Ish-ushtarakët vazhdojnë betejën për pensionet

529
Ish-ushtarakët kundërshtojnë vendimin e dhënë nga Gjykata e Lartë, që iu heq atyre të drejtën për të ankimuar pensionet në gjykatat e shkallës së parë. Më 6 shtator ata do të përballen në Gjykatën Kushtetuese dhe kreu i Shoqatës së Ushtarakëve në Lirim dhe Rezervë, Thoma Konduri thotë se kanë ende shpresë tek drejtësia. “Dy vendimet e para të Gjykatës Kushtetuese kanë qenë favorizuese, na është dhënë e drejta e ankesës sonë. Qeveritë nuk i kanë marrë parasysh këto dhe i kanë përkeqësuar ligjet, kjo është arsyeja që ne kemi vajtur gjyq pas gjyqi. Ne si shoqatë presim drejtësi, shpresën tek drejtësia nuk e kemi humbur. Paradoksi është se kemi dhe qeverinë kundër nesh. Miratojnë ligjet në parlament dhe po këto ligje i shkelin vetë. Detyrojnë Sigurimet Shoqërore të hedhin në gjyq ushtarakët. Ky kalvar ka filluar që në 2004 kur u miratua statusi i ushtarakut, për më tepër për pensionet e parakohshme në 1999. Me urdhër verbal të Sigurimeve Shoqërore këto pensione u përgjysmuan”, shprehet Konduri. Ai shton se shpreson që kjo të korrigjohet në Kushtetuese, megjithëse kanë ndodhur veprime skandaloze prapë nga kjo gjykatë me vendimin e tretë të saj. “Kur një grup ushtarakësh apeluan aktin normativ, Gjykata Kushtetuese mori një vendim të paarsyeshëm duke detyruar dhe gjykatat e tjera të marrin vendime në kundërshtim me realitetin. Gjykonte që ulja e pensioneve që u bë me aktin normativ gjykohej mbi gjendjen ekonomike, vështirësitë që kishte shteti në një kohë kur pensionet e tjera ngriheshin, rrogat ngriheshin dhe asnjë pension tjetër nuk u cenua përveçse i ushtarakëve”, tha Konduri.

Duke e cilësuar ndeshjen e fundit të ushtarakëve për të drejtat e tyre, Konduri tha në studion e “Ora News” se të gjitha qeveritë kanë bërë padrejtësi ndaj tyre. “Është ndeshja e fundit që bëjmë ne ushtarakët përkundrejt veprimeve të padrejta qoftë të qeverisë, qoftë gjykatave të Shqipërisë lidhur me të drejtat ekonomike të ushtarakëve. Përballjen e kemi me Gjykatën e Lartë. Në nëntor të 2016 ka marrë një vendim tepër absurd me anë të cilit u heq të drejtën të gjithë ushtarakëve të kërkojnë të drejtat e tyre të shkelura. Janë mijëra ushtarakë që kanë fituar të drejtën e tyre dhe kanë marrë shpërblimin që u takon.
Sigal