Ja 11 emërimet nepotike të dinastisë Bello

4407
Sigal

Rasti ‘Bello’: Vetë Pajtim Bello, Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të OST-së, tri vajzat e tij drejtore nëpër ministri, 8 familjarë të tjerë drejtorë e funksionarë të lartë.

Nepotizmi ka pushtuar administratën shtetërore të qeverisjes së majtë, nga institucionet në bazë, deri nëpër ministri. Përtej këtij fakti, konkurseve të shumëpërfolura, rastet e denoncuara në “Telegraf” dhe investigimet e bërë, evidentojnë shkelje skandaloze të ligjit në këto emërime të rëndësishme. Një ndër rastet është dhe ai i Pajtim Bellos, që familjarë e të afërm, i ka vënë në funksione më të rëndësishme…

        *          *     *

Provimet dhe konkurset nuk janë pika më e fortë për znj. Shpresa Pajtim Bello, vajza e Pajtim Bellos, drejtoren e komanduar të Drejtorisë Farmaceutike në Ministrinë e Shëndetësisë. Pasi u “diplomua” te “Kristali” për farmaci (njihet fama e këtij universiteti për diplomat false), sipas burimeve pranë AKP-së, ajo ende edhe sot e kësaj dite nuk e ka marrë provimin e shtetit, të cilën e ka dhënë më shumë se një herë. Po nuk mbaron me kaq. Në konkursin e shpallur nga Ministria e Shëndetësisë gjatë muajit shkurt për drejtor të Drejtorisë Farmaceutike, ajo e fitoi këtë pozicion, edhe pse znj. Ardiana Capi, ish-drejtorja e komanduar në Drejtorinë Farmaceutike, rezultoi fituese duke e renditur e para me 68 pikë. E vetmja meritë e znj. Bello është atësia e saj, z. Pajtim Bello, Kryetari i Këshillit Mbikëqyrës të OST-së, i cili më në fund e sistemoi edhe vajzën që kishte ngelur jashtë administratës shtetërore.

Diplomimi te “Kristal”

Diplomimi i znj. Shpresa Bello në Universiteti “Kristal” është një nga pikat që ha më së shumti diskutim, duke u nisur nga skandalet e panumërta që kanë mbuluar këtë universitet privat. “Kristali” ndryshe njihet edhe si fabrikues diplomash false. Ishin mediat italiane në maj të 2012-ës që raportuan se djali i politikanit, Umberto Bossi, Renzo Bossi, është pajisur me diplomë nga universiteti “Kristal” në Tiranë, pa qenë asnjë ditë në Shqipëri dhe për një periudhë njëvjeçare. Mjafton rikthimi i këtij fakti për të risjellë në vëmendjet e gjithkujt skandalet e punësimeve në administratë shtetërore, apo akomodimi i shumë deputetëve në Kuvend vetëm me një diplomë të “Kristalit”. Pjesë e këtij skandali tashmë është dhe drejtorja e Drejtorisë Farmaceutike znj. Shpresa Bello.

Provimi i shtetit për farmaciste

Burime pranë AKP-së faktojnë për “Telegraf” se znj. Bello ka tentuar dy herë për të marrë licencën e farmacistit, duke dhënë provimin e shtetit, por në të dyja rastet ka dështuar: Në janar të vitit 2012, ku ka arritur të marrë vetëm 37 pikë, duke u vlerësuar me 4, pasi nuk kishte kaluar pragun prej 50 pikësh për të marrë provimin. Dhe në maj të 2013-s, ku ka marrë vetëm 32 pikë, pa mundur të kalojë pragun e pikëve minimale për të kaluar. Tentativat e dështuara për të marrë provimin e shtetit në fakt janë vazhdimësi e arsimit të saj, ndaj nuk të bëjnë çudi rezultatet që mund të japë një person i diplomuar në universitetin “Kristal”. Ndoshta znj. Bello nuk do të bëhej objekt i këtij shkrimi, edhe pse me këto rezultate, nëse nuk do të ishte person publik në një pozicionon që konsiderohet i rëndësishëm, madje strategjik, në ministrinë e shëndetësisë.

