Ish-ministri Enkelejd Alibeaj: Raporti i DASH për Shqipërinë është qëndrimi zyrtar i Presidencës Trump. Pa opozitë, s’ka zgjedhje

532
Sigal

Enkelejd Alibeaj, ish-ministër i Drejtësisë

Lidhur me ecurinë e Reformës në Drejtësi, iu them jo pa keqardhje, se tashmë ajo çfarë është realizuar deri tani, është një përkeqësim ekstrem i situatës ligjore të sistemit të drejtësisë. Një kapje totale e drejtësisë nga kryeministri dhe një asgjësim total i dhënies së shërbimit të drejtësisë ndaj publikut

Çfarë thotë raporti i DASH për Shqipërinë është qëndrimi zyrtar i Presidencës Trump

Jakup B. GJOÇA

Gazetar i “TELEGRAF”

Enkelejd Alibeaj, ish-ministër i Drejtësisë në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se raporti i DASH për Shqipërinë është qëndrimi zyrtar i Presidencës Trump. Zoti Alibeaj thotë se tashmë kancelaritë e Evropës po binden se çfarë ndodh në Shqipëri, prandaj edhe presidenca franceze thirri ministrin e Brendshëm shqiptar, qeveria holandeze dërgoi në Tiranë ministrin e Drejtësisë, dhe deputetët holandezë kërkojnë që të izolojnë Shqipërinë për shkak të kërcënimeve të mafies shqiptare dhe deputetët gjermanë kërkojnë që të hetohen votat e 2017-s. Zoti Alibeaj shpreh bindjen se kryeministri Rama nuk ka këllqe që të bëjë zgjedhje vendore pa opozitën dhe se së afërmi do të ketë edhe zgjedhje të parakohshme me qeveri pa Ramën kryeministër.

Zoti Alibeaj, mendoni se raporti i DASH për Shqipërinë për vitin 2018, shpreh edhe perceptimin e Administratës së Presidentit Trump për Shqipërinë?

Kjo nuk ka dyshim. As nuk mund të shtrohet si pyetje. Raporti i DASH, është raporti i qeverisë amerikane. Tashmë nuk bëhet fjalë më për perceptim, por për një bindje. Ajo çfarë raporti i DASH thotë, është qëndrimi zyrtar i Presidencës Trump.

A ka një handikap raporti i DASH me qëndrimin zyrtar të ambasadës së SHBA në Tiranë, e cila publikisht nuk është shprehur për çfarë shkruan raporti i DASH, përkundrazi Ambasada e SHBA thekson se reforma në drejtësi është në rrugë të mbarë?

– Kur botohet raporti zyrtar i një qeverie të huaj, nuk ka rëndësi të komentohet apo diskutohet mbi deklaratat që bën ambasada e atij vendi. Është çështje e brendshme administrative midis eprorëve dhe vartëseve. Besoj se duhet të jetë një kulturë politike e konsoliduar, që në nxjerrjen e konsideratave, të analizohet objektivisht gjendja faktike. Deklaratat e përfaqësuesve të huaj janë konstatime të tyre. Lidhur me ecurinë e Reformës në Drejtësi, iu them jo pa keqardhje, se tashmë ajo çfarë është realizuar deri tani, është një përkeqësim ekstrem i situatës ligjore të sistemit të drejtësisë. Një kapje totale e drejtësisë nga kryeministri dhe një asgjësim total i dhënies së shërbimit të drejtësisë ndaj publikut. Që në fillim, ligjet e drejtësisë i miratoi pa konsensus mazhoranca e kohës. I shkroi me qëllimin për ta kapur sistemin politikisht. Institucionet e reja të ndërtuara deri më tani tregojnë fare qartë kapjen politike. Drejtuesi i KLP, është një i afërm i një eksponenti të qeverisë së Ramës. Kryetari i KLGJ po ashtu një i afërm i partisë së Ramës dhe Veliajt. Sigurimi i shtetit ka mbërthyer me tentakulat e veta këto organe të reja. Prokurori i përgjithshëm (i përkohshëm prej 1 viti e gjysmë!!!) është emëruar nga Rama. Kryetari i KED, organi që do zgjedh Gjykatën Kushtetuese dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë drejtohet nga një kamikaz politik i Ramës. Pra Rama, ka kukullën e vet në çdo segment të drejtësisë që ka krijuar deri tani, dhe do të ketë kukullat e veta në institucionet e tjera që do ngrejë në të ardhmen. Nga ana tjetër, qytetarët shqiptarë nuk marrin asnjë shërbim. Gjykata Kushtetuese ka mbi 1 vit që është jashtë funksionit. Gjykata e Lartë po ashtu, ndërkohë që numri i dosjeve në pritje është mbi 31 mijë. Prokuroria e krimeve të rënda me të famshmen Donika Prela, mbron Dakon, Gjiknurin, Ahmetajn dhe sojin e sorollopin e politikanëve të lidhur me krimin dhe bandat e tyre, e nga ana tjetër persekutojnë përfaqësues të opozitës, gazetarët që denoncojnë pushtetin dhe shqiptarët që protestojnë. Ky është realiteti i hidhur i drejtësisë që tashmë që çdo shqiptar e ndjen dhe e prek çdo ditë.

