IRRITOHEN QYTETARËT, AKU ËSHTË FASADË

690
Sigal

Petraq BARJAMI

Irritohen qytetarët: AKU është fasadë, ata marrin lekët, ne hamë mbeturina

Kontrolle për show: Pse nuk denoncon bizneset që importojnë qindra ton mish me salmonelë?

Gazeta “Telegraf” ka kohë që ka ngritur problemin pse AKU, nuk publikon të gjitha emrat e atyre bizneseve dhe të pronarëve, e para, që prokuroria të fillojë hetimet ndaj atyre, të cilët për fitime marramendëse vënë në rrezik të madh shëndetin publik. Këto ditë vetë AKU i ka dhënë të drejtë kritikave të gazetës “Telegraf”, derisa publikon emrat e disa fshatarëve që therin ndonjë kec e qengj në shtëpi dhe jo në thertore moderne, apo ndonjë dyqan të vogël, që tregton mish e sallam në kushte jo higjienike, ndërkohë, që dihet, se ata nuk janë furnizuesit kryesorë dhe as tregtarët e shumicës.

Show i kontrolleve të AKU

Sasi të mëdha të mishit të bllokuara për shkak të transportimit në kushte jo të mira, apo të përmbajtjes së salmonelës. Dyqane, restorante apo subjekte të ndryshme janë mbyllur pasi nuk plotësojnë as kushtet minimale të sigurisë. AKU ka evidentuar një subjekt i cili do të shpërndante në treg 33 ton produkte me afat të kaluar. Gjatë kontrollit të ushtruar nga trupa inspektuese e AKU-së, rezultoi se subjekti “IN FOOD” shpk, kishte 2 ambiente (magazina) në Shkozë dhe Rinas, ku ruante produktet, me qëllim shpërndarjen në treg. Konkretisht, në magazinën e parë me adresë në Shkozë u konstatuan kushte higjieno-sanitare të papërshtatshëm, si dhe 24 ton produkte me afat përdorimi të kaluar të cilat ruheshin në të njëjtin ambient me produktet e rregullta. subjekti “IN FOOD” shpk nuk ka përmbushur detyrimin ligjor sipas nenit 24/1 të ligjit të ushqimit, ku duhej të njoftonte menjëherë AKU-në që këto produkte kishin kaluar afatin e përdorimit. Për sa më sipër, ndaj subjektit është marrë masë administrative gjobë 1.000.000 lekë.

Cilat janë bizneset që importuan 180 ton mish dhe 30 ton mish pule me salmonelë nga Brazili?

AKU publikon emrin e biznesit të “IN FOOD” shpk (dhe shumë mirë bën), por pse nuk publikon cilët biznese importuan nga Brazili qindra tonelata dhe dhjetëra kontejner me mish me salmonelë? A e di AKU që 1 kontejner me mish kushton 350.000 dollarë dhe 50 ton mish me salmonelë mund të shkaktojë epidemi helmimi? AKU justifikohet, se nuk do të prishë imazhin e biznesit të madh. Po pse, biznesi i vogël nuk i dhimbset? Po qytetarët duan ta dinë biznesin, që ta bojkotojnë e jo ta mbrojë AKU. Pse prokuroria nuk fillon hetimet edhe për përgjegjësinë e AKU, që vepron me 2 standarde ndaj bizneseve?