Konkursi për drejtore të Drejtorisë Farmaceutike

Ministria e Shëndetësisë gjatë muajit shkurt të këtij viti shpalli konkursin për drejtor të Drejtorisë Farmaceutike. Pas përfundimit të aplikimeve u bënë të ditur edhe kandidatët që plotësonin kushtet për të hyrë në konkurs, ndërkohë që testimi u zhvillua në datën 19 shkurt 2014 në ambientet e Ministrisë së Shëndetësisë. “Pas vlerësimit të testimeve, janë shpallur edhe rezultatet e konkursit e në krye të listës është renditur Ardiana Capi. Deri në momentin para konkursit, Capi ka mbajtur pozicionin për të cilin konkurroi, por si drejtoreshë e komanduar, pra pa marrë emërimin përfundimtar. Ndërsa kryesimi pas testimit me 68 pikë, padyshim që do siguronte 100% vendin e saj të punës”, thuhet në një të përditshme. Por çuditërisht, shprehet e përditshmja, Ministria e Shëndetësisë shpall një tjetër konkurs, sërish për Drejtorinë Farmaceutike, por këtë herë për përgjegjës në Sektorin e Standardeve të Tregtimit dhe Politikave të Çmimit të Barnave. Konkursi në fjalë, sipas njoftimit të DAP-it do të zhvillohej në datën 20 shkurt, pra një ditë më vonë se i mëparshmi, ndërsa ajo që bie në sy është se ndër kandidatët që plotësojnë kushtet për të hyrë në provim është edhe drejtorja farmaceutike, Ardiana Capi. Por konkursi nuk është zhvilluar në datën 20 shkurt, por është shtyrë për në datën 24 shkurt. “Sërish drejtorja e Drejtorisë Farmaceutike ka vendosur të hyjë në konkurs, por këtë herë për përgjegjëse sektori, pra për një pozicion më të ulët se ai që ka mundur të sigurojë falë konkursit. Ndërsa më absurd është fakti se, pasi ka hyrë në testimin e pozicionit më të ulët, ajo fatkeqësisht nuk ka mundur të sigurojë pikët e nevojshme pasi, këtë herë ka kryesuar Shpresa Bello. Gjithashtu, ajo që bie në sy është se vetëm pas 5 ditësh, Capi “ka pasur luhatje të njohurive të saj”, të cilat mundi t’i vërtetonte në konkursin për drejtoreshë, pasi për pozicionin e përgjegjëses të sektorit, ajo ka mund të grumbullojë “vetëm” 52 pikë. Pra, 16 pikë më pak se pozicioni i drejtorit, i cili padyshim kërkon edhe një kualifikim më të lartë” shkruhet në këtë të përditshme. Faktet tregojnë se pozicionin e Drejtores së Drejtorisë Farmaceutike e ka fituar znj. Shpresa Bello, e cila u komandua në këtë pozicion në 2 maj nga ministri i Shëndetësië Ilir Beqja.

Përgjegjësitë e Bellos në pozicionin e Drejtores Farmaceutike

Drejtorja e drejtorisë Farmaceutike në Ministrinë e shëndetësisë znj. Shpresa Bello, ndoshta më në fund do të plotësojë ëndrrën e saj për të marrë licencën e farmacistit. Kjo, pasi Drejtori i Farmaceutikës është anëtar i Komisionit për Provimin e Shtetit. Nëse nuk do ia njihnim CV-në drejtores së re, kjo gjë do të ishte pjesë e normales dhe do e kishim marrë si të mirëqenë, por në këtë rast ndryshon puna. Ky pozicion, së paku, kërkon një bekgraund profesional në përditshmëri dhe për më tepër kur je pjesë e grupit qe licencon farmacistë. Si mundet znj. Bello të vlerësojë kandidatët që kërkojnë të marrin licencën për të ushtruar profesionin e farmacistit? Si mundet ajo të gjykojë se kush është i aftë apo jo për të ushtruar këtë profesion, kur ajo vetë tregoi paaftësinë e saj 2 herë me radhë?  Gjithashtu detyrës së saj i shtohet dhe një tjetër kompetencë për licencimin e farmacisteve, pasi Drejtorja e Farmaceutikës është njëkohësisht dhe anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Aftësimit Praktik. Si mundet ajo të vlerësojë aftësimin praktik të farmacistëve të rinj, ndrysa vetë është kryefjala e paaftësisë?