Pse partnerët ndërkombëtarë deri tani cilësojnë “destabilizim” të Shqipërisë dorëheqjen e mandatit të deputetëve nga opozita dhe jo shkatërrimin e Gjykatës Kushtetuese për më shumë se 1 vit e gjysmë nga Mazhoranca?

– As nuk ia vlen të humbasësh kohë për koment me deklarata të tilla. Ata që japin deklarata të tilla në rastin më të mirë nuk njohin realitetin politik dhe social në Shqipëri dhe në rastin me te keq nuk besoj se iu dhemb gjendja e shqiptareve, Shqipërisë dhe aspiratës së saj për integrimin në perëndim. Kushdo që e thotë, për mua, do të meritonte vetëm refuzim, neveri dhe buzëqeshje.

A mendoni se kancelaritë dhe presidencat e vendeve të fuqishme të BE dhe SHBA po informohen se çfarë ndodh në të vërtetë në Shqipëri, apo, ende mbizotërojnë opinionet që shprehin ambasadorët e tyre në Tiranë, se qeveria dhe parlamenti pa opozitën është e ligjshme?

– Që kancelaritë dhe presidencat e vendeve evropiane, duhet të informohen gjithnjë e më shumë dhe gjithnjë e sa me realisht, ky është një mision së pari i opozitës, por edhe i çdo shqiptari, pavarësisht angazhimit politik, nëse do vendin e vet dhe nëse ka vendosur të jetojë në këtë vend. Unë besoj se Rama, ka investuar në mënyrat nga më të ndryshmet për shfaqur në kancelaritë evropiane një pamje tërësisht të rreme të asaj çfarë ka ndodhur e ndodh në Shqipëri. Besoj se së paku nga Raporti i DASH, qeveria amerikane është tashmë e qartë se çfarë ndodh këtu. Po ashtu edhe kancelaria gjermane është akoma edhe më e qartë. E duhet ta pranojmë se një shtysë të fortë, rreth këtij ndërgjegjësimi apo kthjellimi të shikimit dhe vëmendjes e ka dhënë opozita nëpërmjet aktit të djegies së mandateve, dhe mbi të gjithë, protestat e qytetarëve shqiptarë në këto 50 ditët e fundit. Unë kuptoj fare mirë edhe momentin jo shumë të përshtatshëm që kancelaritë evropiane kalojnë tani, 2 muaj para zgjedhjeve në BE, porse beteja për të sqaruar miqtë perëndimorë duhet të vazhdojë. Mbi të gjitha duhet të qartësohemi si qytetarë shqiptarë që fatin tonë, mund ta bëjmë vetëm ne. Ndaj një regjimi autokratik, krimi, korrupsioni dhe oligarkie ka vetëm një rrugë – rezistencë qytetare me çdo mjet. E kam fjalën për këto që ka nisur këto 50 ditët e fundit.

