Ish Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha: 27 Janari, një nga protestat me më shumë njerëz që ka pasur ndonjëherë vendi

657
E ftuar në Channel One TV, Ish-Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha është shprehur mbi zhvillimet aktuale të reformës në drejtësi. Më tej ajo tregon se qëllimi i protestës së 27 janarit nuk është vetëm për të rrëzuar një individ, por për të tundur nga themelet një sistem të ngritur në të kundërtën e interesave të qytetarëve. Gjosha mendon se protesta do jetë paqësore dhe me pjesëmarrje jashtëzakonisht të madhe. 
Si ish-Ministre e Integrimit unë do doja ta nisja me një pyetje lidhur me zhvillimin e djeshëm në Kosovë, me vrasjen e politikanit serb në Mitrovicë, Ivanoviç. Sa ndikim do të ketë në të gjithë rajonin në rrugën e Integrimit në këtë proces të rëndësishëm.
Është një ngjarje rëndë ajo çka ndodhur në Kosovë, tu them të drejtën është tronditëse edhe për vetë faktin se Kosova dhe Serbia kanë qenë dy shtete që pavarësisht tani janë në një rrugë dialogu me ndërmjetës BE, gjithmonë ka qenë shumë e vështirë marrëdhënia mes dy palëve dhe ky moment realisht ka tronditur pak edhe marrëdhëniet dypalëshe. Po të shikojmë ato ka ndërprerë tashmë dialogun dhe negociatat që vazhdonin mes tyre. Unë uroj që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt për të kuptuar se cila është prapavija e asaj çka ka ndodhur. Dhe shpresoj që përmes dialogut dhe negociatave të zgjidhet edhe kjo çështje se do ndihmonte të dyja këto vende të vazhdonin përpara në ecurinë e tyre në rrugën drejt BE. Por edhe stabilitetit të këtyre vendeve dhe të Ballkanit në përgjithësi. Pra është në të mirën e të gjithëve ne që të vendosin paqen mes tyre.

Për të folur për zhvillimet dhe aktualitetit në vendin tonë, si ju janë dukur këto ditë intensive me fokus zhvillimet sa I takon Reformës në Drejtësi dhe ngritjes së institucioneve të reja të saj. Sot u mblodh dhe komisioni I ligjeve ku opozita ishte e pranishme por nuk mori pjesë në votim duke ripërsëritur akuzat e saj se mazhoranca po tenton të kap reformën e drejtësisë. Nuk do të jetë pjesë opozita, LSI në rastin konkret për të votuar për ngritjen e këtyre institucioneve?
Opozita ka qenë e qartë gjatë gjithë kësaj kohe për ti bërë të ditur opinionit publik, ndërkombëtarëve por edhe institucioneve ligjzbatuese në vend se realisht ajo çka po ndodh këtu sot, është një shkelje fragante e Kushtetutës së Shqipërisë. Ne e kemi miratuar Kushtetutën e vendit, le ta quajmë Kushtetutë sepse ndryshimet për amendamentet që u bënë ishin aq të shumta sa zinin pjesën më të madhe përbërëse të saj, në fakt me fokus reformën në drejtësi. Do thoja se këto shkelje ka nisur që me zgjedhjen e prokurores së përkohshme të përgjithshme që e quan mazhoranca, e cila u zgjodh vetëm me 69 vota. Është një akt I paprecedentë që nuk ka ndodhur në 27 vite demokracinë këtë vend. Gjithmonë kemi zgjedhur kryeprokuror, disa mund të kenë pasur mbështetje politike të njëanshme të gjitha me radhë, megjithatë nuk ka ndodhur kurrë që të zgjidhen me 69 vota. Më pak vota se ç’është dhe legjitimiteti I një qeverie që ne kemi sot. Kështu që duke e parë nga ky këndvështrim unë do thoja që nga ky akt, Reforma në Drejtësi ka filluar që të bjerë sado pak ai kredibiliteti dhe besueshmëria që qytetarët shqiptarë kanë pasur ndaj reformës dhe ndaj gjithë këtij aktit të madh që po ndërmerrte vendi. Le të themi që edhe gjithë pjesa tjetër që ka ndodhur më pas, të gjitha vendimet e kryeprokurores së përkohshme kanë qenë antiligjore dhe dalin jashtë funksioneve apo përgjegjësive që ajo ka në atë post të cilin e ka marrë në mënyrë jo ligjore duke vazhduar dhe më tej dhe me hedhjen poshtë të disa pretendimeve që ka pasur edhe OMN-ja që le të themi kanë qenë dhe garanti për paanshmërinë, profesionalizmin, ekspertizën dhe atë pjesën jo politike që duhet të merrte reforma në drejtësi por edhe procesi I Vettingut. Ka pasur dhe një përplasje me sekretarin e përgjithshëm të Kuvendit të Shqipërisë dhe OMN-së kështu që në jemi të detyruar të shikojmë jo me besueshmëritë plotë mënyrën sesi po funksionin komisioni I ligjeve. Kemi zgjedhur sot edhe anëtarët tonë përbërës, për vazhdimësinë e ngritjeve të këtyre institucioneve kryesore për implementimin e reformës në drejtësi. P.sh LSI ka zgjedhur Nasip Naçon në përbërje të saj. Kemi qenë pjesëmarrës në këtë komision. Ajo çka ne kërkojmë është rikthimi I rrugës kushtetuese për implementimin e reformës në drejtësi dhe besoj këtë e kërkon çdo qytetar shqiptar.