Dhe për t’i vënë vulën drejtorja e re e Farmaceutikës është njëherësh edhe kryetare e Komisionit të Çmimit të Barnave në Ministrinë e Shëndetësisë. Ose ministri Beqja kërkon afër vetes njerëz injorantë “që të gjejë shesh e të bëjë përshesh”, ose klani i z. Pajtim Bello është aq i fortë sa askush nuk pyet se “çfarë po fut në shtëpi”, mjaft që të jetë pjesë e Bellove.

box

Energjetika në kaos. Ja punësimet nepotike të Kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës të OST-së, Pajtim Bello

Heshtin të gjithë ata që kanë zënë postet drejtuese në administratën shtetërore. Pse nuk flasin sot ata që deri dje mbushnin mediat me skandalet dhe problematikat e shumta, duke dalë në mbrojtje të konsumatorit shqiptar?! (Paska qenë një shou mediatik!). Të tillë rol paska luajtur edhe z. Pajtim Bello, sot Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të Operatorit të Sistemit të Transmetimit të energjisë (OST). Gazeta “Telegraf’ në përmbushje të misionit të saj për mbrojtjen e qytetarit shqiptar nga padrejtësisë, e ka mbështetur dhe i ka dhënë gjithmonë hapësirat e duhura z. Bello që të jepte opinionet e tij si ekspert i fushës për KESH, CEZ, koncesione etj.. Ndërsa sot, edhe pse skandalet vazhdojnë dhe abuzohet me qytetarin shqiptar, ai hesht. Ai hesht se akuzat e tij të djeshme për qeverinë që iku, mund të kthehen në një bumerang për të sotmen e tij. “Që prej 6 muajsh CEZ Shpërndarja është nën sundimin e klaneve politike e familjare të Sali Berishës. Kjo situatë e rëndë është rezultat i një bashkëpunimi kriminal kryeministri- Ministri e Ekonomisë- Bordi i Entit Rregullator të Energjisë dhe stafi i Administrimit Shtetëror të Sait Dollapit”, shprehet në një të përditshme vitin e kaluar z. Bello. Ai, (si shumë të tjerë, pasi ky nuk është rasti i vetëm), sot hesht, sepse ka futur në drejtoritë më të mira në administratën shtetërore, me fis e me farë (“me kuç e me maç”, siç thotë populli), njësoj si paraardhësit që ai akuzonte. Pse çfarë është shteti, monopol i këtyre personazheve?!

BOX

Punësimet nepotike të Pajtim Bellos:

 

Pajtim Bello – Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të OST-së

Shpresa Bello (vajza) – Drejtore e Drejtorisë Farmaceutike në MSH

Vajza tjetër e Bellos, Drejtoreshë në CEZ

Vajza e tretë, funksionare në Ministrinë e Energjetikës

Kushërira – te Ministria e Ekonomisë

Vajza e kushërirës – te Drejtoria e Tatimeve

Djali i kushërirës – Drejtor te Ministria e Energjetikës

Nusja e vëllait të kushërirës – drejtor te CEZ

Kunata e vëllait të kushërirës – Drejtoreshë

Tezja e kushërirës – Drejtoreshë te Posta

Burri i tezes së kushërirës – te Drejtoria e Doganave

Krushku i vet – te Drejtoria e Transporteve në Ministrinë e Brendshme