Ish- drejtoresha e Pastrimit të Bashkisë, merr “viston” për shkatërrimin e Qytetit Studenti

470
Sigal

 Anila Shehu emërohet drejtore tek studentët në vend të Bujar Brovinës

 Emërimi i drejtores së re të Qytetit Studentit, Anila Shehut, në vend të Bujar Brovinës, tregoi se në këtë sektor do të zotërojë konfuzioni, ashtu siç ka ndodhur edhe gjatë kohës kur ajo ka qenë drejtoreshë e pastrimit në Bashki. Në atë kohë, kryeqyteti shqiptar rrezikohej nga epidemitë e tmerrshme sepse drejtoresha në fjalë, nuk mori asnjë masë për pastrimin e mbeturinave dhe plehrave nga zonat e Tiranës. Gabimet e rënda nisnin që nga tenderat e pastrimit, ku paraqiteshin oferta shumë të leverdishme nga firma shumë serioze, por kjo drejtore, i shpallte fituesit dhe u jepte lejet atyre firmave që ishin problematike. Mbahet mend mirë se makinat e plehrave që përdoreshin në atë kohë, dukeshin të konsumuar e të vjetëruara, si mbeturina të Luftës së Dytë Botërore, ndërkohë që, firmat e tjera pjesëmarrëse garantonin korrektësi dhe pastërti absolute. Ndofta nga shkatërrimi dhe terrori që ushtronte kjo drejtori bashkiake e pastrimit, mbi banorët e Tiranës, ka mbetur vetëm paniku, ndaj emrit të firmës fituese të plehrave, si edhe nga emri i vetë drejtoreshës, e cila nuk i përfillte aspak kërkesat dhe lutjet e tyre, për pastrimin e zonave të brishta, ku rrezikohej epidemia. Ndërkaq, emërimi i saj, në krye të drejtorisë s ë qytetit Studenti, nënkupton përkeqësimin e kushteve edhe në këtë sektor të rëndësishëm, për studentët shqiptarë. Aq e vërtetë është kjo saqë ata parashikojnë që tani, ndërprerjet periodike të energjisë, ujit, ngatërresa për pagesat e faturave, sistemimin dhe akomodimin në mjediset e brendshme, trajtimin ushqimor, ruajtjen dhe sigurinë e sektorit, etj.. Kjo është e lehtë të merret me mend, apo të parashikohet nga kushdo sepse një shprehje franceze thotë: “Që kur njeriu zgjedh bashkëbiseduesin e tij, ai e di se çfarë përgjigje do të marrë”. Prandaj, edhe përzgjedhja e zonjës Anila Shehu, nënkupton një periudhë të vështirë për studentët tanë. Sepse tanimë, banorët e kryeqytetit e kanë shumë të qartë se çfarë bëri ajo me tenderat e Pastrimit, me firmat e Pastrimit, me kazanët e plehrave, me konfliktin e interesave dhe më në fund me indiferencën e treguar ndaj rreziqeve të kolerës, që po kanosej çdo ditë në Tiranë, për shkak të plehrave që nuk pastroheshin. Gazeta “Telegraf”, e cila në atë kohë e ka ndjekur nga afër veprimtarinë e sektorit të pastrimit në Bashkinë e Tiranës, ka mjaft fakte dhe episode nga skandalet e asaj periudhe. Por, nesër gazeta “Telegraf” do t’u njohë më hollësisht me detajet e kësaj masakre, me tenderat e përfolura, ku defektet skandaloze të punës, i kushtuan qytetarëve, vuajtje dhe sakrifica me muaj të tëra, duke u rrezikuar edhe nga epidemitë më të rrezikshme siç ishin kolera, apo sëmundjet e Derrit që në atë kohë kishin tronditur gjithë botën