ISP: Prova si u manipuluan votat në Elbasan, 4983 vota më shumë

536
Sigal

Instituti i Studimeve Politike ka publikuar një tjetër mospërputhje të shifrave për zgjedhjet e 30 qershorit. Bëhet fjalë për Elbasanin, ku rezultojnë 4983 vota më shumë në kutitë e votimit, të deklaruara nga vet KQZ. ISP thotë se pjesëmarrja është rritur artificialisht në Elbasan.

Postimi i Institutit të Studimeve Politike:

Çfarë po ndodh me votimet e 30 qershorit?

Pas kontestimeve të shumta për shkak të shifrave të ndryshme të pjesëmarrjes ofruar nga KZZ dhe KQZ, gjë që çoi pjesëmarrjen nga 18% në 20% dhe më pas në 22%, edhe në vendimet e fundit zyrtare të KQZ gjenden të dhëna paradoksale. Ja p.sh, KQZ ka vendosur shpalljen e rezultateve finale për kryetarin dhe këshillin bashkiak Elbasan.

Siç shihet nga tabela, në vendimin e KQZ thuhet se në kutinë e votimit u gjenden 35,618 vota, nga të cilat 2,089 dolën të pavlefshme dhe 44 fletë të hedhura gabim, ndërkohë që fletë të vlefshme KQZ shpall 38,479 ose 2,861 vota më shumë sesa fletët e votimit të gjetura në kuti.

Nga votat e gjetura kandidati i vetëm në zgjedhje ka fituar 100%, pra 38,479 vota nga 35,618 fletë-votimi të gjendura në kuti.

Nga ana tjetër po KQZ ka deklaruar se në kutinë e votimit për këshillin bashkiak janë gjetur 40,601 fletë votimi, ose rreth 4,983 vota më shumë sesa tek kutia e votimit për kryetar..!??

Zyrtarisht, përderisa tabela gjendet në faqen e KQZ (http://cec.org.al/ëp-conte…/uploads/…/07/KRYETAR-ELBASAN.pdf) ajo është dokument zyrtar dhe si i tillë merr vlerë referimi për sot e mot.

Çfarë ka ndodhur? Kush ka të drejtë dhe kush mban përgjegjësi?

A duhet ti besojmë KQZ apo duhet të vazhdojmë të verifikojmë edhe të dhënat e tij?

Në rastin më të mirë kemi të bëjmë me pakujdesi tjetër të KQZ në shpalljen e rezultatit të votimit dhe të miratimit të tabelës të votave, në rastin më të keq kemi të bëjmë me një deformim të rezultatit të votimit për këtë bashki.

Në rastin e parë KQZ tregon edhe më tej se më shumë është kujdesur për të qenë korrekt me detyrimet & deklarimet politike sesa me ushtrimin e funksionit të tij ligjor në administrimin me standarde të zgjedhjeve, por në të dy rastet është e qartë tashmë se modeli mbipartiak me KQZ/KZAZ/KQV/GN ka dështuar në mënyrë spektakolare dhe ka ardhur koha për ti dhënë fund komisarëve e militantëve partiakë në administrimin zgjedhor.