Ja çfarë thoshte Denar Biba në 2007-n, për shtyrjen e zgjedhjeve

178

Ish-këshilltari i Gjykatës Kushtetuese sot zv/ kryetar i KQZ-së me dy standarte:

Denari, në 2007-n: Presidenti vendoset mbi të gjitha palët dhe Kushtetuta i mundëson ndërhyrje në 3 pushtetet. Në kohë krizash politike, pushteti i Tij rritet, pasi vendimmarrja e Presidentit garanton Unitetin e Popullit

Biba, në 2019-n: Si zv/ kryetar i KQZ, votoi për të mos njohur dekretin e Presidentit për anullimin e zgjedhjeve

Cilin të besojmë: Denarin e Kushtetueses apo Bibën e KQZ?!

Denar Biba, nënkryetar i KQZ-së, mori flamurin dy ditë më parë, bashkë me 3 anëtarët e tjerë socialistë të KQZ-së, për të rrëzuar dekretin e Presidentit për anulimin e zgjedhjeve lokale më 30 qershor. Biba, pardje thirri dhe drejtoi një mbledhje të KQZ-së, ku për herë të parë një institucion jo kushtetues, merr guximin për të rrëzuar një dekret presidencial apo deklaron mosnjohjen e tij, në një kohë që i përket Gjykatës Kushtetuese. E ndërsa sot Biba sillet si një kamikaz i Ramës për të vetmen arsye mbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor, në 2007 kur ishte këshilltar pranë Gjykatës Kushtetuese, mbante qëndrime krejt të tjera ndaj Presidentit. Në atë kohë Biba shkruante se “Presidenti është një organ individual i cili mund të veprojë sipas bindjes së tij pa u varur nga politika. Duke qenë se zgjidhet nga një shumicë shumë e madhe parlamentare, Presidenti vendoset mbi të gjitha palët. Megjithëse nuk ka asnjë funksion themelor shtetëror (p.sh të drejtimit politik, administrativ apo ligjor), Kushtetuta i mundëson atij të ndërhyje në të tre këto funksione përmes atributesh që i mundësojnë të mos jetë thjesht një “noter” apo “drejtues ceremonish”. Akoma më tej, në situata krizash politike apo të jashtëzakonshme, pushteti i tij rritet thellësisht, pasi Presidenti merr pushtet vendimmarrës, në zëvendësim të organeve të tjera kushtetuese, për të ruajtur “unitetin e popullit”. Pikërisht për këtë ai gjykohet se duhet të jetë “neutral” dhe i “paanshëm” ndërsa ushtron funksionin e tij kryesor të garantimit dhe kontrollit të organeve kushtetuese me synim ekuilibrimin e sistemit. Presidenti është garanti më i lartë i Kushtetutës (natyrisht jo roja e saj – ky funksion i takon Gjykatës Kushtetuese), një organ i pavarur që ndërhyn gjithmonë në interes të vendit. Ai është kryetari i res publica dhe jo një lider politik demokracie”.