojnë gjatë fushatave hapjen e vendeve të punës, në të vërtetë pas marrjes së pushtetit, ndodh e kundërta dhe papunësia shtohet koma amë shumë. “Unë mendoj se ky numër të pavendosurish do të jetë përcaktues për fitoren e zgjedhjeve parlamentare, sepse ata do të bëjnë diferencën përfundimtare për marrjen e maxhorancës”, vuri në dukje Shkupi