Ish-ministri Ditmir Bushati: Kuvendi nuk ka tagër vendimmarrës p%r anëtarësim, por të nxitë ngritjen e Kushtetueses dhe SPAK

494
Sigal

Ish-ministri Bushati: Kuvendi nuk ka tagër vendimmarrës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka vendosur që të dalë me propozime haptaz për procesin e Integrimit Evropian të Shqipërisë. Ai ka propozuar disa amendime në Projekt-rezolutën e Kuvendit. Propozimet e Bushatit përfshijnë dhe rekomandimet direkt që Kuvendi duhet t’iu bëjë institucioneve përgjegjëse për ngritjen e menjëhershme dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Prokurorisë Speciale Kundër Korrupsionit (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), brenda vitit 2019. Po ashtu Bushati propozon që Kuvendi t’i kërkojë qeverisë që të paraqesë brenda datës 31 Tetor 2019 planin e punës, metodologjinë, planifikimin e burimeve njerëzore dhe financiare në mbështetje të procesit të bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Evropian.

Propozimet e Bushatit:

Kuvendi nuk ka tagër vendimmarrës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim.

Amendim për vlerësimin e punës përgatitore të nisur nga KE me institucionet shqiptare të njohur si procesi “screening”. Të rikonfirmojmë angazhimet që burojnë nga Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë, datë 24.05.2018.

Kuvendi të nxisë institucionet e tjera përgjegjëse me qëllim ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Prokurorisë Speciale Kundër Korrupsionit (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), brenda vitit 2019.

Kuvendi të angazhohet në përfundimin e reformës zgjedhore brenda vitit 2019, në përmbushje të rekomandimeve të OSBE-ODIHR, për të garantuar një proces zgjedhor të lirë, të drejtë, të ndershëm dhe demokratik.

Kuvendi i kërkon Këshillit të Ministrave të konsolidojë ritmin e reformave, veçanërisht me fokus sundimin e së drejtës dhe liritë e të drejtat themelore.

Kuvendi i kërkon Këshillit të Ministrave që të paraqes brenda datës 31 Tetorit 2019, planin e punës, metodologjinë, planifikimin e burimeve njerëzore dhe financiare në mbështetje të procesit të bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Evropian.

Kuvendi i bën thirrje Vendeve Anëtare të Bashkimit Evropian që në përputhje me rekomandimin e Komisionit Evropian të 17.04.2018, rikonfirmuar në 29.05.2019, si dhe Konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Evropian, të mbështetur nga Këshilli Evropian, të qershorit 2018, të zyrtarizojnë hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Republikën e Shqipërisë.