Ismaili i bën tenderat me nipin në ministri, Maliqi i kërkon interpelancë Ramës

476
Sigal

Deputeti Lefter Maliqi, që denoncoi nepotizmin në Ministrinë e Brendshme, ka reaguar sot pasi kryeministri Rama e largoi nga dikasteri Sekretarin e Përgjithshëm Dritan Palnikaj. Maliqi shprehet se ‘interpelanca me Kryeministrin do të zbardhë këto të vërteta dhe kush janë klanet mafioze që bëjnë këto emërime pa asnjë kriter…”

“Me shkarkimin nga detyra të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme, u provua shqetësimi im nëpërmjet statusit në Fb ditën e djeshme për lidhje nepotike mes Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme, si dajë e nip, për zhvillimin e tenderave të Burgjeve, ku nipi i kryente dhe daja i merrte në dorëzim.”

Maliqi i referohet kështu Agim Ismailit dhe Dritan Palnikajt.

“E keqja më e madhe, – shkruan Maliqi, – është se vazhdon të qëndrojë i qetë në detyrë, pasi abuzimet, arroganca, fyerjet, kërcënimet, e shkuara e errët, tejkalimi i kompetencave, paaftësia, shantazhimet, privatizimi i detyrës, shkatërrimi dhe degradimi që po i bën sistemit të Burgjeve, shkarkimet, pezullimet, lirimet, komandimet e paligjshme etj etj, janë njolla më e zezë e Drejtorit më të paaftë që ka njohur administrata e Burgjeve këto tre dekada.

Lufta ime për të mbrojtur me të drejtë njerëzit e thjeshtë që respektojnë ligjin, nuk do të ndalojë asnjëherë, pasi unë mbroj interesat e qytetarëve e jo të pushtetarëve. Interpelanca me Kryeministrin do të zbardhë këto të vërteta dhe kush janë klanet mafioze që bëjnë këto emërime pa asnjë kriter, meritë, aftësi, por vetëm shërbejnë si ushtarë ndaj këtyre klaneve që përfitojnë nga djersa e popullit dhe shantazhojnë administratën e ndershme të shtetit.”

Maliqi ka theksuar në shënimin e tij: “Qeveri e korruptuar, e kapur nga klanet mafioze, duhet rrëzuar një sahat e më parë.”