Ish-ministri Tahiri të gjykohet i lirë. Opozita: Triumfoi krimi, loja po mbyllet sipas paktit Rama-Tahiri

639
Sigal

Petraq BARJAMI

Apeli i Krimeve të Rënda: Ish-ministri Tahiri do gjykohet i lirë

Reagimi i Opozitës: Triumfoi krimi. Loja drejt fundit. U mbyll sipas paktit mafioz Rama-Tahiri

Nuk do të jetë çudi, që ndonjë ditë të afërt gjykatat në Shqipëri të vendosin për pafajësinë e plotë të ish-ministrit Tahiri dhe taksapaguesit shqiptarë të paguajnë qindra milionë lekë, dëmshpërshblim për dëmtim të imazhit moral dhe politik ndaj Saimir Tahirit.

Apeli: Tahiri i lirë

Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda vendosi dje të shfuqizojë masën “arrest shtëpie” të Gjykatës së Krimeve të Rënda ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Të njëjtët gjyqtarë, që më 26 dhjetor 2017 vendosën t’i kthejnë pasaportën, duke hequr masën e ndalimit të udhëtimit jashtë Shqipërisë, morën edhe dje një tjetër vendim në favor të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Trupës gjykuese të Apelit të Krimeve të Rënda, Saida Dollani (kryesuese), Fehmi Petku (anëtar), Sokal Binaj (anëtar) i janë dashur 30 minuta reflektim për të dalë në konkluzionin se duhej shfuqizuar masa “arrest shtëpie”, e dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, duke i rikthyer kështu lirinë. Të njëjtët gjyqtarë, që i kthyen dje lirinë, vendosën të pranojnë në dhjetor të vitit të shkuar, provat e paraqitura nga avokati i Tahirit, se klienti i tij nuk përbënte rrezik për të prishur provat dhe se s’kishte arsye pse të largohej jashtë vendit. Kujtojmë se Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi më 12 maj masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, të akuzuar si të përfshirë në trafik droge me grupin Habilaj, ndërkohë që sot u vendos që ai të hetohet i lirë.

Ambasada Amerikane në Tiranë: I qëndrojmë deklaratës të Ambasadorit Lu

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i ambasadës amerikane në Tiranë, pas marrjes së vendimit të Gjykatës së Apelit për heqjen e masës së arrest shtëpia ndaj ish-ministrit Tahiri, Ambasada Amerikane pohoi se i qëndron të njëjtës deklaratë që bëri një ditë më parë ambasadori Lu, i cili deklaroi të dielën pasdite se: “Kemi dëgjuar disa raportime nga burime të pavarura për presione serioze në këtë çështje, përfshirë edhe ryshfete që u janë ofruar gjykatësve. Askush nuk është mbi ligjin”- ka thënë Donald Lu.

Avokati Maks Haxhia: Nuk ka kushte e kritere që Tahiri të mbetet në burg

Pas vendimit të Apelit, u pyet edhe avokati I Tahirit, Maks Haxhia, i cili u ndal të fliste për ligjin dhe provat. Sipas tij, kjo nuk ishte fitorja e tij personale, por një vendim i bazuar në ligj. Prokurori Artan Bajrami ka kërkuar që ai të shkojë drejt masës “arrest me burg” duke i mëshuar fort letër porosive të ardhura nga Greqia e Italia. Nga ana e tij Maks Haxhiaj ka thënë se nuk ka asnjë provë dhe se Tahiri ka vepruar konform ligjit. “Nuk ka kushte dhe kritere që Tahiri të mbetet në burg”,- ka thënë Haxhia. Ndërsa për deklaratën e ambasadorit Lu, avokati Maks Haxhia tha: “Ishte e rëndësishme se atë mesazh e ndava në dy pjesë. Ndodh rëndom në vend kur ka çështje pikante, që përdoren metoda të tilla, ose hapen fjalë që qarkullojnë presione apo para. Veçoj mesazhin e Lu që gjykata duhet të gjykojë në prova dhe në ligj. Nëse gjykata i referohet provave dhe ligjit sot Tahirit duhet t’i hiqet masa e arrestit të shtëpisë”- tha ai.

