Ja 4 emrat që do konkurrojnë për kryetar në PD dhe PS, në rast humbjeje

171

Cila parti do të humbasë më 23 Qershor dhe kush do të zëvendësojë Berishën ose Ramën pas dorëheqjes në kupolën e partive

 

Deri tani, askush prej dy liderëve nuk është shprehur nëse pas humbjes së zgjedhjeve të 23 Qershorit do të japë dorëheqjen, apo jo. Por në fakt, asnjeri prej tyre nuk është pyetur publikisht, sepse këto janë pyetje që bëhen nga ditët e fundit, kur fushata mbërrin afër finishit. Duke lexuar statutet e dy partive dhe duke marrë për bazë shumë faktorë moralë dhe politikë, paramendohet se ai që këtë radhë do të humbasë, do të dorëhiqet. Shpresa e fundit që i mbetet Ramës, apo Berishës është justifikimi për vjedhjen e votave, apo për deformimin e procesit zgjedhor, nga kundërshtari. Por tani ky justifikimi nuk “pi më ujë”, pavarësisht, se Kryetarja e KQZ-së, Lefteri Lleshi e ka bërë lëmsh punën e këtij institucioni, që pa filluar mirë. Sidoqoftë, pas 23 Qershorit ngjarja e parë politike që pritet është largimi vullnetar i humbësit. Dhe në kushtet e krijuara, për shkak të presionit të opinionit vendas dhe atij ndërkombëtar, pas humbjes, askush nuk ka moral që qëndrojë akoma, në politikë. Kështu që, largimi është alternativa e vetme. Por këtu duhet të kemi parasysh faktin se, pavarësisht, nga humbja e zgjedhjeve, Rama ose Berisha do të jenë prapë nëpër “këmbët” e politikës partiake, sepse ata do të jenë deputetë, si edhe ish-kryetarë. Dhe ky do të përbëjë rrezik për zëvendësuesin e tij. Sepse ne kemi shembullin e Nanos, i cili megjithëse, ka bërë deri tani, 4 dorëheqje përsëri ka pretendimet e veta për t’u rikthyer në kupolën e partisë. Misteri i dytë që pret zgjidhje pas 23 Qershorit, është emri i politikanit që do të zëvendësojë Ramën, ose Berishën. Pra, cili prej zëvendësuesve të tyre do të marrë përgjegjësinë e drejtimit të lidershipit dhe kush do të jetë vendi ish- kryetarit në këtë parti. Për këtë arsye po i marrim me radhë dy partitë kryesore, PD-në dhe PS-në, meqenëse dihet se kryetarët e tjerë të partive të vogla nuk do të lëvizin nga kryesimi, deri sa të mbushin 90, apo 100 vjeç.

Nëse ikën Rama

Nëse PS-ja humbet zgjedhjet, atëherë Berisha rizgjidhet përsëri Kryeministër i vendit dhe Rama detyrohet të bëj deklarimin  e dorëheqjes. Pas dorëheqjes së Ramës, ai do të mbetet deputet i Parlamentit dhe nuk është aspak çudi, që të propozohet si kryetar i grupit Parlamentar. Por ky status i dytë nuk përshtatet me dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë. Pra, sipas të gjitha rregullave, Rama do të përgatisë largimin e tij përfundimtar nga politika. Me një ikje të butë brenda këtij katërvjeçari. Atëherë, në vend të tij do të synojnë të vijnë disa individë. Një prej tyre është Fatos Nano, i cili do të kërkojë mbledhjen e asamblesë, apo një votim brenda partisë, ose në formë referendare për të marrë frenat e PS-së. Në këtë aksion politik, ai do të ketë edhe ndihmën e Blushit, apo të disa të tjerëve, të cilët mund të bëjnë propozimin. Pas kësaj, Nano do të përdorë edhe shansin e fundit, meqë gjatë kësaj periudhe jashtë politikës, ai thotë se ka ndryshuar shumë. Mundësia tjetër, është rikthimi i Ilir Metës, nëpërmjet kërkesës që do t’i bëhet atij nga brenda partisë. Kjo për arsyen se aktualisht, Rama i ka zhdukur të gjithë pretendentët e tjerë, në kupolën rozë. Kështu, Ermelinda Meksi, do të ishte një konkurrente shumë e fortë për marrjen e PS-së, nëse ajo nuk do të ishte caktuar qëllimisht me detyrë tjetër. Po kështu, Kastriot Islami tani konsiderohet si “kartë e djegur”, brenda selisë rozë dhe nuk është çudi që kjo “djegie” e tij, të jetë nxitur prej kohësh qëllimisht, prej Ramës. Po kështu edhe Arben Malaj, tanimë ka mbetur pezull, pa asnjë mbështetje në PS dhe çdo rikthim do të jetë tepër i vështirë për Malajn. Ndërkaq, Gramoz Ruçi nuk ka asnjë pretendim dhe njëkohësisht, asnjë shans, për shkak të moshës, por edhe mungesës së disa cilësive organizative. Gjithashtu, Dokle apo Majko duken shumë larg karriges së kryetarit dhe ata duhet të jenë të lumtur, që kanë siguruar një vend deputeti. Nga ana tjetër, emrat e rinj, janë thuajse të papërfillshëm për zëvendësimin e Ramës. Në fakt, në këtë pikë të diskutimit, do të zbulohet edhe dinakëria e Ramës, e cila e ka ndërtuar në mënyrë të tillë, kupolën e PS-së, që ajo të bjerë menjëherë pas largimit të tij. Pra, pas largimit të Ramës, kemi dy alternativa: Rikthimi i Nanos, ose shkrirja e dy partive, PS dhe LSI, të drejtuar nga një dorë e vetme, që është Ilir Meta.

