Ish-atasheu Hajro Limaj: Agjenturat serbe, greke ‘hedhin valle’ në mes të Tiranës

645
Sigal

Një ndër temat më të nxehta të ditëve të fundit, është lajmi se Greqia financonte një numër të konsiderueshëm mediesh në Shqipëri, ndërsa doli edhe një listë me emrat e tyre, e cila më pas u hodh poshtë. Ish-atasheu shqiptar në Turqi, Hajro Limaj u shpreh se agjenturat serbe dhe ato greke “hedhin valle” në mes të Tiranës, ndërsa shtoi se në Shqipëri ka politikanë që zihen në Tiranë e të nesërmen shkojnë në Athinë. Ish-atasheu Limaj, tha se, shteti grek investon shumë për agjenturën e vet në Shqipëri, ndërsa shtoi se vitet e fundit është aktivizuar edhe agjentura turke. “Shteti grek investon shumë në Shqipëri për agjenturën e saj, siç e ka pasur vazhdimisht. Kjo është e padiskutueshme. I përdorën në të gjitha format dhe të gjitha fushat në pozicione të rëndësishme. Aty pati një konflikt midis ministrit të Mbrojtjes dhe të Jashtëm dhe më pas i detyrua ministri i Jashtëm të sqarojë se si merret ky buxhet. La të kuptohej mjaft mirë që këto para çohen në destinacionet përkatëse për të mbajtur agjenturën e tyre dhe për të krijuar të re. Agjentura serbe dhe ajo greke prej vitesh hedhin valle në mes të Tiranës. Kemi politikanë që zihen në Tiranë dhe të nesërmen shkojnë në Athinë. Po të kishte shtet dhe të vepronte siç duhet shërbimi informativ, ata do të ishin brenda. Është Rusia, është Turqia. Vitet e fundit, Turqia në Shqipëri dhe botën shqiptare është shumë aktive”, – u shpreh Limaj.