Ish-kreu i SHISH: Protesta e organizuar nga opozita në Kuvend, pengimi i votimit dhe gabimet e politikës

457
Protesta e opozitës, Klosi: Artificiale, populli s’do t’ia dijë kush është kryeprokuror 
Ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi komenton protestën e organizuar nga opozita para Kuvendit dhe brenda tij, përpjekjet për të penguar votimin dhe gabimet e politikës
Ishte paralajmëruar se do të ishte një protestë e mirë organizuar dhe se maxhoranca nuk do të lejohej të votonte një kryeprokuror në shkelje të Kushtetutës, qoftë ky edhe i përkohshëm, ashtu sikundër ndodhi. Përpjekja e opozitës nuk ia doli të prishte atë që maxhoranca kishte paramenduar prej ditësh. Jashtë sallës së Kuvendit, pati edhe dhunë. Por shenjat e saj nuk munguan as në sallë. Deputet të opozitës, disa herë u ngritën për të penguar votimin. Madje u hodhën edhe bombola tymuese. Edhe në momentin e betimit të kryeprokurores së re ndodhi e njëjta gjë. Pati deklarata të forta nga liderët e opozitës së bashkuar. Monika Kryemadhi dhe Lulzim Basha disa herë bënë thirrje qytetarëve që të marshonin drejt hyrjes së parlamentit, për tu futur në sallë. Por këto tentativa u ndaluan. Për të gjitha ato që ndodhen paraditen e djeshme para dhe brenda Kuvendit, dha opinionin e tij ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi. Për Klosin, gjithçka ishte e kotë, pasi populli tashmë nuk ka asnjë interes për emrin e kryeprokurorit, por ai është i interesuar vetëm se kur do të përfundojë reforma në drejtësi. Më tej Klosi tha se Basha nuk është i besueshëm dhe nuk ka fuqi për të drejtuar protesta. Ndërsa për kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi tha se është më e zonja për të drejtuar turmat në protesta se Basha. 
Zoti Klosi, opozita organizoi një protestë para Kuvendit me qëllim ndalimin e votimit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Përkohshëm. Si e lexuat këtë protestë?
Populli nuk do t’ia dijë se si do të zgjidhet prokurori, ai do reformën dhe sa më shpejt të ndryshoj drejtësia. Këto debate pastaj se kush do të zgjidhet dhe kush do të hiqet, nuk kanë asnjë vlerë. Për mendimin tim protesta e thirrur nga opozita ishte një protestë artificiale. Ata deputet dhe ish-ministra që ndodheshin në protestë nuk janë të pa interesuar, por populli nga ana e tij nuk ka asnjë lloj interesi, ai nuk do t’ia dijë se çfarë bëhet. Kjo është lufta politike në Shqipëri. Politika do gjithmonë sebep për t’u përplasur. Dhe kjo gjë ka ndodhur qoftë kur kanë qenë socialistët dhe po ndodh edhe tani që janë të djathtët në opozitë. Politikanët i konsiderojnë protestat si motive për të mbledhur njerëz dhe, sipas tyre, kjo do të thotë se njerëzit janë kundër asaj që bën qeveria. Për këtë nuk çuditem aspak. 

Opozita në fakt kundërshton mënyrën se si ka vepruar maxhoranca për emërimin e Kryeprokurorit dhe ajo mendon se Rama po kaq drejtësinë. Çfarë ndodh në të vërtetë sipas jush?
I kam dëgjuar gjithë këto ditë përfaqësues të ndryshëm të opozitës të thonë se këto nuk janë rrugët e duhura për të bërë reformën por tentativa për të shpëtuar nga dënimi, eksponent të PS-së, duke përmendur ish-ministrin Saimir Tahiri. Ndërsa unë them se këta të tjerët kanë frikë nga reforma.

Po reagimin e ambasadorit amerikan menjëherë pas përfundimit të protestës si e konsideron?
Besoj se është e njëjta gjuhë që ka përdorur edhe më parë ambasadori amerikan. Ishin ndërkombëtarët dhe ambasada amerikane ata që mbështetën vendosjen e një Prokurori të përkohshëm me shpresën se reforma do të ec përpara. 

PD dhe LSI dolën me një vendim se në janar do t’i rikthehen protestave dhe nuk do të lejojnë Ramën të kapë drejtësinë duke kërkuar rrëzimin e tij. Çfarë mendoni se do të ndodhë pas janarit?
Lulzim Basha nuk ka fuqi për protesta. Ka pesë vjet që thotë se do të organizojë protesta dhe gjëja më e madhe që bëri ishte çadra. Dhe nga ajo doli me shumë lezet pa dëmtuar, as veten dhe as të tjerët. Tashëm duhet të dimë një gjë. Populli tashmë është i bindur se çdo sakrificë që ai bën në çfarëdo lloj aktiviteti, favoret i shkojnë politikës. Sakrifica më e madhe e bërë nga populli deri tani, ishte ajo e vitit 1997. Por dhe atherë politika i mori meritat, populli ishte ai që vuajti shumë. 

