Sigal

Një video po qarkullon në rrjet nga Kuvendi i djeshëm, ku shihet teksa kryeministri Edi Rama debaton ashpër me Pandeli Majkon, Ministri i Shtetit për Diasporën.

Mendohet se shkak për debatin e tyre është bërë projektligji që parashikon shembjen e Teatrit Kombëtar dhe që dje u miratua në Parlament.

Me 75 vota pro dhe me deputetët e opozitës që nuk votuan ligji u miratua dhe tashmë rruga për prishjen e tij është e hapur.

73 nga deputetët ishin të Partisë Socialiste ndërsa dy deputetët e tjerë që plotësuan numrin 75 vinin nga kartonat e deputetëve të PDIU-së.

Por nga mazhoranca Majko nuk votoi për këtë projektligj, pasi ai u largua më herët nga Parlamenti.

Mosvotimin e Majkos e paralajmëroi edhe deputeti i opozitës Florion Mima i cili u shpreh se “kryeministri i kohës, Pendeli Majkon, s’po e shoh në sallë, se di iku vet apo e përzutë ju, ai refuzon”. Mima nënkupton kështu se mes kryeministrit dhe ministrit të tij ka ndodhur një debat tejet i ashpër, ashtu siç duket në fakt edhe nga kamerat.

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, duket sikur po mundohet të shuajë sherrin mes tyre por pa sukses. Debati vazhdon dhe mbyllet me ngritjen e Majkos në këmbë dhe largimin e tij nga salla.

Menjëherë pas publikimit të videos, artistët reaguan duke i dalë në krah ministrit Majko dhe e ftuan të marrë pjesë në protestat e radhës për Teatrin.

“Faleminderit Pandeli Majko! Të paktën ti nuk u bëre viç për lëkurë! Të presim në sheshin e Teatrit, në sheshin Demokracia!”, shkruan Kastriot Çipi. Por regjisori nuk është i vetmi që ka shprehur falenderimet ndaj ministrit për Diasporën pasi të shumtë janë artistët që janë shprehur pozitivisht me veprimin e ministrit që nuk votoi projektligjin.

A do largohet Majko nga qeveria Rama ashtu siç u largua edhe nga Kuvendi? Sigurisht këtë mbetet ta shohin në vijim por nuk do ishte çudi duke marrë parasysh faktin se kjo nuk është hera e parë që Majko del kundër Ramës.