Italia: Koha për të hapur negociatat Shqipëri-BE

Kryeministrat Xhentiloni dhe Rama diskutojnë për bashkëpunimin ekonomik dhe luftën ndaj krimit e kanabisit

Qeveria italiane ka shprehur mbështetjen e saj për hapjen e negociatave të anëtarësimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. “Besoj se koha për të hapur negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE është maturuar”, u shpreh kryeministri i Italisë, Paolo Xhentiloni, në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun shqiptar, Edi Rama. Xhentiloni ka saktësuar se çështja mund të diskutohet në samitin e ardhshëm të Bashkimit Evropian, që do të mbahet në dhjetor. “Shqipëria ka bërë hapa të jashtëzakonshëm, edhe në sektorët që BE po i ndjek me vëmendje”, ka thënë shefi i ekzekutivit italian. Lidhur me negociatat, Xhentiloni tha se sidomos në vitin 2018, ka disa afate vendimtare për të cilat duhet të punohet në mënyrë që të kemi rezultat. “Shqipëria ka bërë hapa të jashtëzakonshëm përpara dhe i ka bërë edhe në sektorë ku ka pasur një vëmendje të madhe nga ana e Bashkimit Evropian. Bashkimi Evropian ka interes, jo vetëm ndaj Shqipërisë, por edhe ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor, që ta mbajë të hapur perspektivën e pranimit. Pas një faze vështirësish në Bashkimin Evropian, ku u zhvillua për herë të parë dhe një referendum me anë të të cilit njëri nga vendet anëtare vendosi të dalë, vitin e fundit, periudhën e fundit u regjistrua një bindje e re për të shtyrë përpara Bashkimin Evropian. Kjo bindje mund të ndiqet seriozisht, vetëm përmes rrugës së hapur të pranimit në BE të disa vendeve, midis të cilëve sigurisht, të paktën për sa i përket Italisë, Shqipëria, - është patjetër themelore”, nënvizoi nga Roma kryeministri italian. Ai shtoi se ishte besimplotë për faktin se kjo nuk do të mbetet vetëm një pikëpamje e Italisë, “por do të transformohet në një perspektivë për të cilën mund të punojmë edhe me lider të tjerë evropianë, në mënyrë që t’i vëmë realisht qëllimin vetes që të mbërrijmë në një rezultat duke filluar nga viti tjetër”.

Kryeministri Xhentiloni shtoi se Shqipëria e Italia kanë një bashkëpunim mjaft aktiv në fushën e drejtësisë, të sigurisë dhe policive kundër krimit të organizuar, trafikut të lëndëve narkotike dhe kundër rreziqeve për sigurinë si pasojë e terrorizmit. “Kemi dhe një bashkëpunim mes sistemeve tona të drejtësisë, për të rritur cilësinë e këtyre sistemeve. Ka edhe një bashkëpunim aktiv mes gjykatave. Do të jenë këta dy kapituj të luftës kundër kriminalitetit dhe të cilësisë së sistemit të drejtësisë, disa nga kapitujt më të rëndësishëm në diskutimin me Bashkimin Evropian, për të filluar rrugëtimin e anëtarësimit të Shqipërisë”, nënvizoi kryeministri italian.

Rama: Rezultat spektakolar ndaj kanabisit
Kryeministri Edi Rama u shpreh në Romë se Italia nuk është thjesht dhe vetëm një partnere strategjike për Shqipërinë, por edhe një vend që e ndjejmë shumë pranë në të gjitha pikëpamjet. “Italia nuk është e rëndësishme vetëm nga pikëpamja e marrëdhënieve dypalëshe, por edhe në pikëpamjen rajonale ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm, për të çuar përpara Procesin e Berlinit dhe takimi ynë në Trieste qe vërtet një moment për t’i dhënë një shtyse të re këtij Procesi. Sigurisht që Italia është një partnere kryesore në rrugën tonë për ta bërë Shqipërinë një vend të sigurt, një vend të së drejtës”, tha Rama. Ai falënderoi Xhentilonin për ndihmën në fushën e sigurisë, “veçanërisht në luftën kundër fenomenit të kultivimit të kanabisit dhe fitoren mbi këtë fenomen, por edhe në fushën e drejtësisë, veçanërisht për të çuar përpara një reformë të drejtësisë që është një nga shtyllat për Shqipërinë e së nesërmes, por edhe për pranimin në Bashkimin Evropian”. “Nuk ka dyshim që rezultati spektakolar, që do të bëhet i ditur në ditët e ardhshme, edhe falë vizitës të Ministrit italian të Punëve të Brendshme, kundër kultivimit të kanabisit është një ndër rezultatet e shumta të këtyre viteve, që mund të konsiderohen si fryt i bashkëpunimit dhe ndihmës së Italisë”, u shpreh Rama. Ai nënvizoi se Shqipëria beson fort që ka bërë gjithçka për të hapur negociatat, gjithçka që ka të bëjë me atë që na u vu përpara si detyrë shtëpie. “Jam i sigurt se me ndihmën e Italisë në radhë të parë, por edhe të vendeve të tjera, gjërat që janë bërë, mund të marrin rëndësinë e duhur, që ta çojmë akoma më tej këtë proces dhe të hapim negociatat për pranim vitin tjetër”, u shpreh Rama.