Në fakt PD dhe LSI opozita e bashkuar, ka paraqitur një amendament ku kërkon ndryshimin e Kushtetutës dhe të Ligjit si edhe sa I takon zgjedhjes së kryeprokurorit por edhe paralel të pezullohet edhe mandate.
I është dërguar një letër zyrtare Kryetarit të Kuvendit, vetëm para pak ditësh në datën 15, kur nisi edhe legjislatura për vitin 2018. Ne urojmë që ajo shkresë të merret seriozisht, të gjitha amendamentet që ne kemi paraqitur në mënyrë që ti kthehet rrugës ligjore të zgjedhjes së kryeprokurorit I cili duhet të jetë konsensual sepse 84 vota do të thotë të zgjedhësh një kryeprokuror me konsensus të plotë politik dhe pa prapavije të një partie apo anshmërie të një partie të vetme, e cila do çonte në kapjen e reformës. Urojmë që këto të merren seriozisht, të shikohen dhe nga mazhoranca, ne jemi shumë të gatshëm për të ofruar dialogun tonë politik por edhe gjithë bashkëpunimin tonë edhe me anë të ekspertizës sonë ligjore që ne kemi pranë LSI. Jam e bindur që PD do të dëshironte dhe do të bënte të njëjtën gjë. Të shpresojmë se do të vendoset në një vijë ligjore pra e gjithë mënyra sesi po funksionon tashmë dhe komisioni i ligjeve.

Në fakt të gjitha partitë akuzojnë njëra tjetrën se nuk e do secila që është kundërshtari I tyre reformën në drejtësi. Realisht kush e do dhe kush nuk e do?
Kjo është një lojë fëmijësh sepse reforma në drejtësi nuk është më çështje e do njëra palë apo nuk e do tjetra palë. Është një domosdoshmëri dhe mënyrë sesi duhet të funksionojë demokracia dhe standardet demokratike në Shqipëri. Është një kusht i panegociueshëm për procesin e integrimit të vendit por përtej procesit të integrimit është një kusht që duhet ti vendosim vetes tonë për më shumë vende pune për ti dhënë qytetarëve atë drejtësinë e munguar në këto 27 vjet. Dhe për të bërë një shtet që nuk e kemi pasur realisht. Sepse që nga drejtësia fillon më pas mirëfunksionimi i një shteti në të gjithë sektorët që ajo ka. Duke përmendur këtu investimet e huaja, mënyrën sesi funksionon biznesi vendas, administrate publike, çështja e pronave që ende mbetet e pazgjidhur e kështu me rradhë. Prandaj nuk është më lojë dhe kush nuk e do, në qoftë se do të themi sot se kush nuk e do janë pikërisht ata që kanë një pushtet, ato që janë pjesë ekzekutive sepse në fund të fundit ato janë persona që ekzekutojnë vendime në dëm ose në të mirë të qytetarëve. Shume prej nesh që jemi në opozitë , mund tju them që mund të mos kenë pasur poste publike , pjesa më e madhe , një pjesë tjetër janë shumë të rinj, janë opozitarë me shpirt, duan që Shqipëria të eci para në rrugën e integrimit. Kështu që nuk mendoj se është më lojë, nuk e do opozita dhe e do mazhoranca. Nëse do të flasim për një Shqipëri Europiane duhet në radhë të parë të ndërtojë disa standarde të një dialogu politik që nuk ka ekzistuar në vend. Ndaj nëse duam një reformë që të implementohet me korrektësi së pari duhet të vendosim një dialog dhe një kulturë politike që e meriton Shqipëria dhe shqiptarët.

