ISMAIL QEMALI – SHEMBULLI HISTORIK

862
Sigal

Flet Akademik Rexhep Qosja: Me Ismail Qemalin është e lidhur historia e Kombit, fundi i pushtimit otoman, liria dhe pavarësia. Ja tre parakushtet në suksesin e tij politik dhe shtetëror që duhet të shërbejnë si model për liderët shqiptarë.

Një fund dhe një fillim

Këtë vit, 2019, e shënojmë 100-vjetorin e ndarjes nga jeta të Babait të Pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemalit. Ismail Qemali është personalitet me rëndësi të madhe në historinë e popullit shqiptar. Me emrin e tij është i lidhur një fund dhe një fillim në këtë histori: Fundi i pushtimit shumëshekullor otoman dhe fillimi i lirisë dhe i pavarësisë shqiptare, sado jo për krejt popullin shqiptar. Si themelues i Shqipërisë, ai hyn në radhën e atyre personaliteteve që e kanë ndryshuar historinë politike të popullit shqiptar dhe të Ballkanit në përgjithësi.

 

Karakteri i tij

Ismail Qemali është njëri nga politikanët me prejardhje shqiptare më të suksesshëm në Perandorinë Otomane, dhe kur thuhet kështu, mendohet në karrierën e tij të gjatë politike e shtetare dhe në ndikimin e tij të madh. Ai i kishte tri parakushte për sukses politik e shtetëror: E para, kishte prejardhje fisnike – çka shikohej shumë në atë kohë; e dyta, ishte aq i pashëm e përshtypjelënës në mesin e burrave të tjerë – çka nuk ishte e parëndësishme as atëherë, as më vonë; e treta, ishte aq mendjelartë sa të shquhej fort mes të shquarve – çka çmohet shumë gjithmonë. Cilësitë me të cilat e kishte dhuruar natyra apo ishte pajisur gjatë jetës e punës, më parë se ç’kundërshtoheshin, krijonin baraspeshë në personalitetin e tij. Ai ishte modest dhe i dinjitetshëm, i vendosur dhe zemërgjerë, i guximshëm dhe i matur, gojëtar e largpamës. Gjykimi i tij i qartë, sjellja e tij e avashtë dhe shija e tij e sigurt e bënin sipëror dhe magjepsës personalitetin e tij. Me veprimin e tij të njësuar, ai ishte zotëruesi i situatave dhe, siç është thënë bukur për të, zotëria i kohës. Në pozitë të lartë a pa të, i pasur a i varfëruar, i adhuruar a i shpërfillur, i mbrojtur a i dënuar, në Atdhe a në mërgim, ai ishte kudo e kurdo ISMAIL QEMAL VLORA.

Karriera e tij

Në sajë të cilësive të sipërthëna, Ismail Qemali do të arrijë të bëhet denjëtar i lartë në Perandorinë Otomane. Por, në sajë të cilësive të sipërthëna, Ismail Qemali do të arrijë të bëhet prijës i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, themelues i shtetit shqiptar dhe kryeministër i Shqipërisë – të gjitha këto aty ku, zakonisht, zogoritë e mediokriteteve ndiejnë kënaqësi të madhe në përmbysjen e gjenive! Gjatë, gati gjysmëshekulli të veprimtarisë politike e shtetare në Perandorinë Otomane, ai do të arrijë të jetë sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme, por edhe i caktuar ministër i Jashtëm, ministër i Punëve të Brendshme a i Drejtësisë; prijës a pjesëmarrës në misione të ndryshme politike e diplomatike të Perandorisë në vende të Evropës; Kryetar i Komisionit Evropian të Danubit; këshilltar a sekretar i kryeqeveritarëve në vilajete; prefekt në qytete të mëdha a kryeqeveritar në krahina të mëdha të Perandorisë; kryetar i Dhomës së Deputetëve, por nuk e pranonte titullin pasha, sepse e shihte si diçka të tejkaluar. Njohja e gjendjes politike e shoqërore dhe përvoja e madhe shtetare do ta bëjnë disa herë të përzgjedhurin e sulltanit për reforma shtetërore. Cilësitë e larttheksuara do ta bëjnë, njëkohësisht, edhe të dyshimtin a të dënuarin e sulltanit, para të cilit ai do të ketë guximin t’i shfaqë shpengueshëm mendimet. Domethënë: Cilësitë që do ta bëjnë të mundshme karrierën e tij, do të bëhen edhe shkaku i smirës, që do të zgjojë te politikanë e diplomatë dhe i përndjekjeve që do të pësojë, duke qenë i çuar në mërgim, i privuar pasurie dhe i dënuar me vdekje.

Besimi i tij politik

Të dhënat që dihen për jetën dhe veprimtarinë politike e shtetare të Ismail Qemalit, kujtimet e tij dhe kujtimet e të tjerëve për të e kallëzojnë njeri me formim të gjithanshëm dhe me kulturë të gjerë, çfarë ishin shumica e intelektualëve shqiptarë të Rilindjes Kombëtare. Në mendjen e tij kishte vend për të gjitha kulturat, kurse në zemrën e tij vend për të gjitha racat, të gjitha kombësitë dhe të gjitha besimet. Megjithëse atdhetar i përkushtuar dhe krijues i shtetit shqiptar, ai kurrë nuk do t’i keqpërdorë ndjenjat kombëtare për qëllime politike. Megjithëse mysliman për nga besimi, ai do të kalojë jetë të lumtur me gruan e besimit të krishterë dhe të kombësisë tjetër. Megjithëse politikan e diplomat në një Perandori në të cilën sundonte despotizmi oriental, me bindje e me sjellje ai ishte demokrat liberal. Marrëveshja ishte mjeti i tij politik; toleranca ishte mënyra e sjelljes së tij; humanizmi ishte etika e tij; liberalizmi ishte koncepti i tij për shtetin dhe shoqërinë. Ai mbron të drejtat e njeriut në një kohë kur nuk kishte mbrojtje të tyre të ligjësuar dhe në kushte në të cilat aq shumë shkeleshin ato më shumë vende në Botë. Ai punon për lirimin e çekrezëve që trajtoheshin skllevër; ai merret me vendosjen në Perandorinë Otomane të hebrenjve të dëbuar dhunshëm nga Rusia. Kudo është i caktuar për qeveritar në Perandori, Ismail Qemali bën përpjekje të asnjanësojë pasojat e sundimit despotik dhe të ushtrojë pushtetin si pushtet të ndërgjegjes