Zëvendësi i Berishës

Pika më e fortë, brenda Partisë Demokratike, e vërtetuar edhe nëpërmjet votës së qytetarëve është Lulzim Basha. Menjëherë, pas dorëheqjes së Berishës, në rast humbjeje, Kryebashkiaku Lulzim Basha është konsideruar si “dora më e fortë” që gëzon respektin e të gjithëve. Kjo u vërtetua edhe nga numri i lartë i votave që ai mori në garën për Bashkinë  e Tiranës, duke mundur kryetarin e socialistëve, Edi Ramën. Kjo madje konsiderohet si zgjidhja më e mirë dhe si e vetmja zgjidhje. Sepse në luftën e grupimeve, brenda selisë blu, Lulzim Basha nuk ka klan, madje as nuk dëshiron një klan të tillë. Ai synon gjithmonë për mbështetjen nga të gjitha grupimet e Partisë Demokratike. Natyrisht, një pikë tjetër e fortë brenda selisë blu, është edhe nënkryetarja aktuale, Jozefina Topalli, e cila gëzon mbështetjen e një grupi deputetësh, që reflektohet në të njëjtën masë edhe në bazë. Kështu, që alternativa e dytë, për zëvendësimin e Berishës, në rast të humbjes së zgjedhjeve llogaritet edhe Topalli. Por duhet thënë se autoriteti i Berishës brenda Partisë Demokratike, si deputet i saj, do të jetë më i madh se ai i Ramës, si deputet i PS-së. Sepse Berisha ka një kontribut më të madh në historikun e selisë blu, se sa Rama në atë të selisë rozë.

 

BASHA: “BASHKIA E TIRANËS DO SJELLË TAPITË NË SHTËPITË TUAJA”

Partia Demokratike është partia e fjalës së mbajtur dhe këtë e kemi treguar me 8. 000 tapitë e shpërndara në Tiranë dhe miratimin e planit të rregullimit”, tha Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, gjatë një mitingu elektoral të Partisë Demokratike në Njësinë Bashkiake numër 7-të.  Basha theksoi se, Bashkia e Tiranës dhe Qeveria shqiptare kanë investuar shumë në këtë zonë.  “Ju në 2005-n më dhatë votën për mandatin tim të parë si deputet duke i hapur rrugën zhvillimit, ndërsa sot vijmë këtu për të marrë një fitore, për të vijuar zhvillimi dhe për të ndaluar bllokimin”, -tha Basha. Basha tha se, “Edi Rama, në 11 vite si kryetar i Bashkisë së Tiranës nuk ka bërë asnjë gjë për këtë zonë, por vetëm për xhepin e tij, ndërsa ne vetëm në një vit kemi investuar më shumë se 400 milion leke për të rikonstruktuar më shumë se 10-të rrugë dhe për të rivlerësuar më shumë se 15 hektarë tokë”.  Së bashku, nënvizoi Basha, kemi ndërtuar dhe rindërtuar çerdhen e 35-të, jemi në proces rregullimi të çerdhes 4- si dhe kopshtit numër 70-të, ndërsa kemi vendosur në dispozicion dhe 900 milion lekë të tjera për të ngritur një kopsht dhe çerdhe të re.