Si po shkon organizimi për protestën e 27 Janarit?
Tu them të vërtetën është një organizim tejet intensive në çdo njësi jo vetëm në kryeqytet por në të gjitha qytetet dhe fshatrat në vend. Mund tu them që vetë Kryetarja Monika Kryemadhi po viziton një sërë qytetesh edhe në këto momente që ne flasim pra është një tur që bëhet me të gjithë qytetarët për ti ndërgjegjësuar ata. Nuk është çështja vetëm për të rrëzuar një individ. Është çështja për të tundur nga themelet një sistem të tërë që është ngritur në këtë vend që shkon në të kundërtën e interesave të qytetarëve. Kemi të bëjmë këtu me një sistem ekonomik që po I rrënon ata , nuk kemi ende një pakt kombëtar apo një strategji konkrete sesi duhet të funksionojë ekonomia shqiptare, cilët janë sektorët ku ne duhet të investojmë. Kemi një rritje taksash të jashtëzakonshme që po rëndon çdo ditë e më shumë në xhepat e qytetarit por edhe të çdo biznesi I cili mos të harrojmë që punëson qytetarët shqiptar dhe është shumë e rëndësishme që të fokusohemi pra te ato gjëra që mund të duken te vogla por janë shumë të rëndësishme për çdo familje në këtë vend.

Cilat janë pritshmëritë tuaja, do të ketë masivitet në këtë protestë?
Besoj që po, do të jetë një nga protestat me më shumë njerëz që ka pasur ndonjëherë vendi.

Do te jetë paqësore?
Patjetër që po, të mos keni dyshime, protesta do të jetë paqësore për këtë po kujdeset secili nga ne për të dhënë mesazhin e duhur çdo qytetari, nuk ka pse të mos jetë paqësore, të gjithë qytetarët do të protestojnë për ato gjëra që ata i ndjejnë në shtepitë e tyre në fëmijët e tyre dhe te të afërmit e tyre.

Çfarë pret opozita nga kjo protestë, të rrëzojë kryeministrin Rama?
Unë e thashë pak më parë, nuk është çështja e rrëzimit por e ndryshimit të një sistemi që çdo ditë e më shumë po rrënoset në këtë vend të një sistemi që shkon kundër rrymës demokratike dhe asaj europiane. Ajo protestë është vetëm fillimi i te gjitha procedurave të njëpasnjëshme demokratike dhe ligjore që do të ndjek opozita deri në arritjen e objektivave të saj.

Nisja e këtij bashkëpunimi të ngushtë me PD mund t’ju çojë në një koalicion në zgjedhjet e ardhshme ?
Nuk është një debat apo një komunikim që është kryer në këto momente, ajo çka na intereson është të bëhemi bashkë për interesa të përbashkëta, të qytetarëve shqiptarë, për të çuar deri në fund këtë rrugë që kemi nisur dhe që do të jetë pa kthim, që është rruga e protestave gjithnjë paqësore, të kujdesshme nga ana e opozitës por edhe për të fituar disa kauza që janë kauza të vërteta të qytetarëve shqiptarë.

Ka edhe skeptikë nga PD përsa I takon bashkëpunimit me LSI ?
Ajo çka na ka bërë bashkë është shumë më e madhe se ajo që duhet të na ndajë dhe kjo është shumë e rëndësishme për tu menduar dhe për tu analizuar nga çdo anëtar i partive politike opozitare në vend. 

A ka të drejtë Kryeministri Rama që ngre shqetësimin duke thënë se edhe pak kohë na ndan nga marrja e një lajmi të mirë për hapjen e negociatave, i gjithë ky aksion i opozitës do të ndikojë për keq?
Unë e kam thënë gjithmonë që protestat janë një akt demokratik. Është një e drejtë e çdo qytetari për të protestuar. Ne patëm përpara disa ditësh një protestë të studentëve të mjekësisë. Është e drejta e çdo individi. Është e drejtë themelore e çdo njeriu në këtë vend. Gjithmonë nëse themi që ne jetojmë në një demokraci. Ndaj, çdo luftë që bëhet brenda institucioneve, sidomos brenda Kuvendit të Shqipërisë, është plotësisht legjitime, është plotësisht e mirëpritur edhe nga ndërkombëtarët, edhe nga qytetarët e këtij vendi. Protestat, pavarësisht se sa do të jenë ato në radhë, do të jenë paqësore. 

