Islami: Jam në pritje të ftesës zyrtare për t’u përfshirë në listën e kandidatëve të Partisë Demokratike

601
Sigal

Ish- deputeti socialist: Mua ma faturuan kot shprehjen “do u thyejmë kafkat demokratëve” sepse e ka thënë dikush tjetër

 Ish- deputeti i Partisë Socialiste, Kastriot Islami në një intervistë të dhënë dje në emisionin “Prizëm”, përballë gazetarit Aleksandër  Furxhiut, u shpreh se, ai është ende në pritje, të një ftese nga selia blu për të kandiduar si përfaqësues i maxhorancës. Ndërsa i pyetur për shprehjen e njohur që ai ka thënë në vitin 1993, ai tha se këtë shprehje e kishte thënë dikush tjetër. Në intervistën e djeshme, Selami vuri në dukje edhe gjendjen e tij emocionale, në prag të marrjes së vendimit për të kandiduar në emër të kupolës blu, të Partisë Demokratike.

 Zoti Islami, jeni zgjedhur 7 herë deputet, a do të jeni përsëri në Parlamentin tjetër ?

Në vitin ‘91, kur u implikova në politikë në mënyrë pak aksidentale, të themi, (d.m.th, nuk ka qenë politika vokacioni im), kam qenë më tepër i orientuar drejt shkencës. Është dashur një periudhë mbi 5-vjeçare nga ‘91 deri në ‘96, për t’u bërë anëtar i PS. Nuk kam qenë asnjëherë tjetër, më parë anëtar i ndonjë partie dhe duke qenë midis shkencës dhe politikës, ishte një vendimmarrje e vështirë dhe unë në përgjithësi, jam person që i mendoj gjërat, shumë gjatë dhe thellë. Në 2009-n me rastin e humbjes së zgjedhjeve nga ana e PS, filloi një fazë që dihet se ka pasur një sërë fenomenesh, siç është bojkoti, greva e urisë, protesta, 21 janari dhe unë duke qenë se, gjatë gjithë periudhës sime 18-vjeçare kisha luftuar kundër këtyre fenomeneve vazhdova si të thuash më tepër ti bindem bindjes dhe ndërgjegjes sime sesa një disipline formale të partisë.

Zoti Islami, a do të jeni në listën e kandidatëve të PD-së për deputet?

Të kuptohemi drejt, është një vendim që ende nuk e kam marrë, doja të shpjegoja që është një nga vendimmarrjet më të vështira të jetës sime, për të qenë i sinqertë. Nga njëra anë, dua t’i bindem një thënie që më ka bërë përshtypje, qysh në fillim kur fillova të implikohem dhe të lexoj edhe literaturë politike, e Platonit, që: “Duhet pjesa intelektuale, pjesa e njerëzve racionalë,  pjesa e njerëzve të formuar të merret më politikë që të mos qeverisen nga inferiorët”.  Kjo ka qenë dhe një arsyet që unë kam marrë vendimin në ‘96 për t’u implikuar në politikë dhe gati 100% të kohës të merrem me politikë. Tani jam prapë në këtë dilemë, zgjidhjet janë që ose të pranoj një kandidim që ende nuk e di nga do vijë dhe çfarë do bëj, ose e dyta, të largohem nga politika.

Nuk keni një ftesë në këtë moment që po flasim bashkë?

Nuk kam një ofertë konkrete, të cilën unë duhet ta shikoj dhe tjetra edhe sikur të kisha një ofertë konkrete, sot akoma nuk kam një vendimmarrje midis këtyre dy opsioneve.

Në një kohë që kanë mbetur pak ditë për ta marrë vendimin, brenda dy – tre ditësh, nëse keni një ofertë, ju do të duhet të vendosni apo jo?

Sigurisht, sigurisht. Me sa duket është një vendimmarrje e vështirë, dhe do ta marrë vendimin në minutat e fundit, siç e marrin edhe liderët shqiptarë, për të nxjerrë listat në minutën e fundit.

Kastriot Islami është një nga njerëzit më të sulmuar nga kjo forcë politike, pas Fatos Nanos. Dhe më pas ju kaloni në këtë parti, ky është një vërtetim i asaj,  se në politikë ndodh çdo gjë?

Dhe këtë opsion e kam analizuar gjatë këtyre kohëve të fundit dhe në radhë të parë dhe këtë e them me sinqeritet,  ka qenë shumë e rëndësishme gjatë kësaj kohë, që unë të bëjë diçka ndryshe, nga ç’po ndodh këto 6-7- 8 vitet e fundit, që dhe zoti Bugajski, e ka përshkruar shumë bukur në një nga 6 sëmundjet e politikës shqiptare është ajo që quhet klientelizmi korruptiv. Pra, në Parlamentin shqiptar shoh më shumë deputetë që ngrenë dorën, pa menduar ndërkohë, që unë duke thënë që këtë lloj shansi, ma dha dhe zoti Rama, me bojkotin me grevën e urisë etj., etj., të mos i bindem disiplinës formale, thjesht, për të ngritur dorën dhe për të thënë që “në rregull po bëj edhe unë si shokët e tjerë”, por t’i bindem ndërgjegjes dhe bindjes sime. Për një periudhë të caktuar, unë jam munduar të zhvilloj atë, që quhet mandati sovran i deputetit, derisa nuk më përjashtuan.

Ata që ju kritikojnë sot kujtojnë një thënie tuajën do t’ju thyejmë “kafkat demokratëve”! Si është e vërteta e keni thënë?

Nuk është tamam kështu, ka qenë një moment, kur është bërë mbledhja për heqjen e imunitetit të zotit Nano,  në  vitin ‘93, ka qenë një mbledhje e komisionit për heqjen e imuniteteve, ka qenë një debat dhe ka qenë dikush tjetër, që e ka thënë dhe e kam transmetuar në media por nuk është thënia ime ajo. Unë nuk jam dalluar ndonjëherë, as për veprime retorike të këtij lloji.

Prej një viti thuhet në rrjetet sociale që mund të rreshtoheni në radhët e PD dhe u përforcua sidomos kohët e fundit

Pas seancës së 15 prillit Kryeministri u shpreh edhe për një bashkëpunim afatgjatë me ju. Si mendoni për këtë?

Në pozicionin që ishte Kryeministri, ajo deklaratë më duket deklaratë e tij personale. Pavarësisht respektit shumë të madh që kam për dy kolegët e mi Dogjani dhe Kadeli historia ime është e ndryshme, nga ajo e tyrja. Unë kam katër vjet që mbaj qëndrim ndryshe dhe nga këta dy kolegë dhe u bashkuam së fundi për votimin e qeverisë dhe tek ai i KQZ-së. Unë kam katër vjet që veproj ndryshe, kam një vit e gjysmë i përjashtuar nga PS dhe siç thashë nuk kam pasur as presionin e një disipline formale, dhe vendimet e mia kanë qenë sipas ndërgjegjes sime dhe nuk janë bërë siç mund të ketë menduar ndonjëri në funksion të ndonjë pazari apo marrëveshje, apo dhe bashkëpunimi me zotin Berisha, pavarësisht se atij kjo gjë i ka shërbyer, i ka volitur.