Ja deputetët e parlamentit me diploma Kristali

800
Sigal

Publikim i Institutit të Studimeve Politike

Parlamenti Shqiptar: Arsimimi, profesioni, suksesi profesional, prurjet e reja, karriera në vite dhe tiparet kryesore të tij

Një nga detyrimet kushtetuese të çdo funksionari dhe institucioni të lartë është transparenca publike. Pjesë e transparencës është CV e drejtuesve të lartë, përfshirë deputetët, si përfaqësues legjitim të qytetarëve votues dhe aktorët kryesorë të vendimmarrjes politike. Në

botimet dhe publikimet parlamentare të mëparshme dhe të tanishme CV e deputetëve vijon të konsiderohet një “sekret shtetëror” dhe element marketingu politik. Një pjesë e deputetëve nuk pranon të publikojë CV e tyre, një pjesë tjetër e ndryshon CV në varësi nga nevojat politike të ditës dhe fushata elektorale, një pjesë tjetër ka të dhëna të përgjithshme dhe të parëndësishme duke iu larguar të dhënave thelbësore. Në këto rrethana, burimi i vetëm i verifikimit mbetet bashkimi i burimit zyrtar me të dhënat e verifikuara në institucione të tjera ku deputetët aktualë kanë punuar ose në fletëpalosjet e tyre në fushatë elektorale. Nga të dhënat e pasqyruara edhe në tabelën bashkëngjitur, shumica absolute e deputetëve (79) kanë mbaruar studimet e tyre bazë ose edhe të avancuara në universitetet shtetërore të Tiranës. Tek universitetet

vendore në vendin e dytë janë deputetët e diplomuar në Universitetin

e Shkodrës, ndjekur nga universiteti privat „Kristal“. Në deklarimet e disa muajve më parë numri i deputetëve tek UK ishte dyfish më i madh, por për shkak të debatit mediatik mbi cilësinë e diplomës disa prej tyre kanë preferuar ta heqin nga CV e tyre këtë të dhënë. Më

pak se 10 deputetë kanë studiuar në universitetin e Kamzës dhe pjesa tjetër në disa universitete lokale, kryesisht në Korçë, Elbasan apo në dy universitete të tjera private që ndodhen në Tiranë. Në grupin e deputetëve që kanë studiuar në perëndim, vetëm dy deputetë kanë kryer jashtë vendit të gjitha ciklet e studimeve, kurse pjesa më e madhe e tyre kanë kryer jashtë studime të avancuara, kryesisht në Francë e Itali. Dy deputetë janë diplomuar në Turqi, një në Rumani, tre në Tetovë (Maqedoni), si dhe një numër minimal deputetësh në Gjermani, Belgjikë, Austri apo SHBA. Në total numri i deputetëve të diplomuar në Shkodër apo Kristal, është dy herë

më i lartë sesa numri i deputetëve të laureuar në universitete perëndimore. Në gjashtë raste deputetët janë diplomuar në universitete private shqiptare, një pjesë e të cilëve edhe në programe që ende nuk janë akredituar zyrtarisht ose që janë në procese shqyrtimi. Në listën e deputetëve bien në sy edhe tendenca e deputetëve të ardhur rishtas në politikë për të kërkuar diploma të reja universitare, ndaj rreth 10 prej tyre vijojnë studimet në disa universitete private, madje njëri prej tyre është regjistruar vetëm pak muaj më parë.

Shumica juristë? Po, por juristë në fundjave (part- time)