Po për kryetaren e LSI-së e cila ishte në krye të protestës, çfarë do të thonit? 
Monika ishte në krye të protestës, sepse Lulzim Basha nuk e bën dot atë që bën ajo. Monika ka eksperiencë me përplasjet në protesta dhe kudo tjetër. 

Ndërkohë në sallën e Kuvendit u hodhën edhe bombola tymuese. Çfarë kërkonin të arrinin sipas jush deputetët e opozitës? 
Këto janë veprime të kryera nga karagjozët. Opozita provoi që të bënte atë që bënë kosovarët, por nuk e bën dot. Pavarësisht asaj që bëhet dhe thotë opozita, motivi kryesor është ecja përpara e reformës në drejtësi. Për këtë janë të predispozuar edhe partnerët ndërkombëtarë. Në këtë rrugë ka dy faktorë shumë të interesuar. Populli dhe ndërkombëtarët, duan të përfundojë sa më shpejt reforma në drejtësi. Ndërkohë politikanët janë të trembur.

Pse mendoni se janë të trembur?
Është fare e thjeshtë. Ne kemi 27 vjet që jemi nga vendet më të korruptuara në Evropë dhe mund të them edhe në botë. Detyrimisht që kanë arsye për t’u trembur. Janë të trembur, sepse kanë mbyllur çdo gjë me para, për koncesionet, për tenderët e shumtë që kanë dhënë. Për gjithçka janë të trembur. 

E dëmton përpjekjen e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE, situata e tanishme?
Nuk besoj se do të dëmtojë anëtarësimin e vendit në BE. Pavarësisht kësaj që po ndodh mes opozitës dhe maxhorancës, partnerët ndërkombëtarë nuk do e marrin parasysh se çfarë thotë opozita. Opozita nuk duhet të vepronte në këtë mënyrë, kur flasim për reformën në drejtësi, por me sa duket janë të trembur. Unë reformën e shoh si një sistem të drejtësisë që jep drejtësi. Ky sistem është i vetmi që ndan konfliktet në shoqërinë e së drejtës. Nëse dy institucione kanë një konflikt sistemi i drejtësisë do japë të drejtën. Këto konflikte duhen zgjidhur nga drejtësia. Në marrëdhëniet mes shtetit dhe individit, nëse drejtësia përkrah shtetin, nuk kemi drejtësi. Dhe nëse ajo nuk bën drejtësi atëherë populli humb besimin tek shteti. E shoh shumë të rëndësishme drejtësinë. Nëse janë tre shtylla që e mbajnë shtetin, ekzekutivi, legjislativi dhe drejtësia, kjo e fundit është madje më e rëndësishme. 

Në gjithë këtë situatë të krijuar duke nisur me mënyrën e realizimit të reformës në drejtësi dhe vazhduar më pas me diskutimet për ngritjen e KLP-së dhe zëvendësimin e kryeprokurorit Adriatik Llalla, PS a ka pasur gabime?
Unë mendoj se për sa kohë gjërat nuk kanë ecur ashtu si duhet atëherë edhe ajo ka gabimet e saj. Të gjithë kanë gabime. Nuk di shumë detaje, por them se për sa kohë që gjërat nuk po ecin si duhet të gjitha palët, kush më shumë e kush më pak, kanë problemet e tyre. Unë besoj se pozita është më e interesuar për ta çuar përpara këtë reformë, pasi ajo do mburret më shumë, nëse reforma do bëhet. Ajo edhe mund të përfitojë në një farë kuptimi, se do vendoset rregulli dhe populli do të votojë për këtë pozitë. Ajo është një nga premtimet që kanë bërë edhe gjatë fushatës së fundit. Prandaj mendoj që ajo ka punuar më shumë. Por për faktin se gjërat po vonohen, them se edhe ajo ka gabuar. Dëgjoj që janë krijuar shumë institucione që e bëjnë më të ndërlikuar reformën në drejtësi. Dhe këtu është një nga gabimet. 

Mendoni se opozita do të bëhet pengesë për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri me 84 vota, kur kandidatura e tij të përzgjidhet nga KLP?
Kur të bëhen gati gjërat, nëse do ketë propozim unë them se dhe kjo do tregojë në parlament se kush e do reformën dhe kush nuk e do. Të gjitha këto përkthehen në vota. Mbase populli nuk është mësuar, por tashmë avash avash po e kupton. Deri tani parlamenti ka qenë jo aq i këndshëm, por mbase debatet për vazhdimin e reformës do të zbusin tonet.