Ish-Deputeti Luçiano Boçi: Kryeministri, nga blerja e votave, integroi Rilindjen në blerjen e deputetëve. 16 marsi është dita e gjykimit

463
Sigal

Ka një tendencë të theksuar nga faktori ndërkombëtar për të fshehur në emër të stabilitetit falso, shumë aspekte të zeza të qeverisjes që ju i përmendni në pyetje, siç janë korrupsioni, krimi i zgjedhor dhe ekzekutiv apo mungesa e institucioneve kyçe ligjore

Rama, nga blerja e votave, integroi Rilindjen në blerjen e deputetëve

Jakup B. GJOÇA

Luçiano Boçi, ish-deputet i PD-së në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet për qëndrimin e ndërkombëtarëve, të cilët kritikojnë opozitën, pse dorëzoi mandatet e deputetëve se  “e mesmja e artë” e ndërkombëtarëve, mbetet ende e paftuar dhe e pa pëlqyer, ndërkohë që ata duhet të kthehen tek rrënja e së keqes “Rrënjë që të shpien drejtpërdrejt tek qeverisja dhe tek Rama”. Zoti Boçi, pohon se ndërkombëtarët shikojnë dështimin e misionit të tyre diplomatik në Shqipëri, prandaj mbështetin kryeministrin Rama. Zoti Boçi thotë se “Parlamenti, de jure, është i shpërndarë. Është çështje kohe shpallja e tij, de facto, i shpërndarë”.

Zoti Boçi kur ndërkombëtarët tashmë flasin për zgjidhje të krizës politike, çfarë kërkojnë nga mazhoranca dhe Opozita?

Ndërkombëtarët nuk kanë munguar në disa raste në  deklaratat të “përkëdhelin” për qeverinë. Kjo gjuhë është faktikisht me shumë distancë nga realiteti demokratik dhe i institucioneve në vendin tonë. Në raste të caktuara, kjo ka ngjallur dhe habinë e opinionit. Ky i fundit nuk ka hezituar të drejtojë shigjetat e akuzës ndaj faktorit ndërkombëtar, për heshtjen ndaj kanabizimit të vendit e implikimit të policisë në të, për heshtjen për teatrin, apo për unazën e për shumë afera korruptive që bëjnë “muuuu”, të qeverisë e Kryeministrit. Në situatën konkrete, ka një kritikë për djegien e mandateve shoqëruar me një frikë për akte dhune të protestave. Protestat vetë konsiderohen nga ta si mjete demokratike, por që duhet të jenë të kufizuara në aksionin e tyre. Por ende nuk shoh që ka një artikulim zgjidhje. Kjo ndoshta vjen për arsye se ata e shohin qartë që opozita është shumë e vendosur dhe e palëkundur në kërkesën e saj të argumentuar, që i ngjason një “kufiri” të palëvizshëm. Në këtë rast, “e mesmja e artë” e ndërkombëtarëve, mbetet ende e paftuar dhe e pa pëlqyer. Aq më tepër që hapi i djegies së mandatave ka lënë në tavolinë vetëm një opsion: Atë të zgjedhjeve të parakohshme. Në një këndvështrim tjetër, ka një vrapim të ndërkombëtarëve pas pasojës së mandateve, të cilën e ka sjellë deformimi i sistemit dhe shitblerja e provuar e votës. Ka ardhur koha që ndërkombëtarët ta kthejnë vëmendjen nga shkaqet që çuan në këtë djegie, për të gjetur aty rrënjët e së keqes. Rrënjë që të shpien drejtpërdrejt tek qeverisja dhe tek Rama. Tek prezenca e lartë e krimit në politikë. Tek marrja e frenave të ekonomisë nga krimi. Tek pasurimi marramendës i një kaste dhe varfërimi tronditës i pjesës dërmuese të popullsisë. Tek dështimi i arsimit, i shëndetësisë, i punësimit. Tek deformimi i konkurrencës së lirë, degradimi i institucioneve përfshirë parlamentin që performoi keqazi, deri në miratimin e vjedhjes haptazi me ligj. Tek investimi për të eliminuar opozitën dhe fjalën e lirë me të gjitha mjetet, me ligj e pa ligj, me dhunë e me rregullore, me hakërrime e miklime.

Ju si e shpjegoni që ndërkombëtarët e cilësuan dorëzimin e mandateve nga Opozita si rrezik që dëmton integrimin e Shqipërisë, ndërkohë që nuk flasin; pse nuk ndëshkohet korrupsioni, për bashkëpunimin e zyrtarëve të Lartë me krimin, për mungesën e Gjykatës Kushtetuese?