 Tabela e profesioneve ilustron të dhënat mbi diplomat universitare të deputetëve. Siç shihet, rreth 31 deputetë, ose më shumë se një e pesta e parlamentit janë diplomuar në juridik. Një e dhënë e tillë duket shpresëdhënëse për cilësinë juridike të parlamentit, por vetëm formalisht. Nëse analizohen diplomat dhe vitet e studimit kemi të bëjmë me një fenomen tjetër: shumica e tyre nuk kanë studiuar juridik në sistemin e ditës full- time, por në sistemin e fundjavës ose të korrespodencës. Kështu, 20 deputetë kanë diplomë juridike si studime të dyta plotësuese ose përmes sistemit part- time. Madje në pesë raste deputetët deklarojnë se kanë nisur studimet në juridik në moshën 38-42 vjeçare dhe janë diplomuar 4-5 vite më vonë, kryesisht në universitete private në Shqipëri e Maqedoni ose në universitete periferike shtetërore e private këtu. Duke pasur këto të dhëna bëhet më e qartë pasqyra përse cilësia juridike e parlamentit (diskutime, etikë parlamentare, sjellje zyrtare, raportet me ligjin e rregulloren, etj.) janë ende në nivele minimale dhe një nga defektet kryesore të parlamentarizmit në

Shqipëri. Profesioni i dytë më “popullor” për deputetët lidhen me fakultetet ekonomike në Tiranë e rrethe, kryesisht studimet në ekonomik, biznes, menaxhim, marketing, etj.. Kategoria e tretë e profesioneve të deputetëve janë inxhinierët (pjesa më e madhe e këtyre deputetëve nuk e kanë ushtruar asnjëherë profesionin për të cilin janë diplomuar), si dhe mjeket ku spikasin katër

kardiologë. Në Parlament ka edhe një numër të lartë deputetësh që vijnë nga formimi ushtarak e policor (më të lartë në përqindje sesa p.sh, parlamenti gjerman dhe Italian), vijojnë agronomët, dhe profesionet e tjera me përqindje më të ulët. Numri i filozofëve dhe sociologëve është i njëjtë p.sh, me numrin e deputetëve që më parë kanë ushtruar profesionin e gardistit (bodigardit) dhe se megjithëse duket se në parlament ka shumë gazetarë, në fakt vetëm një numër minimal i tyre ka formim bazë gazetarie.

Cilësia akademike? Më pak se 10% janë profesorë

Referuar të dhënave të deputetëve në parlamentin shqiptar, më pak sesa 10% e deputetëve kanë tituj të lartë akademikë, 90% e të cilëve që e kanë marrë këtë titull gjatë periudhës komuniste ose në vitet e para të tranzicionit. Kjo e dhënë ndihmon për të kuptuar se

nuk kemi të bëjmë me figura të shquara të shkencës, por kryesisht me profesorë që kanë braktisur prej vitesh profesionin e tyre bazë për të hyrë dhe qëndruar gjatë në politikë. Për shkak të sistemit të ri universitar përbërja e deputetëve lejon të bëhet klasifikimi edhe

i atyre me gradë shkencore doctor ose master. Kështu, 19 deputetë kanë gradën MA dhe 8 PhD, 6 të tjerë janë ende në proces studimi, nga të cilët dy janë doktorantë. Pjesa më e madhe e deputetëve ka mbaruar sistemin e vjetër katër vjeçar ose sistemin e ri trevjeçar. Të analizuar në lidhje me numrin e diplomave universitare që deputetët posedojnë të dhënat janë gjithashtu interesante. Rreth 20 deputetë kanë më shumë se një diplomë universitare dhe rreth 4 deputetë kanë më shumë se dy diploma. Këto të fundit janë ose figura që vijnë nga studimet ushtarake e policore, ose biznesmenë që ushtrojnë ndikimin e tyre për më shumë diploma në CV personale.

Interesant është krahasimi midis deputetëve të vitit 1991 dhe atyre të parlamentit aktual. Më 1991 figuronin rreth 52 deputetë me tituj shkencorë, pjesa më e madhe e tyre profesorë dhe pedagogë në universitet, kurse më 2014 dominojnë një kategori tjetër politikanësh, – biznesmenët. Në parlamentin aktual ka numër rekord biznesmenësh: 35, shumica e të cilëve merren me fushën e ndërtimit ose me aktivitete të tjera të lidhura me ndërtimin, si industri

fitimprurëse gjatë tranzicionit.

