Ja funksionarët që rrezikojnë postet

775
Qeveria, zyrtarët e lartë që rrezikojnë postet
Zv/ministrat e ish-partive aleate pritet të jenë ndër të parët që do të detyrohen të lënë detyrat. Rama, vetëm 10 vota në ekzekutiv
Rezultati i zgjedhjeve të 25 qershorit dhe ndryshimi i marrëdhënieve brenda partive që përbënin mazhorancën e mandatit 2013-2017 pritet të shkaktojë lëvizje të rëndësishme të zyrtarëve të lartë. Zëvendësministrat pritet të jenë ndër të parët që do të preken nga ndryshimet, ku më “të goditurit” do të jenë ata të partive aleate. Prishja e marrëdhënieve mes Partisë Socialiste dhe ish-aleatëve të saj, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë për Drejtësi, Integrim e Unitet, do të sjellë ndryshime edhe në emrat e numrave dy të disa ministri. Megjithatë, sipas burimeve, edhe vetë të zgjedhurit e Partisë Socialiste në disa ministri pritet të ndryshohen, në pritje të një formatimi më të gjerë të ekzekutivit në mes të muajit shtator. 

Por nëse vendimi politik i kryeministrit për të larguar zv/ministrat e ish-partive aleate është marrë, Rama ndodhet përpara një ngërçi jo të vogël. Në Këshillin e Ministrave ndodhen vetëm 10 ministra të Partisë Socialiste, ndërsa 21 anëtarët e qeverisë. Kjo e bën të vështirë dhe ndoshta të pamundur vendimmarrjen, në rast se nuk do të ketë një zhbllokim nga të ashtuquajturit “ministra teknikë”. Vota e tyre pritet të jetë përcaktuese në vendimet e qeverisë, të paktën deri në momentin kur ata do të jenë pjesë e ekzekutivit. Por nga ana tjetër, burimet sqarojnë se edhe vetë ndryshimi i ministrave teknikë është i pamundur, në mungesë të një mbledhjeje të Kuvendit për të miratuar dekretet e Presidentit. Ekspertët japin si rrugëzgjidhje në këtë rast një delegim të kompetencave nga ministrat teknikë, në rast se ata do të vendosin të largohen me vullnet. Situata bëhet edhe më e paqartë, nëse kemi parasysh që Kuvendi i ri do të mblidhet rreth datës 10 shtator dhe vetëm në mesin e muajit do të mund të miratojë qeverinë e re për të zhbllokuar situatën. Sidoqoftë, bashkëqeverisja PS-PD-LSI-PDIU ende vazhdon dhe vetëm një dakordësi e ministrave socialistë me ata teknikë, të propozuar nga Partia Demokratike, mund t’i japë dorë të lirë kryeministrit të realizojë ndryshimet. 

Gjithashtu, në varësi të qeverisë mbeten edhe një sërë drejtorësh të rëndësishëm, të cilët nuk mund të ndryshohen, nëse nuk do të ketë një miratim të përbashkët të ministrave. Në bazë të ligjit për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave, aktet e qeverisë miratohen me shumicën e votave të anëtarëve te Këshillit të Ministrave, me votim të hapur.

E.M

Ministri dhe zëvendësministri
1 – Ministri, përveç kompetencave ose detyrave që parashikohen në Kushtetutë dhe në ligje të veçanta, ushtron edhe detyra të tjera, që i ngarkohen nga Këshilli i Ministrave ose nga Kryeministri.

2 – Zëvendësministri zëvendëson ministrin, në kuptimin e pikës 1 të nenit 34 të Kodit të Procedurave Administrative. Zëvendësministri emërohet dhe lirohet nga detyra nga Këshilli i Ministrave, me propozim të Kryeministrit. Me urdhër të ministrit, zëvendësministrit i caktohen edhe detyra të tjera. 

Mbledhjet e Këshillit të Ministrave
1 – Mbledhja e Këshillit të Ministrave thirret nga Kryeministri ose, në mungesë dhe me porosi të tij, nga zëvendëskryeministri.

2 – Në mbledhjet e Këshillit të Ministrave shqyrtohen projektet dhe çështjet e parashikuara në rendin e ditës. Me miratimin e Kryeministrit në mbledhje shqyrtohen edhe çështje të tjera, që nuk kanë lidhje me shqyrtimin dhe miratimin e projekteve, të cilat nuk janë të përfshira në rendin e ditës.

3 – Mbledhja e Këshillit të Ministrave është e vlefshme kur janë të pranishëm më shumë se gjysma e anëtarëve të tij.

4 – Kur, për shkaqe të arsyeshme, ministri nuk mund të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, atëherë ai duhet të njoftojë paraprakisht Kryeministrin dhe në vend të tij, me miratimin e këtij të fundit, merr pjesë, pa të drejtë vote, zëvendësministri.

5 – Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave merr pjesë rregullisht, pa të drejtë vote, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Në raste të veçanta, sipas rëndësisë dhe problematikës së çështjeve të përfshira në rendin e ditës, mund të ftohen të marrin pjese edhe persona të tretë, ekspertë. 

Vendimmarrja
Aktet e Këshillit të Ministrave miratohen me shumicën e votave të anëtarëve te Këshillit të Ministrave, me votim të hapur.
Zv/ministrat
Petro Koçi, Mbrojtja
Idlir Peçi, Mbrojtja
Stefan Çipa, Punët e Brendshme
Rovena Voda, Punët e Brendshme
Ilir Marko, Punët e Brendshme
Odeta Barbullushi, Punët e Jashtme
Halil Hyseni, Punët e Jashtme
Erisa Xhixho, Integrimi
Eralda Çani, Integrimi
Adela Karapici, Ekonomia
Bahri Shaqiri, Transporti
Gjon Radovani, Zhvillimi Urban
Alfred Dalipi, Zhvillimi Urban
Irena Beqiraj, Financat
Erjon Luçi, Financat
Nora Malaj, Arsimi
Rauf Dimraj, Arsimi
Gerti Janaqi, Arsimi
Arben Isaraj, Drejtësia
Etilda Gjonaj, Drejtësia
Zef Çuni, Kultura
Bardhylka Kospiri, Mirëqenia Sociale
Vjollca Braho, Mirëqenia Sociale
Mira Rakacolli, Shëndetësia
Klodian Rjepaj, Shëndetësia
Gëzim Musabelli, Energjia
Ilir Bejtja, Energjia
Kledi Xhaxhiu, Mjedisi
Gjokë Jaku, Bujqësia
Roni Telegrafi, Bujqësia
Sigal