Ish-presidenti Topi zyrtarizon drejtimin e FRD-së

556
Sigal

Dje, ish-presidenti Topi, vetëm 10 ditë nga largimi nga Presidenca, zyrtarizoi, de facto, anëtarësimin në FRD në takimin që pati me Kryetarin e Grupit Nismëtar të FRD-së, zotin Gazmend Oketa dhe zotërinjtë Aleksandër Biberaj, Andi Seferi, Belma Muka dhe Edlira Gjoni. Zoti Topi shoqërohej nga zotërinjtë Afrim Krasniqi dhe Stela Balla.

Pas takimit zotërinjtë Topi dhe Oketa dhanë për median një intervistë, të përbashkët.
– Zoti Topi pse ky takim sot?
– Do ta konsideroja këtë takim si hapin e parë publik të procesit të zyrtarizimit tim për rikthimin në politikë. Dhe më vjen shumë mirë që sot, unë kam qenë me njerëz të nderuar, në përgjigje të ftesës së tyre për ta bërë këtë akt, sikurse ju thashë, zyrtar dhe publik. Do të jetë fundi i këtij muaji kur do të realizoj hapin përfundimtar dhe jam i bindur që takimi tjetër do të realizohet në selinë e FRD-së. Kjo është një forcë e re politike, e cila në vizionin dhe në projektin e saj politik e ka bërë tashmë të qartë që do të jetë në funksion të plotë të aspiratës së qytetarëve dhe më ka pëlqyer një shprehje e zotit Oketa, i cili kur është pyetur për aleancat e mundshme ka thënë që “ Aleanca jonë është aleanca me qytetarët”.
– FRD-ja do të synojë që të reformojë të djathtën?
– Ju bëni një pyetje që i takon, ndoshta, momenteve të tjera, kur unë të kem bërë hapin tjetër, të kem shkuar në selinë e FRD-së. Njëherësh këto pyetje duhen bërë jo vetëm me mua, por edhe me pjesëtarët e nderuar të FRD-së, shumica e së cilës është prezente sot këtu.
– Oketa, si e vlerësoni pjesëmarrjen e zotit Topi në Frymën e Re Demokratike?
-Eksperienca e zotit Topi si President i Republikës dhe si një nga politikanët më të shquar në Shqipëri do të jetë një aset i shtuar, një vlerë e shtuar dhe e mirëpritur në Frymën e Re Demokratike. “Në emër të Frymës së Re Demokratike, duke vlerësuar dhe respektuar personalitetin e zotit Topi, patëm kënaqësinë ta ftonim sot atë për ta njohur me projektin tonë politik. Kontributi i z.Bamir Topi do të ishte pa dyshim një vlerë e shtuar për FRD-në” .