Reagimet politike ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit për Tahirin

Kryetari i PD-së Basha: Loja u mbyll sipas paktit mafioz, Rama e Tahiri të pandarë

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, e cila dje e la të lirë ish-ministrin Saimir Tahiri, që po hetohet për përfshirje në trafik droge.  REAGIMI I BASHËS: Rama-Tahiri: Loja drejt fundit. U mbyll sipas paktit mafioz Rama-Tahiri farsa e “arrestit” dhe “dorëzimit” të kontrolluar te Tahirit te “drejtësia”. Lirimi i Saimir Tahirit është triumfi i krimit dhe trafikantëve të drogës dhe goditje e rëndë për integrimin evropian të Shqipërisë dhe drejtësinë e vërtetë. Ky akt rikonfirmoi se Edi Rama dhe Saimir Tahiri kanë qenë, janë dhe do të jenë një dhe të pandarë. Lirimi i Tahirit tregon se Edi Rama ka zgjedhur përfundimisht anën e krimit në dëm të Shqipërisë. Kjo është goditje direkte për mundësinë e hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian.

Petrit Vasili: Ka dy drejtësi: një drejtësi për Saimir Tahirin dhe një drejtësi për një grua të sëmurë me dializë

Jemi shumë të qartë për çështjen “Tahiri”. Nuk ka shqiptar që nuk e di se cili është pozicioni i opozitës në lidhje me këtë çështje. Është fajtor i madh, sejmen i fajtorit më të madh, që është Edi Rama. Ka qenë ky Saimir Tahiri, që e telekomandonte Edi Rama. Se si u lirua Tahiri sot, unë jam i qetë sepse reagimi i ambasadës amerikane për median tuaj ishte shumë i qartë. U paralajmërua se ka presion, u paralajmërua se i është bërë shantazh gjyqtarëve, u paralajmërua vendimi. Pra, shqetësimi ka shkuar deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky shqetësim që e tha opozita për një proces të manipuluar dhe që ka dy drejtësi: një drejtësi për Saimir Tahirin dhe një drejtësi për një grua të sëmurë me dializë, që shkoi në burg për rregullimin e murit të rënë të shtëpisë. Kjo është drejtësia dhe policia shqiptare, e pamëshirë dhe e pacipë. Kjo drejtësi e pabarabartë do t’i ngrejë shqiptarët me qindra mijëra. Unë jam i indinjuar në radhë të parë si qytetar, pastaj si politikan. Refuzoj të pranoj një realitet të tillë. Pasi i tha policisë që të bënte vota për Rilindjen, prokuroria e mbylli çështjen, sepse Edi Rama kërkoi falje me Facebook. Kjo është drejtësia për Edi Ramën dhe tjetër drejtësia e asaj gruas së sëmurë, që e sëmurë përfundon qelive dhe nën dhunën e policëve.

Ish-kryeministri Berisha: ‘Forca e krimit’ arriti fitoren, sot festë e madhe për mafien

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ashpër për lirimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. REAGIMI I BERISHËS: O festë të madhe ka sonte Mafia! Kryegjykatësi, kryeprokurori, kryekushtetuesi, kryemafiozi Edvin Kristaq Rama urdhëroi lirimin e menjëhershëm të Saimir Trafikut nga pushim në shtëpi, masa që ai dha tre javë më parë! Me këtë vendim mbrojti jo vetëm veten dhe vëlla Olsin, por edhe Fatziun dhe Geronin e tij nga sulmi kanibalesk i Babales! Motivi i vendimit të krye, krye, krye, kryemafiozit Rama: Lehtësimi i hapjes së negociatave me BE!? Operacioni ‘Forca e Krimit’ arriti sot fitoren më të shkëlqyer! O festë të madhe ka sonte Mafia! sb