Ironia e Patozit: Mbledhja e fundit me ministrat

456
Ish-kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, ironizoi mbledhjen jozyrtare të Ramës me ministrat e rinj. “E bën mirë që i mbledh ministrat e padekretuar ende, qoftë edhe në takime informale, sepse besohet që çdo konsultim apo debat është më mirë se sa t’i dish dhe t’i bësh të gjitha vetë. Por që i nxjerr në TV dhe prodhon kaq shumë lajme dhe thashetheme për to, kjo nuk shpjegohet dot me logjikë normale”, u shpreh Patozi. Sipas tij, të gjithë e dinë se kur qeveria të votëbesohet, nuk do të ketë më, as lajme dhe, as njoftime, si për mbledhjet, ashtu edhe për vendimet e saj. “Por gjithçka do të rrotullohet dhe qendërzohet rreth asaj që do të thotë dhe më pas do të ekzekutojë ‘timonieri’ i vetëm i Republikës së Re. Marrëveshja e 18 majit ia bëri edhe këtë të mirë Shqipërisë. I shtoi ndriçimin dhe frymëzimin udhëheqësit. Ky është rasti i vetëm në botë, kur seancave stërvitore të një skuadre i jepet më shumë rëndësi se sa ndeshjes”, tha Patozi. Ai shtoi se prej të hënës, ministrat do të jenë figurantë në qeverisje. “Ndaj mbajini mend mirë këto pamje, se mund të jetë hera e fundit që i shikoni ato burra dhe gra si ministra, pavarësisht se me veshje jozyrtare, duke hyrë e dalë, jo nga zyrat e shtetit, por prej hoteleve turistike. Që prej të hënës ata mund të kthehen të gjithë në identitet, si figurantë të një qeverisje tërësisht personale”, u shpreh Patozi.
Sigal