Ish-ambasadori i SHBA-ve, Withers: 23 Qershori ndan demokracinë nga diktatura

442
Sigal

 Ish-ambasadori i SHBA-ve, Withers në një intervistë për “Zëri i Amerikës”, për zgjedhjet e 23 Qershorit:  Me  KQZ-në është bërë  “puç adminstrativ”

Ish-ambasadori amerikan Withers ka dhënë një intervistë në “Zëri i Amerikës”, për rëndësinë e zgjedhjeve të 23 Qershorit në Shqipëri.

“Zëri i Amerikës”: Cili është mendimi juaj për gjendjen në të cilën ndodhet vendi, tri javë para zgjedhjeve?

Ambasador Withers:  Unë vazhdoj të mbetem i shqetësuar për dy arsye: së pari për administratën, për vetë zhvillimin e zgjedhjeve. Mendoj se, në një mjedis kaq të politizuar sa ai në Shqipëri këto ditë, që një parti, jo vetëm të konkurrojë në zgjedhje, por edhe të kontrollojë zhvillimin dhe administrimin e tyre, këtu ka konflikt të thellë interesi.

“Zëri i Amerikës”: Kur thoni konflikt interesi besoj e keni fjalën për gjendjen e tanishme në KQZ?

Ambasador Withers: Shumë gjera, KQZ-ja është një prej tyre. Ajo që ka ndodhur me KQZ-në ishte një marrje pushteti, unë e quaj një grusht-shteti administrativ. Ishte në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me kodin elektoral dhe përtej përgjegjësive të Parlamentit për të votuar për të. Pra ishte një përpjekje e partisë në pushtet për të marrë kontrollin e plotë mbi KQZ-në.

“Zëri i Amerikës”: A ka ndryshime, mospërputhje të vogla mes atyre që thonë zyrtarët lokalë amerikanë atje, pra ambasada dhe atyre që thotë Departamenti i Shtetit në Uashington?

Ambasador Withers: Unë do isha shumë i habitur në se do të kishte. Pa dyshim unë nuk flas për qeverinë sot, por nga përvoja ime, do të befasohesha në se dallimet që mundohen të gjejnë njerëzit aty, vërtetë ekzistonin. Në fund të fundit, ajo që ka rëndësi është se Ambasadori Arvizu flet për Presidentin e Shteteve të Bashkuara. Ai është përfaqësuesi zyrtar i tij. Pra për çdo sqarim, ai është personi që duhet pyetur.  Dhe ai do t’ju tregojë të vërtetën. Ambasadorët amerikanë thonë të vërtetën. Por në një kuptim më të gjerë, nuk ka rëndësi mendimi i Jonathan Moore-it, ose i të huajve të tjerë. Shqiptarët vetë e dinë të vërtetën. Ata e dinë çfarë ndodh. Duke e ditur këtë të vërtetë ata duhet ta kthejnë mendimin e tyre në votë. Duhet të shohin situatën në terren. E kam thënë shpesh herë, këto zgjedhje do të përcaktojnë në se e ardhmja e Shqipërisë do të jetë demokraci, apo në se vendi do të rrëshqasë pas në diktaturë. Shqiptarët duhet të shohin tek vetvetja dhe jo të përpiqen të shohin se çfarë është në mendjen e burokratëve të Departamentit të Shtetit dhe të votojnë sipas asaj që besojnë, që për mua është të votojnë për ndryshimin.

“Zëri i Amerikës”: A nuk është e ekzagjeruar kur shpreheni “rrëshqitje në diktaturë”?

Ambasador Withers: Jo sipas pikëpamjes time.  Një nga gjërat e mira për mua tani është se nuk jam diplomat dhe nuk kam nevojë të flasë me gjuhë diplomatike. Vendi po e humbet demokracinë dhe kjo ka qenë një përpjekje e vazhdueshme e regjimit në pushtet. Kur isha atje, por edhe më pas, institucionet e demokracisë janë dobësuar, sistemi i gjykatave është dobësuar, institucioni i presidentit është dobësuar,  të gjitha këto struktura të reja, në zhvillim e sipër, që sigurojnë zbatimin e shtetit ligjor janë dobësuar. Tani ka një elitë drejtuese që e përdor ligjin për të mbrojtur interesat e veta, dhe jo drejtësinë për qytetarin e thjeshtë.

“Zëri i Amerikës”: Ju përmendni probleme të shumta për Shqipërinë, por siç e thotë shprehja  “duhen dy vetë për të vallëzuar tangon”, pra  si shpjegohet gjendja e tanishme e Shqipërisë,  me një demokraci ende të pakonsoliduar aty, ku duhej të ishte, dhe si mund ta kapërcejë vendi gjithë këtë tension, gjithë këtë polarizim të thellë?

Ambasador Withers: Është një pyetje që e bëjnë të gjithë dhe nuk besoj se ka një shkop magjik për të zgjidhur problemet e Shqipërisë. Por duhet filluar nga diku. Për mua elementi kritik i këtyre zgjedhjeve është nëse një qeveri, që ka bërë gjithçka ka mundur për të dobësuar shtetin ligjor dhe demokracinë, do të vazhdojë ta ruajë pushtetin përmes rrugëve të drejta ose të padrejta, apo do të ketë një shans edhe pala tjetër?

“Zëri i Amerikës”:  Ju tingëlloni shumë kritik ndaj qeverisë, pasi keni punuar me të për tre vjet.

Ambasador Withers:  Unë jam pro-demokracisë. Dhe kur ke një situatë, kur veprimet konkrete të kujtdoqoftë në pushtet, bien ndesh me demokracinë, unë do të flas kundër tyre. Për opozitën nuk e di si do të veprojë.  Por ajo që unë di, është se e kaluara e qeverisë dhe e tanishmja flet qartë. Veprimet e saj kanë qenë një taktikë e llogaritur dhe e vazhdueshme për të shkatërruar demokracinë shqiptare. Unë do t’u bëja thirrja shqiptarëve të dalin të votojnë në numër të madh, që çdo lloj përpjekje për manipulim të dështonte nga e drejta e tyre e votës.