Ish-presidenti Moisiu: Reforma në drejtësi të bëhet pa paragjykime

103
Dje, në një debat të forumit civil, ish-presidenti Alfred Moisiu, kërkoi një proces rivlerësimi të gjyqtarëve dhe prokurorëve të ndershëm dhe pa ndikim politik. Presidenti ka shprehur shqetësimin, se ka qarqe të korruptuara të politikës dhe gjyqësorit që kërkojnë ta pengojnë reformën në drejtësi, ndërsa Fatmir Xhafaj bëri me dije, se ka presion në lidhje me ngritjen e institucioneve të Vettingut dhe se javën tjetër në Shqipëri do të vijë trupa ndërkombëtare e monitorimit. I ftuar në këtë forum, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja tha, se edhe pse kjo gjykatë është anatemuar si penguese e reformës, vendimi për Vetting-un është marrë në kohë rekord. Ish-Presidenti, Alfred Moisiu, kërkon që procesi i Vetting-ut të bëhet pa paragjykim dhe pa ndërhyrje politike, edhe pse dyshon, se rrethe të caktuara të politikës dhe gjyqësorit po përpiqen t’i vënë stërkëmbësha reformës në drejtësi. Në fjalën e tij, mes të tjerash ish-presidenti Alfred Moisiu, theksoi: “Ne kërkojmë që procesi i rivlerësimit ose Vettingu të bëhet pa paragjykime, një Vetting| pa ndërhyrje politike, me transparencë të plotë dhe me standarde të njëjta për të gjithë.” Sipas tij, Vettingu tashmë është në fuqi dhe duhet të nisë zbatimi i plotë e pa vonesa.