Ja disa nga ndryshimet e propozuara nga grupi i ekspertëve të nivelit të lartë

62
Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, tre prej të cilëve emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë emërohen nga Kuvendi dhe tre anëtarë emërohen nga mbledhja e përbashkët e Gjykatës së Lartë dhe e Gjykatës së Lartë Administrative. Anëtarët që emërohen nga Presidenti i Republikës dhe Kuvendi përzgjidhen nga lista e kandidatëve të hartuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Procedura e përzgjedhjes dhe emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese garanton standardet e kandidimit të hapur, konkurimit të ndershëm, transparencës dhe përzgjedhjes së kandidatëve më të kualifikuar. 
– Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese emërohen për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi dhe përzgjidhen nga radhët e juristëve me të paktën 15 vjet përvojë pune si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, profesorë ose lektorë të së drejtës, nëpunës të nivelit të lartë në administratën publike, me një veprimtari të spikatur në fushën e së drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në sfera të tjera të së drejtës. 
Neni 147, i cili ndryshon si më poshtë, lidhur me Këshillin e Lartë Gjyqësor përcakton se:
– Këshilli i Lartë Gjyqësor siguron pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë. 
– Këshilli i Lartë Gjyqësor përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga gjyqtarët e të gjitha niveleve të pushtetit gjyqësor dhe pesë anëtarë zgjidhen nga Kuvendi nga radhët e juristëve jo gjyqtarë. 
– Kriteret dhe procedura transparente dhe publike e përzgjedhjes dhe e renditjes së 14 kandidatëve gjyqtarë parashikohen me ligj. Anëtarët jo gjyqtarë përzgjidhen nga radhët e juristëve të spikatur me jo më pak se 15 vjet përvojë pune në profesion, me moral dhe integritet të lartë profesional. Kandidatët nuk duhet të jenë dënuar më parë për kryerjen e një vepre penale. Ata nuk duhet të kenë mbajtur funksione politike në administratën publike dhe pozicione drejtuese në parti politike, gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit.
– Anëtarët jo gjyqtarë zgjidhen me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit mbi bazën e propozimeve, nga radhët e avokatëve, 1 anëtar, nga radhët e noterëve, 1 anëtar, nga trupa e pedagogëve të drejtësisë, 1 anëtar, nga trupa e pedagogëve jo gjyqtarë ose prokurorë të Shkollës së Magjistraturës, 1 anëtar, dhe nga shoqëria civile, 1 anëtar. Për çdo vend vakant organizmat propozuese i paraqesin Këshillit të Emërimeve në Drejtësi tre kandidatë të përzgjedhur, sipas një procedure transparente dhe publike. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi bën renditjen e kandidatëve dhe ia dërgon Kuvendit. 
– Kuvendi voton veçmas për secilin grup kandidatësh. Kur në votimin e parë Kuvendi nuk arrin shumicën prej tri të pestave, organizmi propozues bën një propozim të ri brenda 15 ditëve. 
– Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor zgjidhet në mbledhjen e parë të Këshillit nga radhët e anëtarëve jo gjyqtarë, me shumicën e të gjithë anëtarëve. 
Pas nenit 147 shtohet neni 147/a, nen i cili përcakton funksionet e Këshillit të Lartë Gjyqësor:
– Këshilli i Lartë Gjyqësor ushtron funksionet e mëposhtme:
a) emëron, vlerëson, ngre në detyrë dhe transferon gjyqtarët e të gjitha niveleve, me përjashtim të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese;
b) vendos për masat disiplinore ndaj gjyqtarëve të të gjitha niveleve, me përjashtim të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese;
c) i propozon Presidentit të Republikës kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës së Lartë Administrative, sipas procedurës së caktuar me ligj;
ç) miraton rregullat e etikës gjyqësore dhe mbikëqyr respektimin e tyre;
d) drejton dhe kujdeset për mbarëvajtjen e punës në administratën e gjykatave;
dh) propozon dhe administron buxhetin e gjykatave.
– Këshilli i Lartë Gjyqësor informon publikun dhe Kuvendin për gjendjen e sistemit gjyqësor, si dhe ushtron funksione të tjera të caktuara me ligj.
– Ministri i Drejtësisë mund të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit të Lartë Gjyqësor kur diskutohen çështje që lidhen me planifikimin strategjik dhe buxhetin e pushtetit gjyqësor.
Pas nenit 147/ç shtohet neni 147/d, në këtë nen përcaktohen kompetencat e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë:
– Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës për verifikimin e ankesave ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm si dhe për hetimin e shkeljeve dhe fillimin e procedurës disiplinore ndaj tyre. Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës edhe për inspektimin e gjykatave dhe të zyrave të prokurorisë.
