Ish-gazetari i “ZP” sot deputet, nxjerr nga Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dy gazetare të televizioneve

764
Sigal

Braçe censuron median, i nxjerr jashtë gazetarëve nga Komisioni Parlamentar i Ekonomisë

Është e zakonshme që deputetët tanë në seanca parlamentare, në komisionet parlamentare të flasin ndaj njëri-tjetrit me fjalorë më banalë, më fyes, të arrijnë edhe të qëllojnë njëri-tjetrin, duke ushtruar dhunë fizike, dhe asgjë nuk është bërë. Parlamenti ynë nuk ka ende një ligj të Etikës. Mirëpo, shpeshherë, deputetët sillen me arrogancë dhe prepotencë edhe ndaj gazetarëve. Shembulli më tipik është kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Erion Braçe, i cili disa herë është sjellë me arrogancë ndaj gazetarëve, edhe pse vetë ka qenë kryeredaktor i gazetës partiake ZP dhe duhet të kishte më shumë ndjeshmëri, ndaj ish-kolegëve. Dje, Erion Braçe, zboi nga mbledhja e Komisionit e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, 2 gazetare, pa asnjë shkak, vetëm e vetëm, pse e qeshura (pa zhurmë) e një gazetareje ngacmoi nervat e tensionuara të deputetit Braçe. Në një moment, kur ka dëgjuar gazetaret të qeshin, Braçe i është drejtuar gazetares Marsela Karapanço me fjalët “Mos rënko ti aty!”, ndërsa kur ka parë gazetaren Esiona Konomi duke qeshur e ka nxjerrë jashtë: “Ti me syze, dil pak përjashta, dil përjashta që të kuptosh se ka etikë këtu! Shkoj bëje te PD-ja këtë që bëre këtu’’. Të dyja gazetaret kanë dalë jashtë në heshtje, ndërsa të tjerët vazhduan të ndjekin Komisionin e Ekonomisë.