Ja kryebashkiakët që janë zgjedhur më shumë se dy herë

545
Sigal

Studimi/ Koalicionet dhe mandatet, fenomeni ‘bastion’ dhe rotacionet, mandatet përsëritëse dhe gratë kryebashkiake në zgjedhjet vendore

Në kontekstin e aktualitetit të krijuar për shkak të debatit për reformën territoriale dhe në vigjilje të vitit elektoral 2015, Open Data Albania sugjeron analiza mbi përzgjedhjen e kryetarëve të bashkive në katër proceset e fundit elektorale, duke ndaluar tek raporte sipas kahut politik, kryetarë me mandate të përsëritura, fenomeni bastion dhe raporte gjinore. Të dhënat janë marrë në buletinet elektronike apo manuale të Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve. Artikujt hulumtues përmbajnë informacion statistikorë dhe nominal për fituesit si kryetar bashkie dhe komune në zgjedhjet për pushtetin lokal të vitit 2000, 2003, 2007 dhe 2011. Në Republikën e Shqipërisë në bazë të ndarjes administrative territoriale, sipas ligjit aktual funksionojnë 65 bashki.

 KOALICIONET DHE MANDATET

Nuk janë klasifikuar sipas një kahu politik kandidatët e pavarur ose kandidatët e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut PBDNJ, kur kjo parti ka kandiduar e vetme pa koalicion me forca të tjera politike.

Koalicioni i majtë

Kandidatë të partive politike të kahut të majtë apo koalicione të drejtuara nga Partia Socialiste kanë fituar përkatësisht:

• 50 mandate ose 78% të bashkive në Republikën e Shqipërisë, në Zgjedhjet për Pushtet Lokal të vitit 2000.

• 37 mandate ose 57% të bashkive në Republikën e Shqipërisë, në Zgjedhjet për Pushtet Lokal 2003.

• 26 mandate ose 40% të bashkive në Republikën e Shqipërisë, në Zgjedhjet për Pushtet Lokal të vitit 2007.

• 37 mandate ose 57% të bashkive në Republikën e Shqipërisë, në Zgjedhjet për Pushtet Lokal të vitit 2011.

Koalicioni i djathtë

Kandidatë të partive politike të kahut të djathtë apo koalicione të drejtuara nga Partia Demokratike kanë fituar përkatësisht:

•14 mandate ose 21,5% të bashkive në Republikën e Shqipërisë, në Zgjedhjet për Pushtet Lokal 2000

• 25 mandate ose 35.5% të bashkive në Republikën e Shqipërisë, në Zgjedhjet për Pushtet Lokal 2003

• 36 bashki ose 55% të bashkive në Republikën e Shqipërisë, në Zgjedhjet për Pushtet Lokal 2007

• 28 bashki ose 43% të bashkive në Republikën e Shqipërisë, në Zgjedhjet për Pushtet Lokal 2011

Specifikat e zgjedhjeve lokale 2000 dhe 2011

Proceset zgjedhore për pushtet lokal 2000 dhe 2011 karakterizohen nga dy element të veçantë: Në vitin 2000 Partia Demokratike dhe aleatët u tërhoqën nga kandidimi në raundin e dytë sipas balotazhit duke e cilësuar të parregullt procesin e vlerësimit të rezultatit për balotazh. Kjo përkon me rezultat prej vetëm 14 kryetar bashkie fitues nga e djathta, mandate te fituara këto që në raundin e parë zgjedhorë.

Në zgjedhjet për pushtet vendor 2011 partitë politike u organizuan në koalicione të miksuara, përsa i takon kahut politik. Kështu Lëvizja Socialiste për Integrim, Aleanca Demokratike dhe Partia Agrare Ambientaliste u renditën në Koalicionin Aleanca për Qytetarin AQ (udhëhequr nga parti te djathta) ndërsa në zgjedhjet për pushtet lokal të mëparshme kishin kandiduar si parti të majta. I njëjti fenomen u shënua në Koalicionin tjetër atë Aleanca për të Ardhmen AA, ku u rreshtua edhe Partia Demokristiane.

 

Fenomeni “Bastion”

Në total bashki që mund të konsiderohen të prekura nga fenomeni “bastion” apo rikonfirmim katër here radhazi i një kahu politik janë 14 ose 21.5% e bashkive në rang vendi. Konkretisht 11 janë kryebashkiakë të kandiduar nga subjekte zgjedhore të majta dhe 3 janë kryebashkiakë të kandiduar nga subjekte zgjedhore djathtas.

• Sipas analizës së ODA, kandidatë të subjekteve zgjedhore të kahut të majtë politik kanë fituar katër herë radhazi 11 bashki ose 17% të mandateve në rang vendi. Konkretisht bëhet fjalë për: Beratin, Kuçovën, Durrësin, Fierin, Patosin, Gjirokastrën, Libohovën, Ersekën, Maliqin, Pogradecin dhe Vlorën.

• Ndërsa, kandidatë të subjekteve zgjedhore të kahut të djathtë politik kanë fituar katër herë radhazi 3 bashki ose 4.5% të mandateve në rang vendi. Konkretisht tre bashkitë janë: Bulqiza, Bajram Curri dhe Shkodra.