Pse ende vendet e Bashkimit Evropian, derisa heshtin, e pranojnë, një anomali demokratike në Shqipëri, që parlamenti të funksionojë pa opozitën, e ca më keq, që edhe deklarojnë, sikurse OSBE-ja, që mund të njohin edhe zgjedhjet vendore pa pjesëmarrjen e opozitës?

– Burokracia administrative e BE si gjithnjë do njëfarë kohe, të pranojë, që një realitet tjetër mbizotëron në Shqipëri. Jo ai që iu ka ofruar Rama, nëpërmjet investimit të tij, mediatik, politik, diplomatik apo të natyrave të tjera. Nëse kancelaritë evropiane heshtin deri tani (në fakt nuk jam dakord me këtë konkluzion tuajin, sepse ka kancelari evropiane që janë të qarta mbi këtë situatë), kjo nuk do të thotë që pranojnë këtë anomali. Për shembull nuk mund të them se qeveria franceze pranon këtë anomali, për sa kohë që kanë thirrur Ministrin e Brendshëm, për shkak se problem i krimit të organizuar dhe i azilantëve shqiptarë atje, iu është kthyer në problem. Nuk besoj se Holanda pranon këtë anomali, përderisa Ministri i Drejtësisë së tyre, erdhi para disa ditësh këtu, teksa parti kryesore holandeze që për këto shkaqe kanë shkuar deri atje sa të kërkojnë rivendosjen e sistemit të vizave ndaj shqiptarëve. Lidhur me pranimin apo njohjen e zgjedhjeve pa opozitën, nuk ka asnjë mundësi teorike ta konsiderojnë si normalitet. Këtu nuk është çështja nëse bëhen zgjedhje pa opozitën. Këtu bëhet fjalë, që një vend i NATO, apo aspirant i BE, nuk bën zgjedhje të lira dhe të ndershme. Deklaratat e OSBE duhen marrë në tërësinë e tyre. Kujtoni se ishin ata që deklaruan se Rama është i korruptuari më i madh me rreth 200 milion euro. Dhe ata e dinë më mirë se kushdo tjetër, se çfarë zgjedhjesh bëhen në një vend, me një kryeministër të korruptuar prej 200 milionësh euro.

A mund të ketë stabilitet politik në Shqipëri me opozitën jashtë parlamentit? Pse ende opozita nuk ka bindur SHBA dhe BE në kauzën e saj politike, me dorëzimin e mandateve të deputetëve?

– Stabilitetin politik, në thelb e përcakton marrëdhënia popull-qeveri. Sjellja e opozitës është thjesht reflektim i acarimit në kulm i kësaj marrëdhënie. Shoqëria shqiptare, është ngarkuar me refuzim dhe urrejtje ndaj Ramës dhe klikës së oligarkëve dhe kriminelëve që rrethojnë atë. Opozita jashtë parlamentit vetëm sa e bëri të dukshme këtë gjendje. Ishte kërkesë e publikut shqiptar që opozita të mos përlyhej në këtë situatë. Synimi i opozitës, në aktin e djegies së mandateve ka pasur si synim leximin e qartë të vullnetit të publikut, i cili kërkonte me ngulm deligjitimimin e kësaj autokracie, ndaj kërkoi djegien e mandateve. Synimi ynë nuk ka qenë të bindim SHBA dhe BE. Opozita ka synim të jetë në të njëjtën gjatësi vale me publikun. Dhe ia kemi arritur. Në 50 ditë janë organizuar 6 protesta masive, ku ajo e 16 shkurtit ishte më e madhja në 30 vite dhe ajo e 16 marsit më e madhe se ajo e një muaji më parë. Është tregues, që opozita me aktin e saj ka arritur të bindë shqiptarët, ndaj ata na mbështetën.

Kryeministri përditë deklaron se mazhoranca do të shkojë në zgjedhjet vendore pa opozitën dhe opozita do të hyjë në parlament vetëm pas vitit 2021. Sa real është një përplasje e dhunshme civile në Shqipëri?