Tirana sot po zhvillohet, -tha Basha.  Sipas tij, sot numërohen 13 mijë persona më shumë të punësuar, 40-të rrugë të ndërtuara apo të rikonstruktuara, ndërsa janë në proces ndërtimi dhe rikonstruksioni rrugë të tjera, kopshte, çerdhe e shkolla. “Ne jemi këtu dhe po respektojmë kontratën me qytetarët e Tiranës, vijoi Basha, edhe pse po zhgënjej ish kryetarin e bashkisë, pasi ai e dëshiron Tiranën të bllokuar, të rrënuar. Ai, i’u erdhi këtu dhe vijoi monologun e tij të errët për Tiranën, duke i’u thënë se unë nuk kam dhënën asnjë tapi, por ju e dini, kam dëshminë e mbi 32 mijë banorëve të Tiranës, se më shumë se 8 mijë banor kanë marrë tapinë në duart e tyre, ndërsa i bëjë me dije se edhe për legalizimet po angazhohemi 24 orë në ditë për ta përmbyllur procesin dhe ju siguroj se nuk do keni nevojë ta merrni në asnjë zyrë, pasi Bashkia e Tiranës do ua sjellë tapitë në shtëpitë tuaja”, premtoi Kreu i Bashkisë, Lulzim Basha. Plani i rregullimit për Tiranën, tha ai, është një tjetër arritje që i mundëson zhvillimin kryeqytetin, prandaj Bashkia e Tiranës dhe të gjithë qytetarët e kryeqytetit që duan më shumë mirëqenie, zhvillim dhe të ecin përpara kanë nevoje për një partner si PD-ja që ka moto të punës së saj qytetin dhe zhvillimin tuaj, duke jetësuar gjithnjë premtimet e saj…Përpara!!”, përfundoi Basha.

“Transformimi i infrastrukturës, fryt i  bashkëpunimit  mes qytetarëve, Bashkisë së Tiranës dhe qeverisë shqiptare”

Me një investim prej 17,7 milionë lekësh  ka përfunduar rikonstruksioni i rrugës “Mujo Ulqinaku”, një ndër rrugët me problematike në zemër të Tiranës. Kjo rrugë ndihmon në lehtësimin e lëvizjes së mjeteve, duke kryer lidhjen mes rrugës së “Kavajës” dhe rrugës “Myslym Shyri” dhe rreth 1500 qytetarëve të zonës. Kryebashkiaku Basha tha se kjo zonë do të marrë një zhvillim më të madh, i parashikuar në planin urbanistik, ku përveç dhënies së mundësisë për zhvillimin e pronës,  do të mundësohet zgjerimi i shesheve të ndërtimit, këndeve të lojërave, etj..

“Në 2 vitet e ardhshme, Bashkia do të ndërtojë 10 kopshte të reja”

Kryebashkiaku Lulzim Basha ishte i pranishëm sot, në nisjen e punimeve të rikonstruksionit të kopshtit nr.29. Me një  investim prej  39 milionë lekësh, godina e re është konceptuar me 2 kate. Objekti do të përbëhet nga gjashtë grupe të vogla, 20-25 fëmijë. Kryebashkiaku Basha ka garantuar se në dy vitet e ardhshme, vetëm me fondet e Bashkisë, do të ndërtohen 10 kopshte të rinj anembanë qytetit.

 

SOKOL OLLDASHI: TAKIME ME BANORËT E KOMUNAVE FRATAR, GRESHIC DHE KUTË

Takime të ngrohta dhe shumë miqësore me banorët e komunave Fratar, Greshic dhe Kutë. Faleminderit për pjesëmarrjen dhe mbështetjen tuaj”. Ky është vlerësimi që ka shprehur Sokol Olldashi,  kandidati për deputet i Qarkut të Fierit, i cili kryeson edhe listën e PD-së. Sipas vetë kandidatit Olldashi, ngrohtësia mbështetja që i tregojnë banorët e fshatrave Fratar, Greshic, Kutë, dëshmon, para së gjithash, për të mirat materiale dhe të jetesës së tyre, që u ka siguruar qeverisja e Kryeministrit Berisha, në këto 8 vjetët e fundit.  Dhe ministri Olldashi i garantoi banorët dhe fermerët, se edhe në këtë mandat të ri qeverisës, për të cilin  PD-ja kërkon  nga të gjithë votëbesimin, do të ketë vazhdimësi të mirëqeverisjes, për të përsosur infrastrukturën në çdo fshat, për të bërë të mundur, që të shkurtohen distancat dhe të shkurtohet koha që i duhet fermerit për të çuar prodhimet e tij nga fusha në treg. Gjithashtu, qeveria Berisha, tha ministri Olldashi, do të vazhdojë projektet e subvencionimit të mbjelljeve të pemëve frutore dhe vreshtave, si edhe të produkteve të tjera blegtorale. Qeveria, edhe në mandatin e tretë, do të ulë TVSH-në për farnat dhe pesticidet bujqësore, si edhe për makineritë bujqësore. Një tjetër opsion i qeverisë, u premtoi  banorëve dhe fermerëve ministri Olldashi është që të ulë çmimin e naftës që përdoret nga mjetet bujqësore për t’i dhënë një shtysë të re iniciativave prodhuese të fermerëve tanë.