– Inspektori i Lartë i Drejtësisë emërohet me tre të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, për një periudhë 9 vjeçare, pa të drejtë rizgjedhjeje, nga radhët e juristëve të spikatur me jo më pak se 15 vjet përvojë pune në profesion, me integritet të lartë moral dhe profesional. Kandidatët nuk duhet të jenë dënuar më parë për kryerjen e një vepre penale. Ata nuk duhet të kenë mbajtur funksione politike në administratën publike dhe pozicione drejtuese në parti politike, gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit. Inspektori i Lartë i Drejtësisë përzgjidhet nga lista e kandidatëve të renditur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi sipas një procedure transparente, publike dhe bazuar në merita.
Pas nenit 147/dh shtohet neni 147/e, nen në të cilin përcaktohen përgjegjësitë disiplinore të Ispektoriatit të Lartë të Drejtësisë:
– Inspektori i Lartë i Drejtësisë mban përgjegjësi disiplinore dhe shkarkohet nga Tribunali Disiplinor i Drejtësisë kur:
a) kryen shkelje të rënda profesionale dhe etike;
b) është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.
– Procedura për shqyrtimin e shkeljeve disiplinore rregullohet me ligj.
– Ministri i Drejtësisë kryen inspektimin sipas rregullave të parashikuara në ligj.
Neni 179 ndryshohet si më poshtë, lidhur me veprimtarinë e Anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese:
– Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese vazhdojnë veprimtarinë e tyre si anëtarë të Gjykatës Kushtetuese sipas mandatit të mëparshëm. Përtëritja e përbërjes së Gjykatës Kushtetuese bëhet si më poshtë:
a) Anëtarët e rinj që do të zëvendësojnë anëtarët të cilëve u mbaron mandati në vitin 2016 emërohen përkatësisht nga Presidenti i Republikës dhe nga Kuvendi dhe qëndrojnë në detyrë deri në vitin 2025.
b) Anëtari i ri që do të zëvendësojë anëtarin, të cilit i mbaron mandati në vitin 2017 emërohet nga mbledhja e Gjykatës së Lartë dhe qëndron në detyrë deri në vitin 2025.54
c) Anëtarët e rinj që do të zëvendësojnë anëtarët që u mbaron mandati në vitin 2019 emërohen përkatësisht nga Presidenti i Republikës dhe nga Kuvendi dhe qëndrojnë në detyrë deri në vitin 2028.
d) Anëtarët e rinj që do të zëvendësojnë anëtarët, të cilëve u mbaron mandati në vitin 2022 emërohen përkatësisht nga Presidenti i Republikës, Kuvendi dhe nga mbledhja e përbashkët e Gjykatës së Lartë dhe e Gjykatës së Lartë Administrative dhe qëndrojnë në detyrë deri në vitin 2031.
– Anëtarët e Gjykatës së Lartë vazhdojnë të ushtrojnë detyrën e tyre sipas mandatit të mëparshëm. Anëtarët e rinj që do të zëvendësojnë anëtarët, të cilëve u mbaron mandati emërohen sipas dispozitave të këtij ligji.
– Gjykata e Lartë Administrative krijohet në datën 01.01.2020. Emërimet në Gjykatën e Lartë Administrative duhet të garantojnë përtëritjen e pjesshme të saj. Rregullat mbi organizimin dhe funksionimin e kësaj Gjykate parashikohen me ligj. Deri në krijimin e Gjykatës së Lartë Administrative kryetari i Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë do të jetë anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
– Tribunali Disiplinor i Drejtësisë, deri në datë 31.12.2019, në vend të 3 anëtarëve të Gjykatës së Lartë Administrative do të ketë në përbërje Kryetarin e Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, si dhe një gjyqtar të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë dhe një gjyqtar nga radhët e gjyqtarëve të gjykatave administrative të shkallë së parë dhe të apelit, të zgjedhur secili me short në drejtimin e Kryetarit të Tribunalit Disiplinor të Drejtësisë.
– Këshilli i Lartë Gjyqësor krijohet brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Tre anëtarë gjyqtarë dhe dy anëtarë jo gjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor emërohen fillimisht për një mandat 3 vjeçar, me qëllim përtëritjen e pjesshme të këtij organi. Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë e përfundojnë mandatin e tyre pas krijimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor por jo më vonë se zgjedhja e të gjithë anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor sipas ligjit. Deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtari jogjyqtar më i vjetër në moshë i Këshillit të Lartë të Drejtësisë do të jetë anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
– Prokurori i Përgjithshëm emërohet brenda 2 muajve pas konstituimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, por jo më vonë se data e përfundimit të mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë. Prokurori i Përgjithshëm qëndron në detyrë deri në emërimin e Prokurorit të ri të Përgjithshëm sipas këtij ligji, me përjashtim të rastit kur mandati i Prokurorit të Përgjithshëm ndërpritet sipas parashikimeve të nenit 179/b.
– Këshilli i Lartë i Prokurorisë krijohet brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Tre anëtarë prokurorë dhe dy anëtarë jo prokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë emërohen fillimisht për një mandat 3 vjeçar, me qëllim përtëritjen e pjesshme të këtij organi. 
– Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda pushojnë së funksionuari me hyrjen në fuqi të këtij ligji.