Ja email-i i Taulant Ballës, që udhëzon punësimet partiake në shtet

805
Deputeti i PS, nënkryetar i PS dhe nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla është edhe bashkëkryetari i komisionit parlamentar për dekriminalizimin. Mirëpo, përveç këtyre detyrave të rëndësishme, Taulant Balla ushtron edhe një detyrë shumë të rëndësishme partiake, atë të sekserit të punësimeve partiake në Administratën Publike. Atëherë, pyetja e parë që duhet t’i drejtohemi bashkëkryetarit të Komisionit Parlamentar të Dekriminalizimit, Taulant Ballës është: “A është i inkriminuar një deputet, që shkel ligjin e Nëpunësit Civil dhe emëron me urdhër personal emërime në Administratën Publike, duke përshkelur meritokracinë? Është fakt i ditur me kohë, që Taulant Balla, pas zgjedhjeve të 23 qershorit 2013 u bë edhe shefi i kuadrit të PS. Pa firmën dhe pa urdhrin e Taulant Ballës, nuk mund të emërohej asnjë polic burgu, asnjë doganier, asnjë tatimor, asnjë polic në Policinë e Shtetit, asnjë drejtor rajonal, asnjë inspektor, asnjë punonjëse pastruese në institucione shtetërore, të cilat i drejton qeveria. 

Taulant Balla ka “grisur” ligjin e ri të Nëpunësit Civil
Besoj e mbani mend nëndrejtorin e përgjithshëm të ISKSH,Sokol Skuraj, që edhe pse ishte pronar i disa farmacive të cilat kishin abuzuar me rimbursimin e ilaçeve. Mirëpo, për çudi, prokuroria nuk e preku fare Skuraj, edhe pse drejtori i përgjithshëm i ISKSH Astrit Becaj dha dorëheqjen, sepse për atë skandal përgjegjës ishte edhe nëndrejtori i Përgjithshëm i institucionit, i preferuari i Taulant Ballës, ngaqë i organizoi fushatën zgjedhore në 23 qershor 2013 në Librazhd. E vërteta është se Skuraj u emërua nëndrejtor i Përgjithshëm, pasi ishte i përzgjedhuri i Taulant Balllës. Sot Skuraj ndodhet i dënuar për shkaktim aksidenti me pasojë vdekjeje. Në fakt, autoriteti i Taulant Ballës, si shefi i kuadrit të PS është kaq i pushtetshëm, saqë Taulant Balla urdhëron me email ministrat që të emërojnë në postet që ata kanë në dispozicion vetëm ata që urdhëron Balla. Edhe pse PS, qoftë në opozitë në maj 2013, por edhe në qeverisje, miratoi ligjin e ri “Për Nëpunësin Civil”, “Për Administratën Publike”, si një nga kushtet për marrjen e statusit kandidat, me qëllim që në Shqipëri, të ndërtohet një administratë e depolitizuar, deputeti fuqiplotë i PS, Taulant Balla e “grisi” këtë ligj, duke urdhëruar ministra e drejtorë që të emërojnë në çdo institucion shtetëror vetëm njerëzit e tyre partiakë, duke e politizuar atë më shumë me militantë partiakë dhe për ta vënë në funksion të qëllimeve partiake dhe personale, sikurse ndodhi edhe para zgjedhjeve vendore të 21 qershorit 2015, ku u emëruan në administratën publike, militantë, për t’i dhënë PS votat e tyre dhe të familjeve të tyre.

Ja email-i i Taulant Ballës, drejtuar ministrave, që të emërojnë militantët
Janë zbardhur disa emaile të nënkryetarit të Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla dhe të Ministres së Inovacionit, Milena Harito, të cilët u rekomandojnë deputetëve socialistë, drejtues qarqesh të ndryshme, se si t’i rekrutojnë militantët në sistemin e Administratës Publike. Bëhet fjalë për një vit më parë, kur rekrutimet ishin në kulmin e tyre dhe pas gjashtë muajsh vinin zgjedhjet lokale. I pari është një email i deputetit Balla, emri i të cilit figuron edhe në listat e tjera të punësimeve të bëra publike kohë më parë, për të cilat deputeti Balla nuk i ka përgënjeshtruar asnjëherë, por ka heshtur… Ai u drejtohet disa deputetëve dhe vetë zëvendëskryeministrit Niko Peleshi. Taulant Balla u kërkon deputetit Tom Doshi, ministrave Mimi Kodheli, Saimir Tahiri, Arben Ahmetaj, zv/ kryeministrit Peleshi, deputetëve Tom Doshi, Etjona Hoxha, Fidel Ylli, Ulsi Manja, Ben Blushi dhe një të punësuare në zyrën elektorale të deputetit Koço Kokëdhima, pozicionet e lira që Drejtoria e Administratës Publike ka shpallur sipas qarqeve dhe manualit për të aplikuar online. Taulant Balla i këshillon të sipërpërmendurit që të vendosin në zyrat elektorale persona që të administrojnë dhe instruktojnë njerëzit e PS që të aplikojnë për t’u futur në poste të administratës publike, duke e shndërruar kështu në farsë garën dhe meritokracinë.
Email-i i Taulant Ballës, i datës 11 shtator 2014
Ja përmbajtja e email-it të Taulant Ballës, i datës 11 shtator 2014: “Për këtë qëllim nevojitet që në nivel qarku dhe rrethi në zyrat qendrore elektorale të vendosen persona përgjegjës, që të administrojnë dhe të instruktojnë njerëzit tanë që të aplikojnë”, thuhet në emailin e Taulant Ballës. Email-i mban datën 11 shtator 2014 dhe rekomandimet e Ballës për punësimet, duket se mund të jenë në funksion të zgjedhjeve lokale të qershorit 2015. 

Email-i i Ministres Milena Harito, i datës 30 dhjetor 2014
Më 30 dhjetor të 2014 vetë ministrja Harito u drejtohet të njëjtëve persona me një tjetër email. Në të thuhet: “Të nderuar. Në vazhdim të shkëmbimit me Taulant Ballën si më poshtë dhe për shkak të numrit të ulët të fituesve në konkurset e DAP, lutem më transmetoni emrat e 1-3 personave për qark, të cilët do të instruktohen për procedurën e aplikimit, në mënyrë që të kenë mundësi të ndihmojnë këdo që kërkon ndihmë pranë zyrave elektorale”. Në të njëjtën mënyrë edhe ministrja Harito u sugjeron deputetëve që të ndihmohen të gjithë militantët socialistë që të kërkojnë punë pranë zyrave të PS dhe jo në zyrat e punës, siç e kërkon ligji. Pra, praktikisht, edhe me këtë email ministrja e Administratës Publike, Milena Harito dëshmon se konkurset për vendet e punës në administratën publike, që organizon DAP, janë një farsë, pasi paracaktohen ata që do të emërohen. Kështu, kujtojmë edhe konkurset që u organizuan me bujë nga qeveria e “Rilindjes” për drejtorët e DAR, ku më pas dolën që në to “fituan” nga këto konkurse të gjithë ata militant partie, që ishin kryetarë të PS, kryetarë të ZAZ, etj. 
Sigal