Por gjërat nuk shkuan kështu në protestën e fundit…
Mund t’ju them që ajo protestë ishte e provokuar në mënyrë direkte nga vetë kryetari i Kuvendit, por edhe Policia e Shtetit. E kam shprehur edhe më parë këtë gjë dhe kjo është diçka që edhe media, sepse e ka ndjekur nga afër atë protestë gjatë gjithë ditës, e ka parë shumë mirë se çfarë ka ndodhur realisht atë ditë dhe se përse gjërat shkuan në atë mënyrë. Është e rëndësishme mënyra se si do të realizohet protesta e 27 majit, por të jeni të bindur që opozita nuk do të provokojë asnjë lloj incidenti, përkundrazi do të ngrejë zërin për interesat e qytetarëve shqiptarë. Dhe besoj se do të jenë vetë ata që do të flasin për këto interesa të tyre, nuk besoj se do të kenë nevojë për ne përfaqësuesit politikë për të folur atë ditë. Nuk është e rëndësishme as se sa do të jetë numri i përfaqësuesve të opozitës në shesh se sa shpirti dhe besimi që qytetarët shqiptarë duhet të kenë për të përçuar mesazhin e tyre dhe për të kërkuar nga qeveria atë që ata meritojnë. 

Si ish-ministrja e Integrimit dhe duke parë koherencën e zhvillime në vendin tonë, cilat janë pritshmëritë tuaja në lajmin që do të marrë Shqipëria në qershor? A do të jetë ai pozitiv?
Duke qenë se kam mbajtur për katër vite postin e ministres së Integrimit, unë jam gjithmonë skeptike, sepse procesi i integrimit është një proces i bazuar në meritë. Pra, ti duhet të tregosh që ke një sërë rezultatesh nga 5 prioritetet, por jo vetëm, edhe në kriterin ekonomik për të cilin flitet shumë pak, si në media ashtu edhe në institucionet tona, në mënyrë që ti të marrësh një notë kaluese për të vazhduar nga një vend që sot ka statusin e vendit kandidat, në procesin e negociatave. Unë uroj që Shqipëria të çelë negociatat një ditë e më parë. Uroj që Shqipëria të fillojë sa më shpejt të negociojë për kapitullin 23 dhe 24, që kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës, për një arsye të vetme, sepse do të jetë një garant shumë i drejtë për implementimin e reformës në drejtësi, atë çka duam të gjithë ne. Çfarë janë kapitujt? Ato janë përafrimi i legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian. Do doja realisht që qershori ta gjente Shqipërinë me çeljen e negociatave. Se sa kjo do të ndodhë, i mbetet ministrit Bushati për të raportuar se cili është pozicioni i Shqipërisë sot dhe cilat janë rezultatet që ne kemi sot me pesë prioritetet kyçe, ende të mbetura për Shqipërinë dhe a janë ato mjaftueshëm për vendet anëtare për të dhënë dritën jeshile për bisedimet për anëtarësim. 

Si e shpjegoni ju faktin që sa herë kryeministri Rama shkon në Bruksel, merr vetëm komplimente për qeverisjen?
Mua kjo nuk më bën përshtypje t’ju them të vërtetën sepse ato janë bisedime tejet normale që ndodhin në Bruksel. Sfida e vërtetë është mbledhja e këshillit në qershor edhe kur vendet anëtare flasin me fakte për ecurinë e Shqipërisë, të procesit të vetingut dhe mënyrën se si implementohen të gjitha reformat shtetndërtuese në vend.