Nuk janë klasifikuar sipas një kahu politik kandidatët e pavarur ose kandidatët e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut PBDNJ, kur kjo parti ka kandiduar e vetme pa koalicion me forca të tjera politike.

Rotacionet

Interesant është edhe fenomeni i thyerjes së “bastioneve” politike në procesin zgjedhor për pushtet lokal 2011. Kështu në këtë proces zgjedhor shënohen 10 rotacione të kahut politik pas tre mandateve radhazi, përkatësisht 7 rotacione janë nga e majta tek e djathta dhe 3 rotacione janë nga e djathta tek e majta.

• Bashki me rotacion të kahut politik nga e majta tek e djathta pas tre mandateve radhazi janë: Tirana; Rrogozhina; Lezha; Belshi; Çorovoda; Përrenjasi; Roskoveci.

• Bashki me rotacion të kahut politik nga e djathta tek e majta pas tre mandateve radhazi janë: Laçi; Rubiku dhe Kavaja.

• Vetëm dy bashki ose 3% e totalit të bashkive paraqesin fenomenin e rotacionit të kahut politik tre herë radhazi brenda katër mandateve 2000 – 2015. Konkretisht bashkia e Librazhdit dhe e Fushë Arrëzit. Këto dy bashki përbëjnë modelimin e zonave të paprekura nga fenomeni “bastion” politik.

Mandatet përsëritëse

Duke krahasuar rezultatet zgjedhore te katër proceseve të fundit elektorale për qeverisjen lokale rezulton se në drejtimin e bashkive në vend ka kryetar që kanë fituar dhe qeverisin për një mandat të tretë apo të katërt.

• Sipas analizës së Open Data Albania, në zgjedhjet për Pushtetin Lokal të mbajtura në vitin 2007, dhe që përkon më mandatin qeverisës 2007 – 2011 janë rikonfirmuar në një mandat të dytë qeverisës 24 kryebashkiakë ose 37% e listës se fituesve. Në mandatin e tretë qeverisës u shënuan në Zgjedhjet 2007, 6 kryebashkiakë ose 9% e listës fituese. Konkretisht: z. Artur Kurti, bashkia Kuçovë; z. Arif Tafani, bashkia Belsh; z. Adriatik Braçe, bashkia Ersekë; z. Gëzim Topçiu, bashkia Maliq; z. Bardhyl Peka, bashkia Krumë dhe z. Edi Rama, bashkia Tiranë.

• Kështu në Zgjedhjet për Pushtet Lokal të mbajtura në vitin 2011 që përkon edhe me mandatin katërvjeçar 2011 – 2015 janë përzgjedhur në një mandat të dytë 14 kryebashkiakë ose 21,5 % e listës së kryetarëve të bashkive në vend.

• Aktualisht, në mandatin e tretë qeverisës janë 11 kryebashkiakë ose 17% e listës në total. Konkretisht janë: z. Fadil Nasufi, bashkia Berat; z. Adriatik Zotkaj, bashkia Poliçan; z. Roland Keta, bashkia Bulqizë; z. Ilir Krosi, bashkia Peshkopi; z. Baftiar Zeqaj, bashkia Fier; z. Flamur Bime, bashkia Gjirokastër; z. Valter Miza, bashkia Bilisht; z. Fatmir Gruda , bashkia Leskovik; z. Artan Shkëmbi, bashkia Pogradec; z. Fiqiri Ismaili, bashkia Vorë dhe z. Shpëtim Gjika, bashkia Vlorë.

• E veçantë sipas kësaj analize është se një nga bashkitë, konkretisht ajo e Maliqit në rrethin Korçë, drejtohet për herë të katërt nga i njëjti individ, z. Gëzim Topçiu.

Raportet gjinore

Ndër vite konstatohet se numri i grave të përzgjedhura për të drejtuar një bashki është në nivel tepër të ulët.

• Kështu në Zgjedhjet për Pushtet Lokal të vitit 2000 kemi 5 bashki që drejtohen nga gratë. Procesi zgjedhor i vitit 2000 përmban edhe rezultatin më të mirë sa i takon këtij raporti me kuotën 7,6%.

• Në procesin zgjedhor të vitit 2003 nuk patëm asnjë grua të përzgjedhur si fituese në garat për kryebashkiakë(e). Të gjashtëdhjetë e pesë bashkitë në vend në mandatin 2003 – 2007 u drejtuan nga kryetar meshkuj.

• Në zgjedhjet për pushtet lokal të vitit 2007 nga konkurrimi në 65 bashki doli fituese për të drejtuar një të tillë vetëm znj. Afërdita Alite në Bashkinë e Shijakut.

• Ndërsa në mandatin aktual të krerëve të bashkive në rrethe, numërohen vetëm tre zonja fituese. Konkretisht znj. Adelina Forrici për bashkinë e Burrelit; znj. Rajmonda Balilaj për bashkinë e Patosit dhe znj. Mimoza Arapi për bashkinë e Delvinës. Përfaqësimi gjinorë me të zgjedhura kryebashkiake gra është në nivelin 4,6%.