Alarmohen qytetarët: Na helmojnë, AKU nuk po e bën punën siç duhet

Por, përsëri njerëzit janë mosbesues ndaj institucionit përgjegjës për sigurinë e ushqimit, AKU-së. Sipas tyre, ky i fundit është vetëm për fasadë dhe nuk është duke e bërë punën siç duhet. Si pasojë, qytetarët kanë frikë të blejnë ushqime, veçanërisht kur bëhet fjalë për mishin. Të pyetur për sajtin “tiranatoday.com” qytetarët thonë: “Ne nuk kemi asnjë siguri, për produktet që blejmë. Ne nuk e blejmë mishin fare, veç arsyes se nuk kemi shumë mundësi ekonomike, por më tepër sepse dëgjojmë në televizione lajme nga më të ndryshmet. Gjithë ushqimet janë të skaduara. Dhe tek AKU, tek institucioni, i cili është përgjegjës, nuk kemi aspak besim. Këtu gjithçka është gjë politike.” “Mishi i pakontrolluar është detyrë e AKU-së, por ajo nuk është duke e bërë punën siç duhet.” “Institucioni i kontrollit të ushqimit nuk funksionon, sepse ne shohim përditë që ka produkte të cilat vijnë pa kontroll në doganë, veçanërisht mishi.” “AKU ekziston sa për emër, por nuk vepron. Është thjeshtë një fasadë. Gjithë mbeturinat që sjellin këtu, ne besojmë se janë ushqime normale dhe i konsumojmë. Me çfarë të ruhemi, ne nuk dimë. Gjithmonë konsumatori është viktimë e biznesmenëve. Më skandal se është këtu, nuk është në asnjë vend të këtij universi.” Qytetarët thonë për Tirana Today, se shumë herë e marrin mishin nëpërmjet të njohurve, kjo pasi nuk kanë asnjë siguri në mishin që tregtohet në dyqanet e mishit të kryeqytetit. “Produktet e bulmetit, apo mishin unë i porosis të një fshatar prej vitesh tashmë. Por, nuk është kjo zgjidhja, t’i porosisësh larg dhe në dyqane të mos kemi asnjë lloj sigurie.” “Gjithmonë mishin e marr në zonën ku unë banoj. Këtu nuk marr asnjëherë, pasi nuk jam i sigurt. Ndërkohë, institucioni i sigurisë thjesht merr lekët dhe kaq. Ndaj AKU nuk po e bën punën siç duhet, pasi nga njerëzit ka shumë ankesa, jo vetëm sa i takon mishit, por për çdo produkt ushqimor.” “Ato kujdesen si jo, marrin paratë dhe japin shumë pak siguri. Po ta bënin punën tamam dhe në rregull, nuk do ishin këto ushqimet e pakontrolluara. Asnjë nga institucionet nuk i kryen detyrat që duhen.”

Prof. Dr. Edmond Panariti kritika AKU-së: Po pastron konkurrencën me “armët” që i ka dhënë ligji

Ish-ministri dhe Deputeti i LSI-së, Prof. Dr. Edmond Panariti, ka reaguar ashpër ndaj Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), duke thënë se trupat inspektuese po i përdorin fletë-analizat dhe procesverbalet bllokuese për të spastruar konkurrencën dhe konsoliduar monopolet. Z. Panariti, madje bën një krahasim të fletë-analizave me armët, duke thënë se ato përdoren “për vetëmbrojtje ose për të vrarë”. “Zotërinj!! Ligji i Ushqimit ju ka dhënë një armë për të mbrojtur dhe jo për të vrarë! Analizat dhe procesverbalet e trupave inspektuese të AKU-së, janë si puna e pistoletës! Mund ta përdorësh atë për vetëmbrojtje, ose për të vrarë! Ligji dhe publiku, kërkon që të përdoren për të mbrojtur publikun. Por kur këmbëzën e pistoletës e tërheqin oligarkët dhe politika, atëherë kjo armë nuk mbron por vret! Vret për të spastruar konkurrencën dhe konsoliduar monopolet. Trupat analizuese të miellit, vajit, mishit, perimeve, duhet ta dinë mirë se fletë-analizat dhe proces-verbalet bllokuese, janë dokumente ligjore që i nënshtrohen dhe do t’u nënshtrohen verifikimeve edhe nga qendra të akredituara ndërkombëtare. Prandaj sigurohuni mirë, kur të hidhni firmat dhe shkrepur armët që ju ka besuar ligji, sepse mund të vrisni në vend që të mbroni!”, – janë fjalët e Prof. Dr. Edmond Panariti.