Ironia e Patozit: Ish-sherifët e “Rilindjes” çanë ferrën, ky është shteti i Ramës

578
Ish-deputeti i PD-së, Astrit Patozi ka reaguar lidhur me arratisjen e 3 ish-zyrtarëve të Policisë, pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda lëshoi urdhër-arrestet.
Në një mesazh në faqen e tij të ‘Facebook’-ut, Patozi theksoi se po të ishin trafikantët e drogës në vend të tyre, do ishin dorëzuar, për të mos e komplikuar më shumë pozitat juridike.
Mes të tjerash ai shtoi se: “Në këtë kuptim, nuk ka më asnjë dilemë publike se çfarë është tamam shteti dhe “policia që duam” e Edi Ramës”.
MESAZHI I PATOZIT
ARRATISJA FLET MË SHUMË SE ÇDO ARRESTIM
Janë tre ish-drejtues të lartë policie, të cilët prej ditësh po i fshihen drejtësisë, pasi prokuroria u preu fletëarrestet për lidhje me krimin e organizuar.
Kam frikë se po të kishin qenë trafikantë droge në vend të tyre, të paktën njeri do të ishte dorëzuar vetë, për të mos e komplikuar më shumë pozitën e vet juridike.
Në këtë kuptim, nuk ka më asnjë dilemë publike se çfarë është tamam shteti dhe “policia që duam” e Edi Ramës.
Ndaj nuk e po e marr vesh fare se pse po konsiderohet skandal më i madh fakti që urdhri i prokurorisë nuk po zbatohet, se sa që ish-sherifët e ligjit të “Rilindjes” kanë çarë ferrën dhe janë zhdukur në drejtim të paditur.
Sigurisht, arrestimi i tyre mund të ketë vlerë për drejtësinë dhe për të ndriçuar plotësisht të vërtetën e shkallës së implikimit të tyre.
Por politikisht, ata kanë kryer punë, madje e kanë bërë me shumë devocion këtë gjë. Sepse i bie që të kenë marrë mbi shpinë edhe më shumë se veprat për të cilat i akuzon zyrtarisht prokuroria.
Për këtë arsye ikja e tyre sot flet më shumë se çdo deponim i mundshëm përballë prokurorit dhe gjykatësit, sado të zhvilluar që ta kemi fantazinë.
Por uroj shumë që këtë ta kuptojnë edhe udhëheqësit zyrtarë të opozitës.
Sigal