Duke qenë se Ministria e Integrimit u shkri dhe tashmë përgjegjësia i ka kaluar në një farë mënyre ministrit Bushati, si po e kryen ai këtë detyrë sipas jush?
Për fat të keq është e vështirë të bësh kritika për personat që ke punuar bashkë për 4 vite për procesin e integrimit të vendit. Shkrirja e ministrisë së Integrimit ka shkaktuar disa hapa prapa për procesin. E them këtë me bindje. E para është dashur më tepër se 3 muaj për të vendosur strukturat dhe për të emëruar ato më kyçet të cilat raportojnë në Komisionin Evropian për ecurinë e Shqipërisë, pra për legjislacionin vendas. Unë e kam përsëritur disa herë, e kam ngritur këtë çështje jo vetëm në televizione, por edhe në Komision, ku do dëshiroja një raportim të ministrit Bushati për sa i përket procesit të integrimit në këto momente dhe mënyrën se si po funksionon ministria sepse për sa kohë nuk ka struktura, do të thotë që edhe procesi ka mbetur dhe mbetet vetëm në kuadër komunikimi politik, por jo teknik. Fatkeqësisht, procesi i Integrimit është teknik.

Si i kemi ne sot marrëdhëniet me fqinjët?
Shqipëria është parë gjithnjë si një vend që ka kontribuar në marrëdhënien me fqinjët. Megjithatë problematikat e muajve të fundit kanë qenë të mëdha dhe sidomos me Greqinë. Unë e ripërsëris, Shqipëria është shumë e vogël për të pasur mosmarrëveshje me fqinjët. Çdo dialog mes palëve e sidomos me një vend të Bashkimit Evorpian, siç është Greqia që ka edhe një të drejtë vote për Shqipërinë, do duhej që nga ana jonë Ministria e Jashtme të ishte aktive dhe shumë më e interesuar për të zgjidhur çështjet e mbartura bilaterale me Greqinë. Sa më parë të zgjidhen ato, aq më shpejt ne do çlirohemi edhe nga ky lloj komunikimi shpeshherë i vështirë me palën tjetër. Që këto bisedime të vazhdojnë, të zgjidhen sa më shpejt, të mos mbetemi vetën në kuadër të ngritjeve të grupeve teknike, të cilat diskutojnë pa fund për zgjidhjen e problemeve dhe më pas në nivel politik kalojnë një ngërç komunikimi mes palëve. Uroj që pse jo, kryeministri jonë të marrë përsipër dhe një vizitë në Greqi e cila nuk ka ndodhur gjatë katër viteve e gjysmë.

Pse nuk ka ndodhur sipas jush?
Unë nuk e di përse nuk ka ndodhur, por shpresoj të ndodhë sa më shpejt. Sepse ne jemi dy vende që më shumë na lidh bashkëpunimi se sa na ndajnë, apo na përçajnë ato çështje që ende kanë mbetur të pazgjidhura. Mos harrojmë se janë me mijëra qytetarë shqiptarë që jetojnë në Greqi dhe ata janë qytetarë që të paktën meritojnë një përkujdesje edhe nga pala shqiptare.

Nëse do të krahasonim dy mandatet edhe pse ky i dyti ka kaluar shumë pak, çfarë ndryshimi kanë në syrin tuaj?
Ka një ndryshim thelbësor. Ndryshimi është një dhe vetëm një. Mënyra se si u procedua me reformën në administratën publike, ajo çka në katër vitet e para u cilësua nga BE dhe nga vetë Kryeministri Rama si reforma më e suksesshme, si prioriteti më i suksesshëm nga pesë prioritetet kyçe të Shqipërisë dhe në momentin kur nisi punën qeveria e re, ne patëm një rënie të të gjitha ministrive, po të shikoni kemi një ndryshim strukture në të gjitha ministritë, ende në secilën prej tyre specialistët, shefat e sektorit, drejtorët ende nuk janë të emëruar. Që do të thotë, që administrata publike edhe sot që ne flasim nuk po funksionon. Ky nuk është shqetësim vetëm i imi, nuk është konstatim i imi. Ndoshta ky është një rast për tu analizuar si nga media, ashtu dhe nga komisionet parlamentare, nga qytetarët, edhe më tej sepse është një shqetësim edhe i ndërkombëtarëve. Mos të harrojmë që janë ndërkombëtarët dhe shumë nga vendet anëtare ato që ndajnë shumë projekte të përbashkëta dhe me shumë ministritë tona që janë sot funksionale, dhe nuk po gjejnë dyert e hapura, apo personat përgjegjës me të cilët duhet të komunikojnë, për mënyrën se si po implementohen këto projekte dhe këto fonde të ardhura nga vendet dhe nga qeveritë e tyre. Kjo është realisht e dhimbshme realisht për një vend që pretendon se ka arritur standardet dhe që pretendon që së shpejti të çelë negociatat.
Sigal