Klima politike nuk është kusht absolut i hapjes së negociatave, aq më tepër që opozita frymën e saj bashkëpunuese për integrimin e ka dëshmuar qartë, qoftë me votimet e duhura, qoftë dhe me lobimet e domosdoshme për këtë çështje. Ka një tendencë të theksuar nga faktori ndërkombëtar për të fshehur në emër të stabilitetit fals, shumë aspekte të zeza të qeverisjes që ju i përmendni në pyetje, siç janë korrupsioni, krimi i zgjedhor dhe ekzekutiv, apo mungesa e institucioneve kyçe ligjore. Madje, kjo ka kapërcyer habitshëm deri në një pranueshmëri të faktit ulëritës së blerjes së zgjedhjeve në Shqipëri. Kjo tendencë, me sa duket, buron nga një ndjenjë shmangie përgjegjësie për atë çka ndodh në vendin tonë. Misionarët e huaj këtu kanë pjesën e përgjegjësisë në raport me hapat e Shqipërisë dhe rolin e saj në rajon. Një dështim i paralajmëruar i Shqipërisë, është dhe një dështim i misionit të tyre. Kjo domosdo i bën paksa solidarë me qeverisjen dhe i shtyn që “të bëjnë një sy qorr e një vesh shurdh” për të gjitha aferat, skandalet, korrupsionet e rrënimin e institucioneve demokratike.

Sa të drejtë kanë shqiptarët, kur të zhgënjyer nga pritshmëria, tani thonë: Edhe ndërkombëtarët janë të blerë, prandaj janë gjithnjë në krah të qeverisë?

Në opinionin publik, ende ruhet një lloj mitizimi për “të huajt” e rolin e tyre në vendosjen e drejtësisë politike në Shqipëri. Publiku nuk mund të pranojë sot, as heshtjen dhe as mbrojtjen e padrejtë që shpesh i bëhet qeverisë në kurriz të tyre. Prandaj shumë thjesht, ai konkludon se ndërrimi i gjuhës dhe largimi nga e vërteta vjen për shkak të interesave të momentit, apo perspektive. Akuzat në këtë rast janë nga më të ndryshmet dhe i takon vetë opinionit publik që të ndërtojë marrëdhënien me të vërtetën. Sa kohë që kjo e vërtetë është demaskuese për ndërkombëtarët, opinionit i lind e drejta të ngrejë çdo akuzë të mundshme.

A mund ta quajnë SHBA dhe BE normalitet politik, kushtetues Parlamentin shqiptar pa Opozitën?

Angazhimi i tyre i këtyre ditëve tregon qartë që dhe ato e konsiderojnë një anormalitet të madh një parlament mono partiak, i cili nuk mund të mbahet në këmbë me mandate të blera nga Rama. Në vend që të vejë vetulla, Rama me blerjet “tek gabi” i politikës të disa mandateve, hoqi sytë. Është një situatë tragji-komike. I akuzuari për blerje votash, i provuar me dosje nga antimafia italiane e prokuroria shqiptare me dosjet 339 dhe 184, për t’u mbrojtur nga akuzat që i bën opozita dhe për të rrëzuar arsyet që e çuan atë në djegien e mandateve, tani i bie shkurt fare. Blen drejtpërdrejt deputetë.

Nëse deri në 30 qershor nuk shpërndahet Parlamenti, opozita a do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale?

Parlamenti, de jure, është i shpërndarë. Është çështje kohe shpallja e tij, de facto, i shpërndarë.

Ka ndonjë mundësi politike që BE në qershor 2019 të bëjë shkaktare opozitën për mos hapjen e negociatave?

Ka një para vendim opinionist të BE për mos hapje të negociatave, për arsye të mos plotësimit të kushteve themelore nga qeveria shqiptare që lidhen me luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe kultivimin e tranzitimin e narkotikëve dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Ky opinion ka qarkulluar muaj përpara se ne të digjnim mandatet dhe një fakt i tillë përjashton këtë argument. Klima politike nuk është parakusht themelor për negociatat, por opsional. Për më tepër ne kemi bërë dhe bëjmë çdo përpjekje si opozitë për arritjen e hapjes së negociatave.

A ka logjikë politike që Mazhoranca të akuzojë Opozitën se ndikohet nga Rusia të dorëzojë mandatet e deputetëve kur Kryeministri Rama e cilësoi Donald Trumpin “rrezik për Amerikën”?

Është një mënyrë e të bërit propagandë që ka kohë që ka zënë merimanga dhe nuk mund të pastrohet me fakte shterpë transmetimesh televizive, apo aluzione lobimesh me fanta-shkencë brenda.  Rama kërkon që nivelin idiot të deklaratave të tij anti-Trump, ta relativizojë e ta humbasë me teori konspirative ndaj opozitës që shfaqen në televizor. Nivel i mjerueshëm i politikbërjes banale të Ramës. Do ishte mirë mos e ulnim nivelin e debatit në diskutime të tilla. Sot në kemi një opozitë pro amerikane e pro perëndimore. Problemi nuk është opozita. Problemi kryesor është që kemi një kryeministër antishqiptar. 16 Marsi është një ndër ditët e gjykimit të këtij antishqiptari.