Ja kandidatët me biografi të pasur kriminale dhe korruptive, do të fshihen nga listat zgjedhore

489
Në funddhjetorin e 2014-s maxhoranca dhe opozita nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit, ku një nga pikat kryesore ishte edhe dekriminalizimi i parlamentit. Mirëpo, kjo marrëveshje ka mbetur thjesht në arkivin e kohës, pasi asnjëra palë nuk ka dëshirën më të vogël që ta zbatojë.
Ja pse partitë nuk duan dekriminalizimin e kandidatëve për kryebashkiakë
Në emrat që deri tani po përfliten, apo që edhe janë zyrtarizuar për kryebashkiakë, disa prej tyre kanë patur probleme me ligjin dhe kjo dëshmon që politika ende nuk ka vullnet për dekriminalizimin e saj. Në fakt termi “dekriminalizimi” është politik, ngaqë Kodi Penal nuk e përcakton, por fakti është se krimi dhe politika bashkekzistojnë, duhet të përgjegjësojë edhe më shumë politikëbërjen për autokatharsin. Në fakt, në Kodin Zgjedhor, edhe pse u ndryshua dhe që u dekretua edhe nga Presidenti, para 4 ditësh, nuk ka asnjë kufizim apo ndalim ligjor për kandidatët që do jenë për kryetarë bashkie, por edhe për anëtarë të këshillit bashkiak. KQZ-ja, apo KZAZ-ja nuk kanë asnjë kompetencë ligjore, që të monitorojnë pastërtinë penale të kandidatëve që do garojnë në 21 qershor 2015, për zgjedhjet e pushtetit vendor, përveçse në rastet ekstreme, kur me vendim të formës së prerë gjykata e ka dënuar atë, që të mos kryejë asnjë funksion publik, për një kohë të kufizuar. Pra, transparenca e pastërtisë penale të kandidatëve, thjesht u është lënë në dorë kryetarëve të partive, që ata, sipas dëshirës të filtrojnë kandidatët. Mirëpo, ky boshllëk juridik në Kodin Zgjedhor, i lënë në dëshirën e kryetarëve të partive politike, nuk është bërë barrierë dhe as ka penguar që persona të inkriminuar, që kanë lidhje me krimin e organizuar, që kanë kryer vetë krime, që kanë qenë dënuar edhe penalisht, apo çështjet e tyre gjyqësore nuk kanë përfunduar, që janë persona të korruptuar, të jenë bërë edhe deputetë. Interesi ka qënë reciprok midis këtyre personave të ikriminuar dhe subjekteve politike. Së pari, subjektet politike, në fushatë zgjedhore, kanë hallin e votave, ndaj më shumë janë të interesuar për të mbledhur sa më shumë vota, nëpërmjet influencave, fiseve, ligjit “të të fortit”, në zonën elektorale nga të inkriminuarit, por edhe për ndihmesa financiare, të ardhura edhe nga bota e krimit. Personat e inkriminuar, duke “kontribuar” në zgjedhje, qoftë me influencën e ligjit të Mafies, qoftë edhe financiarisht me shuma të mëdha, të përfituara nga veprimtaritë kriminale të tyre, pjesëmarrjen e tyre politike e shikojnë si një lavatriçe të larjes së mëkateve të tyre kriminale, të pastrimit të parave të përfituara nga veprimtaria e tyre kriminale, por edhe për të konsoliduar zonat e influencave për interesat e tyre. 
Sërish në lista, kandidatë të inkriminuar
Dje u zbardh edhe kandidatura e PBDNJ-shit në bashkinë e Himarës, por reagimi i parë erdhi sapo u bë publik emri i kandidatit, Fredi Beleri, i cili është akuzuar në mesnatën e 10 prillit të vitit 1994 në repartin ushtarak të Peshkëpisë në Gjirokastër. Çështja për shkaqe që nuk mund t’i analizojmë tani, nuk është gjykuar, akuzat mbetën, të akuzuarit nuk kanë marrë pafajësinë gjyqësore, por në perceptimin e opinionit publik, të akuzuarit ende janë fajtorë. Gjithashtu, ka kandidatë, që do të rikandidojnë për kryetar bashkie, por që shpesh herë janë përfolur për korrupsion me lejet e ndërtimit, etj, edhe pse nuk janë të dënuar, kanë në perceptimin e njerëzve njollën e korrupsionit. Ka kandidatë që kryejnë funksione shtetërore, apo kanë kryer në një të kaluar të afërme, kanë abuzuar me fondet publike, kanë shpërdoruar detyrën, pavarësisht, se drejtësia jonë, (të cilën askush nuk e beson) nuk ka dhënë dënime penale kundër tij. Ka kandidate që bashkëshorti i tyre ka në “biografinë” e vet të shkuar kriminale, apo korruptive, dhe kjo duhet të marret parasysh nga subjekti politik. Është i njëllojtë rasti, kur gjykata sekuestron pasurinë e dikujt, për shkak të përfitimit të saj, nga veprimtari kriminale dhe e jashtëligjshme, atëhere, kjo pasuri sekuestrohet, pavarësisht, se i përket edhe familjes. Në ndryshimet që iu bënë Kodit Zgjedhor, 50 % e këshillave bashkiakë do të jenë të gjinisë femërore. Mirëpo kjo është edhe një mundësi më shumë, që të kandidojnë shume gra, që bashkëshortët e tyre apo edhe pjesëtarë të familjes të jenë marrë dhe të jenë implikuar me trafiqe drogash, prostucioni, ndaj partitë politike duhet të bëjnë shumë kujdes në përzgjedhjen e kandidatëve dhe të largojnë të gjithë të inkriminuarit, si edhe ata që kanë pjesëtarë të afërt të familjes me probleme dhe janë dënuar nga drejtësia për vepra kriminale.
Monitorimi i kandidatëve nga ndërkombëtarët
Siç pohoi ditë më parë, edhe vetë ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, SHBA-ja do të monitorojë nga afër kandidatët që do të marrin pjesë në këto zgjedhje. Sipas burimeve konfidenciale të gazetës “Telegraf” ndërkombëtarët kanë monitoruar shumë kandidatura në shumë qytete, kanë evidentuar “biografinë” kriminale të kandidatëve, por edhe të bashkëshorteve të tyre, të cilët janë të implikuar në veprimtari kriminale, në rastet kur do jenë kandidate dhe këto monitorime do t’i përcjellin subjekteve politike. Nëse paskëtaj, kandidatët e inkriminuar nuk do të hiqen nga lista, atëhere ndërkombëtarët do të publikojnë emrat dhe gjithë “biografinë” kriminale të kandidatëve dhe të të afërme të tyre. 
Ja bashkitë ku kandidatët e lakuar në listat paraprake paraqesin problem në lidhje me të kaluarën e tyre ose të bashkëshortëve..
Vlorë
Tiranë
Durrësi
Puka
Shkodër
Devolli
Cërriku
Peqini
Tepelena
Himarë
Përmet
Vorë
Kamëz
Berat
Sigal