2014 me prurje të reja? Po, më shumë se një e treta e Parlamentit

Legjislatura e vitit 2009-2013 ishte cilësuar si shumë pozitive për të gjitha palët politike. PD krenohej se, deputetët e saj shënuan reformat e thella dhe mundësuan hyrjen në NATO dhe liberalizimin e vizave. PS krenohej se deputetët e saj i rezistuan pushtetit përmes sakrificave të mëdha, përfshirë grevave të urisë dhe protestave masive. LSI e konsideronte grupin e saj solid dhe garanci të pushtetit. Por të gjitha palët ndryshuan mendje kur hartuan listat proporcionale të „emërimit“ të deputetëve. Për pasojë kemi një parlament ku 55 deputetë janë prurje e re në politikë dhe në parlament, pra pa eksperiencë politike në nivele të larta të politikës dhe vendimmarrjes. Gjithashtu kemi rreth pesë deputetë që janë rikthyer në parlament pas një periudhe katër ose më shumë vjeçare jashtë parlamentit, kurse pjesa tjetër e deputetëve u konfirmua.

Deputetët me më shumë mandate? Berisha e Dokle në Kuvend prej 1991

Lista e deputetëve më me shumë mandate është interesante për të shpjeguar ecurinë e karrierës politike në Shqipëri. Tabela prezanton 14 deputetët me mandate më të shumta parlamentare, tre prej të cilave nuk kandiduan në zgjedhjet e vitit 2014. Referuar kësaj liste deputetët më me shumë mandate parlamentare, pa ndërprerje prej vitit 1991, janë Berisha (PD) dhe Dokle (PS), i pari ish president dhe dy herë ish kryeministër, i dyti ish kryetar parlamenti dhe ish zv/kryeministër. Nëse Berisha në të gjitha rastet ka qenë vetë hartuesi i listës, pra edhe autori me të drejtë të përfshirjes së emrit të tij në listë (përfshirë 1996 kur njëherësh ishte edhe President), në rastin e Dokles është interesante sesi një figurë politike pa peshë specifike në vendimmarrjen e lartë politike të PS ka arritur të mbijetojë në çdo zgjedhje, si në sistemin maxhoritar, në atë miks dhe në atë proporcional me lista të mbyllura. Pas tyre me nga një mandat më pak janë Ruci, Islami, Meta, – tre deputetë të majtë, por Islami tashmë I zgjedhur për herë të shtatë nga e djathta. Nga demokratët në listën e më të mandatuarve bëjnë pjesë edhe ish kryetari Shehu, Imami, Gjana e Topalli, kurse nga e majta figurat më me shumë mandate mbeten edhe Majko, Brace, Ulqini. I vetmi jashtë dy palëve është Dule i PBDNJ dhe indirekt edhe Meta, i cili prej 2005 është deputet me LSI. Në tabelën në të djathtë ndodhen edhe partitë politike për të cilat këta individë kanë konkurruar dhe janë zgjedhur. Rast i veçantë mbetet Islami, kurse kalimet nga PD tek parti të reja dhe rikthim në PD, ose nga PS tek LSI duken më normale.

—————————

*Instituti i Studimeve Politike (ISP) është organizatë joqeveritare që ka fokus kryesor monitorimin e jetës politike në vend, forcimin e demokracisë, shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut dhe problematikat që lidhen me to. Ky punim është pjesë e projektit mbi monitorimin e institutit të Kuvendit dhe partive politike në Shqipëri. Pjesë e ISP janë ekspertë të njohur të politikës, diplomacisë, medias dhe jetës publike.

-Në vitin 1991 kishte më shumë akademikë, në vitin 2014 biznesmenë

-Berisha e Dokle të vetmit deputetë me mandate nga 1991

-Një mandat më  pak se Berisha e Dokle kanë Ruçi, Islami, Meta, – tre deputetë të Majtë, por Islami tashmë i zgjedhur për herë të shtatë nga e Djathta.

– 20 deputetë kanë më shumë se një diplomë universitare dhe 4 deputetë kanë më shumë se dy diploma

– Në parlamentin aktual ka numër rekord biznesmenësh: 35, shumica e të cilëve merren me fushën e ndërtimit