– Kryeministri nuk ka këllqe të bëj zgjedhje pa opozitën. Nëse thjesht, e shkon ne mendje, afron fundin e tij. Fundin e tij ai e di. Zgjedhje të parakohshme do të ketë. Zgjedhje pa atë kryeministër. Zgjedhje me qeveri kalimtare që të garantojë që ato të jenë të lira dhe të ndershme. Zgjedhje, pasi kriminelët që Rama ka përdorur për të vjedhur zgjedhjet e mëparshme të procedohen penalisht. Deklaratat e Ramës siç thoni ju, tregojnë gjendjen e rëndë psikologjike të tillë. Nëse mendon të bëjë këtë gjë, atëherë nuk ka pse ta deklarojë. Thjesht ta bëjë, nëse ka këllqe. Por nëse ka një gjë që ai e di mirë, është pikërisht fakti se zgjedhje pa opozitën, jo vetëm që nuk bëhen dot porse ky akt është edhe fundi i pushtetit të tij. E di këtë. E ka frikë këtë. Ndaj e thotë me zë të lartë, për të nxjerrë frikën e tij. Është pa shpëtim.

Nëse kryeministri nuk pranon shpërndarjen e parlamentit, a do të mjaftohet opozita vetëm me protesta para parlamentit, sa herë ka seanca plenare?

– Një pushtet ka jetëgjatësi, për aq kohë sa besimi i publikut në të ekziston. Kjo është aksioma unike e demokracisë. Nëse një qeveri nuk ka besimin e publikut ajo ka rënë. Paçka se formalisht ka numra në një parlament të vjedhur (20% votave janë të blera sipas BE-së), paçka edhe situatës groteske të blerjes së deputetëve zëvendësues. Parlamenti ka rënë, sistemi i drejtësisë ka rënë, shteti ka rënë. Në një situatë të tillë, protesta e shqiptarëve është zgjidhja e vetme dhe efikase në këtë rast. Parlamenti është i shqiptarëve. Ata e kanë ngritur dhe ata kanë të drejtë dhe detyrim ta shpërndajnë, e kështu do të ndodhë.

Sikur të ndodhë, që të riformohet Gjykata Kushtetuese dhe kjo Gjykatë e re Kushtetuese, t’i japë të drejtë çdo animimi që do bëjë kryeministri, në këtë skenar politik, a është e humbura politike Opozita?

– Na përjashtuan dhe jo u vetëpërjashtuam. Për ndryshimet në Kushtetutë, ishte kontributi thelbësor dhe rezistenca e saj që ajo u miratua me konsensus. Kurse 6 ligjet e famshme i miratoi në mënyrë të njëanshme mazhoranca. Opozita çoi amendamente për secilin prej tyre. Opozita çoi amendamente për të korrigjuar shkeljen e Kushtetutës për emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm në shkelje flagrante të saj. Opozita denoncoi zgjedhjen e anëtarëve të KLP, KLGJ, që ishin skualifikuar nga ONM, apo që vinin nga radhët e sigurimit të shtetit, apo që kishin shkelur rëndë ligjin. Opozita ka denoncuar çdo rast kur organet e vetting-ut kalojnë magjistratë me probleme me korrupsionin apo pastërtinë e figurës. Këtë e kemi bërë, jo thjesht për interesin e ngushtë të opozitës, por të publikut shqiptar. Një sistem drejtësie i pa korruptuar, profesional dhe i pakapur nga krimi, është në shërbim të qytetarëve dhe jo opozitës. Në fakt Rama po tenton me anë të disa kamikazëve të vetë në KED që edhe me Gjykatën Kushtetuese ta ngrejë me kukullat e veta. Nëse ndodh që emëron një Gjykatë Kushtetuese, të kapur politikisht nga pushteti, të humburit e parë janë shqiptarët, të cilët në këtë situatë, do të veprojnë ashtu siç kanë filluar të veprojnë tash 50 ditë. Të protestojnë për të përmbysur këtë regjim. Opozita do jetë në të njëjtën linjë me qytetarët. Opozita dhe qytetarët në çdo rast do të dalin të fituar.

– Të falënderoj!